Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Ura

Ma mirë do të ishte sikur kjo hapësirë pa formë
të mos kishte urë.
Ti do të mbaje dhimbjet e tua
e unë të miat.

Sot,
ti je e heshtur, si kjo natë pa ndriçim.

Të kujtohet kur më rrëfeve historinë e braktisjes,
atë kallëzim për jetë e mote?

Po!
Ma mirë kjo hapësirë
të kishte një trëndafil me gjemba,
prej ku do të dëgjohej kënga e hutave,
sesa këtë urë që bashkon dhimbje.

Nata është e bukur dhe për dëshirën time shikoj yjet.
Ata duken si një pikturë resh të dendura.
E përqafoj shumësinë e tyre,
si këtë boshësi që më ha.

Ti prapë më josh kah qetësia e puplave.
Sot e përgjithmonë,
unë mbeta i përgjumur, me shikimin në atë horizont.

 

Seancë

Mbaje lart kupën e hidhërimit dhe nisu tatëpjetës së kësaj dite,
sokakët e së cilës janë mbushë me të marrë.

Të kujtohet Sokrati me shkopin e tij,
si rrinte në një kënd të vetmisë
dhe dëgjonte akuza pafund?
Në podiumin e mbushur nga turma,
që asnjëherë nuk di çfarë kërkon.

Pastaj ai e piu helmin,
para se t’i shqiptohej dënimi.
Në një ditë me diell dhe pamje të bukur në horizont.

Oh! Përnjëmend,
sa herë nisin seanca për të vërtetën,
askush nuk brengoset për lirinë e zogjve në qiell
dhe peshqve në det.
Sepse atdheu i tyre nuk ka liri njerëzore.

Sipërfaqja pa formë

Gjëra të pakuptimta ndodhin mes meje dhe teje.
Ushqehemi me mërzi,
na pi errësira dhe ngremë dolli për yjet që s’janë.

Stolitë i heqim nga muret dhe në to varim gotën e ithtë,
si pikturat e harruara të fatit tonë.
Pastaj lexojmë një vistër lajmesh për kohët e thyera si shtiza,
në sipërfaqen pa formë të kësaj fushëbeteje absurde,
ku prapa mbetet tymi dhe një arenë pasigurie.

Mes meje dhe teje është një humnerë,
ku veç zogjtë kalojnë të lirë.

Ah! Sa herë e theva pikëllimin,
si këtë shtizë që e mbajta gjatë në duar,
kur notoja pas zjarrit tënd!

Përsëri shikoj matanë humnerës.
Një pemë e bukur; më tërheqin frutat e saj.
Përdëllehem para se të marr frymë thellë.
Megjithatë nuk dua të besoj në folenë e gjarprit.
Jo!
Ai nuk është aty, as helmi i tij.

Pastaj ti e sheh: dielli bëhet pikë e vogël në horizont,
ndërsa hëna shfaqet me sytë e mëdhenj,
në këtë mesnatë kur s’e di a duhemi apo urrehemi.

Autori
Ndue Ukaj

Ndue (Tomë) Ukaj lindi në vitin 1977 në Stubëll të Epërme të komunës së Vitisë. Është poet, shkrimtar, kritik dhe publicist.

Botime
Diskursi biblik në letërsinë shqipe"- studim, AIKD, 2004, Prishtinë.
"Ujëvarat e metaforave", poezi, Botimet M&B, 2008 Tiranë.
"Ithaca of the word ", poezi, përkthyer nga Peter Tase dhe botuar në SHBA, Lulu Enterprises.
"Godo nuk vjen", poezi në shqip, anglisht dhe spanjisht, me përkthim të Peter Tasesm Lulu Enterprises.
"Arka e shpëtimit", poezi, "Drita", 2012, Prishtinë.
"Gjithmonë diçka mungon", poezi, OM, 2017, Prishtinë.
"Krijimi i dashurisë", përzgjedhje poetike, botuar nga Festivali Ndërkombëtar 'Ditët e Naimit, 2017, Tetovë,
"Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore", Onufri, ese, 2019
"Mbretëria e ëndrrave", tregime, Onufri, 2021.
"Retë prej drite", poezi, Onufri, 2022.
"Dritarja e Marin Shkrelit",roman, Onufri, 3023.

Çmime letrare apo nderime të tjera
2011, Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për librin më të mirë në poezi, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, "Ditët e Naimit", 2011, Çmimi për poezinë më të mirë.
"Creativity prize", 2016, Naji Naaman’s Literary Prizes 2016.

 

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *