Press "Enter" to skip to content

Mirela Sula: Të kërkosh fat në një ditë ters

1.

I falem kësaj dite. Kapakët e syve m’i çel,
nën një dritë që s’di ta pres.
Urinë e mëngjesit, me dy gllënjka ujë e shuaj.
Çdo natë shpëtohem prej vetmisë,
që ende s’më ka ngrënë.
Ëndrrat e mia të tutës ia rrëfej orës sime të ligë.
Amanetet kam menduar t’i lë herët, po kujt t’ia them?
Çfarë do të më ndodhë nesër, kush mund ta dijë.


Derën duhet ta mbaj mbyllur me zinxhir
për të shijuar e qetë bukën që më mbetet në fyt.
Mendimet si kore e thatë më kapërdihen
në një fjalë që thyhet e një mall që më mbyt.

2.

Mëngjesi si sklepje trishtimi, më ngjitet në pangopësinë e thellë
të syve të etur për gjumë.
Ëndrrat, ankthet paralajmëruese të ditës më shpotiten
nga reflekset çoroditëse përballë pasqyrës së vjetër.
Një dush i ftohtë më kalamend, pa më përfillur
deri në rrëqethje.

Si gjithmonë, e vonë…
duhet të vrapoj, të kap një ditë që ka nisur para meje,
ndërsa vetja më udhëheq drejt një intuite të rreme.
Nuhas një ditë të ftohtë dhe një parandjenjë që ndjell ters.

3.
Në rrugë më presin njerëzit, shoqëruesit
e pavëmendshëm,
të rënë në kurthin e një dite rutinë.
Një sirenë alarmi shkapetet me ofshamën e sapozgjuar
të këtij mëngjesi.
Ora ime e vrarë ende s’bindet të zgjohet, e trupi i ujtë
si një makinë pa timon, më dridhet në këtë mes trafiku.
Viktimë e pafajshme e këtij çasti,
pres me ankth të parkoj diku larg
jashtë tersit që ndjell kjo ditë.

4.
Unë pra, njeriu i urtë mbahem
prej frikës së ndëshkimit të një dite,
jo prej forcës që kam për ta përballuar atë.
Indiferente për gjithçfarë me parakalon vetëdijshëm
nëpër autostradën e mbushur me njerëz të dëshpëruar,
shpërfill luksin e të qenit vetëm.
Një hap i hedhur para kohe, një tjetër që vonon
nuk varet më prej meje.
Semaforët më stepin përballë dëshirës për të mos ndalur…

5
Jam jashtë…
në rrugët e brymta të një vendi të huaj.
Dimri më ka zënë në një shtëpi që s’është imja.
As hapat që hedh s’i ndiej më të mitë.
Ankueshëm lëviz,
si në kërkim të një fundi, cilidoqoftë.
E prapë nuk qahem, askënd nuk lëndoj, me brengën e vjeshtës
që mbetur ka në gjethet e vyshkura të syve pa dritë.
As mendimet e thata s’i lë rrugëve, në kalimtarë të pafajshëm.
Lulet te ftohta ende mbajnë në këmbë frymëzimin
e hidhët të kësaj stine të trishtë.

E lexoj dyshimin,
mbytur në vështrimet e bashkëvuajtësve të mi.
Nuk ankohen,
por indiferenca e tyre nuk mund ta fshehë
drithërimin e vjeshtës që fle në ta.
Kohë e vetmuar më bën shoqëri
larg një malli të brishtë që më bren
duke m’i fshirë çdo ditë nga pak gjethet e stinës,
trupit që s’e ndiej.

7.

Provoj të zbres rrugëve pa anë
në lagështinë pa baltë të këtij qyteti antik.
Ngadalë zvarritem, ndër gëzimet e vogla, shpërndara në ajër
që dhimbjet m’i shtyjnë, pre e tyre të mos jem.
Nuk ndalem në fytyra të lehta njerëzish që si shurdhër ecin,
të pandjeshëm ndaj zhurmave, nuk presin…
Bota rreth meje sillet
si një mjegull e varur mbi shikimin tim.

Me të tillë sy e ndjek dritën, sosur në paqetësi.
Kalimtarë të lodhur ende mbahen në rrëmujën e një dite,
ngecur në plasaritje kujtimesh.
Unë ngecur kam në kurthin e kësaj britme.
Kam frikë!

Minutat e kohës së ftohtë më sulmojnë,
si një parathënie e nisur në këtë vend të shtirë.
Statuja të derdhura në hapësirë më shoqërojnë
drejt së panjohurës si një asfiksi.

Pirgje mendimesh më pengohen trazueshëm
nëpër heshtjen e mbetur rrugëve, të njerëzve jo kureshtarë.
Askush nuk ka kohë të dëgjojë rrëfimet e trillta të një gruaje.
Hije të shprishura fatesh
më ndjekin në ditën time të pafat.

Pages: 1 2

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *