Unë hesht
Përbindëshat me dy kokë janë zgjuar
dhe ruajnë mos shkelet betimi.
Kuçedra përpiu burimin e fjalës.
Dy kontinente memece, pa ura lidhëse,
pa zyra diplomatike,
me hapësira të shkreta.
Tokë e premtuar kotësive – truri im.
Lartohen aty shtatë pashë,
gjëmbaçë inatçorë idhnimesh.
Tani jam ishull në mes të kurrkundit.
Rroftë krenaria!
Flamuri i bardhë në gjysmështizë rri.
Një shpatë e mprehur mes nesh,
pret çika-çika fjalë e kujtime.
Mbledh me majën e saj,
plagët e betejës së fundit.
Testament
Jam Ponc Pilati.
Juda i vetvetes.
Jam Krisht.
Fajet e mëkatet që s’bëra,
gozhdë në trup e shpirt.
Ringjallem ditën e tretë,
do kthehem ditën e dyzetë,
të bëj gjithë sa nuk bëra
si duhet në këtë jetë.
Falur ju, që hodhët gurin e parë!
Më shumë dhemb guri që hodha vetë.







Be First to Comment