Hëngra gjithë farat e luleve këtë pranverë.
Piva cicërimat e zogjve, këngët e dallëndysheve, zukatjet e bletëve.
U pudrosa me pluhur nga krahët e fluturave dhe…
po shkoj të shtrihem.
Po mblidhem në formë fetusi.
Zvogëlohem ngadalë dhe pres
të kthehem në embrion e të zë vend,
brenda barkut tënd.
Nënë.
Më bëj edhe një herë;
ngjizur me lule, cicërima,
zukatje bletësh dhe pluhur fluturash.
Më mbaj më gjatë këtë herë;
nëntë muaj s’janë asgjë.
Më mbaj brenda mitrës si nëna elefantin,
tetëmbëdhjetë a njëzet e dy muaj.
Mandej lutu të lind me këmishë!
Thirr fatat e mira të shkruajnë më pak plasje buze,
rrugë të bardha dhe njerëz me shpirt.
Më bëj përsëri, më bëj më të mirë,
të drejtë, të qetë e më pak të duruar.
Pastaj mëso të më duash prej çastit kur do regëtij njësh
me zemrën, mushkëritë e do pulis bebëzat në sytë e tu.
Pranomë edhe nëse do jem një biskotë e thyer,
nga ato që skarcohen në prodhim.
Në mungoftë copëza e veshit të djathtë, mos m’a përmend.
Premtomë se nuk do qash në lind përsëri vajzë!
Rikrijomë, më bëj të qeshur,
më pak të ndrojtur, të ashpër këtë herë.
Hëngra fara lulëkuqesh, luledele dhe gjithë ato që çelin anës rruge
e ngushëllojnë kalimtarët e vetmuar.
Jam gati të mbij!
Nënë, më bëj edhe një herë!
Bëmë e ribëmë sa herë të kuptosh
se nuk jam ajo që dua të jem.
E papërsosur në pambarim.
E mira, Miranda.
Vajza jote e tretë,
lindur më tre mars,
viti shtatëdhjetë e një, shekulli i njëzetë.
Aty ku kacafyten dimrat me pranverën,
ku gënjehen lule bajamet dhe ngrijnë plakat në mal,
ku zgjohet limfa nën lëvozhgë
dhe shartohen drurët frutorë,
ku çelin manushaqet dhe hapen sytë e mi.
Bijë e marsit të çartur dhe nënës së ftohtë e idhnake;
thonë se më vure të flija në juk për pak ditë,
por nuk deshe të vdisje pa m’i parë sytë.
Nënë.
M’a mëkove shpirtin me qumësht të kaltër
dhe zemrën me veç dy vargje:
“Dallëndyshe bishtgërshërë,
lum nëna që të ka bërë”.
Unë vij të lidhim mes nesh paktin e ri të dashurisë;
të paqes me veten, botën dhe njerëzit.
Treshi i shenjtë: ti, unë dhe universi.
Unë dhe tre fëmijët e mi,
lidhur me kordonin e kërthizës së Hënës.
Përsiatje

Autori





