Press "Enter" to skip to content

Kulla e Babelit

Kur u dogj Kulla e Babelit,
prapa mbetën reliktet e një rrëfimi të gjatë,
si intriga të një dashurie me fund tragjik.

U shtuan mosmarrëveshjet ndërmjet gjuhëve
dhe u ndez drita e mërzisë.
Pastaj erdhi nata, e gjatë sa një mijë jetë.
U shkruan shumë poezi e romane.
U fol për gratë e veshura me të bardha,
që tregonin rrëfime dashurie.
Për burrat me helmeta në kokë,
që rrëfenin me zë të lartë për luftëra dhe beteja pafund.
Për fëmijët në pyll, që luanin Kësulëkuqen.

U shkruan dhe u përkthyen shumë libra.
Lindën dhe vdiqën shumë heronj
dhe miliona njerëz të zakonshëm,
që vuajtën nga heronj dhe antiheronj.

Pas Babelit gjuhët u përzien,
kurse ora e lumturisë u ndal si kjo shigjetë zemërimi,
në natën me yje të thyer në qiell dhe një mërzi pafund.

Atëherë njerëzit u vërtitën si fantazma nëpër rrugët e mjegullës,
pa orë dhe pa kalendar.
Shikonin qiellin dhe prisnin t’i shihnin yjet.

Ti e di se prej atëherë janë bërë shumë vite.
Përpara nesh është një fletë e zbrazët,
me një mori planesh dhe një mori dështimesh.

Edhe unë kam një grumbuj librash që me shikojnë si huti.
Disa me tregojnë rrugën kah marrëzia
e disa horizontin e mrekullisë me një fund Babeli.

Në këtë orë të vona, pa dyshim,
në gjithë botën ka shumë njerëz që ëndërrojnë orën e lumturisë
dhe këqyrin teshat e mërzisë, varur në atë tel me gjemba.

Pastaj ti e di: fati rrokulliset kësaj pjerrësie,
si dielli që perëndon përditë pas atyre kodrave me emër të nëmur,
dhe për dikë është një shpresë më pak, për dikë një shpresë më shumë.

Si atëherë, edhe sot, retë fluturojnë si ëndrrat e kësaj dite pa formë.

Nesër ka mundësi që dielli të kthejë rishtas shikimin nga ne
dhe ne të vazhdojmë mosmarrëveshjet tona,
si këto gjuhë të trazuara, që shtegtojnë tash sa vite
nëpër qiellin tonë dhe s’e gjejnë kthjelltësinë e fjalës,
as dorën e pajtimit.

Pas Babelit gjithçka ishte e kurdisur:
lulet, puthjet dhe një rrëfim i gjatë, që na kujtohet shumë pak.

(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017)

Autori
Ndue Ukaj

Ndue (Tomë) Ukaj lindi në vitin 1977 në Stubëll të Epërme të komunës së Vitisë. Është poet, shkrimtar, kritik dhe publicist.

Botime
Diskursi biblik në letërsinë shqipe"- studim, AIKD, 2004, Prishtinë.
"Ujëvarat e metaforave", poezi, Botimet M&B, 2008 Tiranë.
"Ithaca of the word ", poezi, përkthyer nga Peter Tase dhe botuar në SHBA, Lulu Enterprises.
"Godo nuk vjen", poezi në shqip, anglisht dhe spanjisht, me përkthim të Peter Tasesm Lulu Enterprises.
"Arka e shpëtimit", poezi, "Drita", 2012, Prishtinë.
"Gjithmonë diçka mungon", poezi, OM, 2017, Prishtinë.
"Krijimi i dashurisë", përzgjedhje poetike, botuar nga Festivali Ndërkombëtar 'Ditët e Naimit, 2017, Tetovë,
"Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore", Onufri, ese, 2019
"Mbretëria e ëndrrave", tregime, Onufri, 2021.
"Retë prej drite", poezi, Onufri, 2022.
"Dritarja e Marin Shkrelit",roman, Onufri, 3023.

Çmime letrare apo nderime të tjera
2011, Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për librin më të mirë në poezi, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, "Ditët e Naimit", 2011, Çmimi për poezinë më të mirë.
"Creativity prize", 2016, Naji Naaman’s Literary Prizes 2016.

 

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *