“Nuk di si të them!… Të vdekurit kanë jetën e tyre dhe ka shumë të ngjarë që jeta e tyre të jetё shfaqja më reale e kësaj bote fantastike!…”.
Kasёm Trebeshina, “Mekami”, 1978.
Kasёm Trebeshina dhe lexuesit shqiptarё
Dy janё kategoritë e lexuesve shqiptarё të shkrimtarit. Grupi i parë është ai që s’e ka lexuar asnjёherё autorin “e çuditshёm” dhe grupi i dytë, fatkeqësisht më i vogli, është ai që e njeh dhe e adhuron Solženicyn shqiptar[1].
Nёse do të përmendim sadopak, në këtë punim, çaste nga jeta e autorit, kjo gjë do të kishte pezmatuar të parin vetë Trebeshinёn. Ai gjithmonё ka kёmbёngulur e ka thёnё: “Jeta ime s’ka të bëjë me krijimtarinë time. Unё nuk jam disident se bëra burg, por se në veprën time iu kundërvura atij sistemi, që ishte ndërtuar në mënyrën më të komunistshme”[2].
Pavarёsisht se ai ishte në kundërshtim me ndikimin e jetës sё autorit nё vepёr, përvoja e kritikës botërore na tregon se shpesh jeta e artistëve përcakton, nё mos tё tёrёn, njё pjesё tё mirё tё veprës së tyre.
Tipare tё veçanta të artit të Trebeshinёs janë rrjedhojë e jetës kaluar në kalvarin e tmerrshëm të diktaturёs Hoxha në Shqipëri.
Le ta argumentojmë këtë tezë duke u ndalur te “Mekami”, si një nga veprat e shkruara në kohën kur diktatura dinte vetëm të festonte “fitoret” e saj, në “vendin më të lumtur në botë”[3].
Kjo vepër përbën një rast jo të zakontë në pafundësinë e rasteve që veprat letrare krijojnё. Shkruhet më 1978-n dhe fillon marrëdhënien me receptuesin, domethёnё botohet në vitin 1994. Pra, mund tё themi se kjo vepёr ka disa “mosha” natyrore dhe jo natyrore:
- Mosha e marrëdhënies autor-vepër.
- Mosha e marrëdhënies vepër-receptues.
Tё dyja këto mosha janë të natyrshme në botën që krijon letërsia.
Po zakonisht shfaqen dhe “mosha” të tjera, që luajnë me një forcë të madhe dhe që po kaq shpesh ia ngrenë apo ia ulin përfundimisht vlerat veprës letrare. Në fakt, këto mosha nuk përbëjnё njё proces tё zakonshёm e normal nё letёrsi dhe pikërisht këtu qëndron pesha që ato mbartin. Duke iu referuar Mekamit, shohim se mosha e tretë, që ne mund t’i përcaktojmë, është ajo kohë kur kish përfunduar mosha e parë autor-vepër dhe priste të fillonte mosha e dytë, vepër-receptues. Pikërisht midis këtyre dy momenteve, vepra mbetet pa marrëdhënien me autorin dhe pa atë me receptuesin, duke jetuar për afro shtatёmbёdhjetё vjet një kohë brenda një moshe që ishte e saja, por që normalisht s’duhet të ishte.
Është më se e kuptueshme që “mëma” e kësaj moshe të tretë, qё ёshtё artificiale për biologjinë e njё vepre letrare, e ka burimin pikërisht te situata jetësore e Trebeshinёs, në ato vite kur Mekamit i duhej të jetonte vlerat e tij të momentit, pra moshën vepër-receptues.
Janë vitet e burgosjeve dhe persekutimeve të Trebeshinës, që e bëjnë konkrete moshën e tretë të kёsaj vepre. Është kjo rrjedhё jete që shoqëron pothuaj gjithë krijimtarinë e autorit, duke dëshmuar qartazi se mosha e tretë bëhet një fenomen i njohur i kësaj krijimtarie.
Po të ktheheshim sërish tek “Mekami”, do të kuptonim se gjurmët e kësaj moshe, krijesë e mirëfilltё e biografisë së autorit, janë thuajse parësore në gjithë interpretimin që mund t’i bëhet veprës. Dhe për këtë mjafton të përmendim disa fakte:
Nёse “Mekami” nuk do të humbiste shtatёmbёdhjetё vjet në një pakohësi, atëherё ai do të vlerësohej aktualisht nga receptuesit, si një autor gati “i çmendur” për kohën dhe pa asnjë mëdyshje do tё quhej disident.
Receptuesit e vitit ‘78 e këndej do të kuptonin rëndësinë që merrte “Mekami” në kohën kur u shkruajt. Nёse receptuesi i ’78-s shihte te kjo vepër se si një autor bashkëkohor provonte të bënte sinqerisht (dhe kjo fjalë në ato kohёra ka shumë rëndësi) një panoramë të virtyteve dhe veseve shqiptare, po këtë gjë mund ta shohë dhe receptuesi i viteve ’90. Ndoshta, ky i fundit, do tё vërente që sot e kёsaj dite s’ёshtё shfaqur ndonjë tjetër autor që t’ia kalojё Trebeshinёs për nga sinqeriteti i tё thënit të së vërtetës shqiptare.
Sikur “Mekami” të kishte patur fatin të botohej më 1978-n, shqiptarët e atëhershëm ndoshta do ta kuptonin më shpejt të vërtetën e realitetit të gёnjeshtёrt që jetonin dhe njëherazi do të kuptonin se Trebeshina nuk shkruante një letërsi tё realizmit socialist, por ishte një avangardё e letërsisё shqipe, qё mund tё krahasohej me atë të Europës Perëndimore dhe asaj ruse.
Kështu, për shembull, po të lexosh fragmentin e mëposhtëm, kupton se autori është vënë në rolin e profetizuesit, ndërsa receptuesi i viteve ‘90 kupton se Trebeshina ka thënë një të vërtetë, që shqiptarëve ua kishin ndaluar me ligj e me kamxhik. Fati i Trebeshinës është më tragjik se ai i Laokoontit.
“Për shekuj me radhë gjithë historia juaj ka qenë një rrokopujë. Gjithnjë jeni qeverisur për faqe të zezё ose nuk keni pasur asnjë lloj dëshire për t’u qeverisur… Të jesh më se i sigurt se ky popull e ka një mallkim dhe do të arrijë të jetojë një kohë të zezë nën thundrën e atij lloj sundimtari! …Perëndi e plotfuqishme! Kush do të ketë fatin e tmerrshëm që të jetojë i shtypur nga njeriu më i poshtër dhe më i pabesë që do të nxjerrë ky vend? Ata që do tё arrijnë atë ditë, do të mallkojnë fatin që kanë lindur shqiptarë…!
Sado të bënim lidhjen midis jetёs dhe veprёs sё njё autori, nuk do të justifikoheshin plotësisht. Te “Mekami” kemi dy shtjellime dhe dy pika kulminante, që në fakt janë të shkrira në një. Por ç’do tё thonim për zhvillimin në vepër? Në fakt, i gjithë ndërlikimi në pjesën e parë ka të bëjë me një fakt historik të jetuar nga vetë shkrimtari dhe estetikisht të kujton montazhet në drejtimin letrar të futurizmit. Karakteri urban që merr ngjarja në pjesën e parë e përforcon këtë.
Frazat ndërtohen si të shkëputura nga copëza gazetash të kohës apo nga fjalimet e “udhëheqësit legjendar” Enver Hoxha. Receptuesi, që e ka jetuar atë kohë për të cilën flet autori (vitet përgjatë diktaturës komuniste), padiskutim i kujtohen format, fjalimet dhe sloganet politike, që ushqenin moralin komunist të ndërgjegjes klasore.
“Kapini kazmat shokë dhe me një entuziazёm revolucionar bjerini kësaj mbeturine të besimit të kotë dhe le të mos mbetet një gur nga kjo tyrbe e vjetër. Të gjithë pas meje ngrini kazmat për të shkatërruar këtë Mekam të mallkuar!” [4].
E ke pothuaj të vështirë të përcaktosh nëse ky është zhvillimi apo zgjidhja e pjesës së parë në vepër. Nёse do të pranonim si zgjedhjen që bëri turma pasi zbuloi tyrben, atëherё çka cituam më sipër është vërtet zgjidhja. Por kjo do të thotë t’i mohosh veprës pjesën e dytë.
Nёse do të pranojmë se zgjidhja është të zbulohet si u krijua “Mekami” dhe pse u quajt ai i Shenjtë dhe a është vërtet i tillë, atëherё zgjidhjen duhet ta gjejmë në pjesën e dytë.
Pra, mund të flasim vetëm për një zgjidhje dhe kjo fillon pas faqes 21, ku dhe kemi pikën e dytë kulminante, që, siç thamë, identifikohet me pikën e parë. Zgjidhja që jep Turku është rrëfimi për një histori romantike dashurie mes vëllait të tij dhe të bijës së Spiro Gozos.
Sikur edhe thamë, tyrbja nuk mban gjë tjetër veç kufomave tё dashurisë së parealizur të tyre.
Është shumë e vështirë të përcaktosh qartë pse krijohet ky përfundim, por ne mund të supozojmë disa variante, ku më i mundshmi është ai artistik dhe ka të bëjë me efektin-surprizë, që në këtë rast është efekt i së kundërtës.
Kur nis një tekst i titulluar “Mekami”, receptuesi merr një informacion të parë, sipas së cilit ai do të të përjetojë estetikisht diçka që ka të bëjë direkt apo indirekt me një vend të shenjtë.
Shumë shpejt (që me pikën e parë kulminante), receptuesi ndjen efektin-surprizë dhe kupton se nuk ka të bëjë vërtet me një Mekam të Shenjtë. Këtë do ta përcjellë një efekt i dytë surprizë, që do të zbulojё çfarë fshihet pas këtij vendi, që njerёzit e kanë konsideruar të shenjtë.
Kështu pikave kulminante u afrohet zgjidhja e rrëfimit të historisë së krijimit tё Mekamit të Shenjtë. Në aspektin emotiv, receptuesi i përgatitur të ndjejë diçka, ndjen diçka krejt të kundërt, që gjithsesi nuk është ajo që kishte pritur.
Ajo çka vërtet është përgatitur të presë receptuesi, është të paktën shenjtërimi i historisë, që fshehin kufomat brenda varrit. Por Turku, që luan edhe rolin kryesor të narratorit në realitetin e dytë, as që ka ndër mend ta bëjë këtë, por thjesht dëshiron të tregojë një histori dashurie, të ndodhur brenda historisë së një lufte, pse jo dhe brenda fatit të një kombi. Në aspektin emotiv, ndjesia nga një kah shkon në një kah krejt të kundërt. Sidomos te novela dhe tregimi, kjo gjetje është shumë e ndjeshme. Është pikërisht kjo zgjidhje e shpejtë që e largon sërish veprёn “Mekami” nga romani dhe e afron përsëri me novelën.
Megjithatë, këtu problemi mund të mos jetë vetëm i marrëdhënies vepër-receptues, por edhe i marrëdhënies autor-“roje-receptues”, ku, duke krijuar një term, le të quajmë “roje-receptues” atë lloj receptuesi që vihet në rolin e censurёs (apo autocensurёs, nёse autori do të vihej në pozicionin e lexuesit të parë të veprës dhe që merr të drejtën të “disiplinojë” një krijimtari letrare).
Kjo analizë do tё na bënte të gjykonim se, pёr t’ju shmangur pikërisht kësaj “disipline”, autori e mbyll Mekamin siç do t’i pëlqente “roje-receptuesve” ta mbyllnin.
Gjithsesi, këtë arsyetim e hedhin poshtë dy fakte:
- Do ta merrnim si të vërtetё vetëm nёse Trebeshina besonte se me një mbyllje të tillë, ai do të mundte të kapërcente pragun e botimit. Por, në kohën kur u shkrua kjo vepёr, vetëm një naiv mund të shpresonte se mund të botohej. Kështu që logjika e ftohtë na bën të besojmë se zgjidhja që i dha Trebeshina veprës është pjesë e artit të tij dhe jo e kompromisit përtej letrar, gjë që me sa duket ai nuk e njihte.
- Arsyeja tjetёr që na bind është se kemi të bëjmё thjesht me gjetje artistike, është fakti se kjo vepër, si pothuaj gjithë krijimtaria e Trebeshinës, të tregon se ёshtё shkruar nga një shkrimtar besimtar e fetar, ndaj ka pak arsye që duhet ta kenë shpënë drejt ateizmit.
“Po! Ne bёhemi të mirë vetëm kur themi lutjet tona dhe bёhemi të njerëzishëm vetëm në luftë. Zot i Madh. Vetëm përpara luftës dhe përpara vdekjes ne ndihemi njerëz, kurse gjithë vitin, gjatë mbretërimit të paqes, ne bёhemi armiq për njëri-tjetrin dhe të gjitha veprimet tona synojnë si ta dëmtojmë më shumë të afërmin dhe si të nxjerrim një përfitim sa më të madh për veten tonë”[5].
Po të sillnim në ndihmё psikanalizën, do të ishte sërish Frojdi që do të na orientonte dhe që me arsyetimet e tij do t’i përgjigjej pothuaj plotësisht problemit që sapo shtruam dhe ndoshta do të zbuste disi mendimet që dhamë për të kundërshtuar pikën e parë.
Duhet cituar lidhja që i bën babai i psikanalizësёs letërsisë me ëndrrat. “Vepra e artit i ngjan procesit tё transformimit të ёndrrës që analizon”, thotё ai[6]. Mund të themi se një ndër sukseset e interpretimit të ëndrrave nga Frojdi, ishte dhe përcaktimi i censurës edhe brenda vetё ëndrrёs. Sipas kësaj logjike, asnjëherë nuk duhet ta përjashtojmë autocensurën nё krijimtarinë artistike.
Frojdi ka marrë shembuj nga vetë letërsia. Ai përcaktonte se si protagonistët kryesorë, në shumë kryevepra letrare, përjashtojnë fajin nga vetvetja, duke u larguar kështu nga ajo që ai e quan veshje negative (kështu autorët ruheshin nga censura dhe autocensura e të gjitha llojeve).
Këtë situatë vetëpërjashtimi apo shfaqësimi e gjejmë edhe në pjesën e fundit të tekstit, që vetë Trebeshina e quan “Antihistoria”: “Ti e di mirë! “Mekami” i Shenjtë nuk ishte Mekam dhe as i Shenjtë!”.
Ndryshe nga kolosët botërorё, Trebeshina zgjedh ta largojё veshjen negative jo me një veprim të një protagonisti, por me përcaktimin e një varri, që kushtëzon veprimet e një turme.
T’i pranosh “Mekamit” këtë analizë psikoanalitike, do të thotë të pranosh se Trebeshina s’i ka shpëtuar censurës “policore” të regjimit komunist të kohës, çka do të thotë se estetika e krijimtarisë së tij i është nënshtruar vetvetishëm etikës së kohës.
Nёse te klasikёt, largimi nga e ashtuquajtura veshje negative bëhet si një zgjdhje e brendshme e personazheve tё tyre, ndërkohë që receptuesit janë të qartë se ata e kanë kryer krimin, tek Trebeshina bëhet si një zgjidhje përfundimtare e autorit, ku largimi nuk është gjë tjetër vetëm largim nga e vërteta, që morali i kohёs e vishte si negativ dhe e quante “fe”. Pra, nё qoftё se te klasikёt, ajo çka thonë protagonistët nuk besohet, te “Mekami”, ajo çka thotë autori në fund të veprës vështirë se besohet. Është aftësia e shkrimtarit që spikat në të dyja rastet: të flasë për diçka duke u përpjekur të të bind për të kundërtën.
Gjithë këtë mekanizёm, në shumë raste, e lëviz censura apo autocensura, që gjithsesi është shfaqje e pavetëdijes së shkrimtarit, pavarёsisht nëse ai ёshtё i ndërgjegjshëm pёr kёtё. Në të gjitha rastet, përfundimi që jep Trebeshina, nuk është njё stërmundim, por, përkundrazi, është rrjedhё etiko-estetike e gjithë veprës. Ёshtë një përfundim i vetvetishёm, siç është pothuaj i ndërtuar në mënyrë të vetvetishme i gjithë ky fiction (do të thonim e gjithë letërsia që Trebeshina na ofron) dhe që na bën të na kujtohet sёrish Kafka, shkrimtari më sui generis të shekullit XX, apo Virgina Woolf, shkrimtarja më origjinale e shekullit, sipas shumë studiuesve.
Pёrfundimisht, mund tё themi se vepra e Kasëm Trebeshinёs, del nga kornizat e letërsisë që jemi mësuar zakonisht t’i shikojmë shkrimtarёt shqiptarё të kohës së tij. “Mekami” të kujton shumë nga krijimtaria moderne bashkëkohore, ku diferenca midis llojeve brenda fiction-it është e papërcaktuar.
Kjo vepër e Trebeshinёs shfaqet pak a shumё si roman i ndërtuar mbi dy shtrirje, dy pika kulminante që lidhen duke u shkrirë me njёra-tjetrёn, por që mund të rrinë edhe më vete pa u përjashtuar. Kapërcehen kështu kufijtë ku lëviz përcaktimi i romanit si gjini e veprës. Pa mundur t’ia bëjmë vërtet përcaktimin, këtë vepër të Trebeshinës e klasifikojmë thjesht dhe ndërlikueshëm si fiction, që prezanton një letërsi me vlera të veçanta në letrat bashkëkohore shqiptare. Guxojmё tё themi, edhe pёrtej atyre shqiptare.
Realja, fantastikja, e vёrteta, e besueshmja dhe emocionalja
Raporti i reales me fantastiken (jorealen) në art është një problem, që e ka shqetësuar etikën dhe estetikën që kur lindi gjykimi për artet. Vështirësia e një studiuesi kur gjykon një vepër arti është të bëjë raportin midis asaj që shfaqet si e vërtetë dhe e asaj që shfaqet si jo e tillë. T’i hysh kësaj etike sigurisht do të duhej ndoshta një punim i një karakteri tjetër. Megjithatë ta përjashtosh krejtësisht këtë debat, kur je duke u përpjekur të studiosh Mekamin, është si t’i anashkalosh një problem, që ka shumë hapësira diskutimi te vepra që kemi në referim.
Gjithmonë mendja njerëzore ka bërë një lidhje intuitive midis reales artistike dhe të vërtetës artistike. Duke u kthyer te fiction-i, si një lloj letërsie, ne kemi pranuar si reale gjithçka, që e kemi gjykuar si të vërtetë të shfaqur në realitetin njerёzor dhe natyror.
E vërteta në një fiction është thjesht e vërteta e një historie tё zakonshme, që shfaqet nёpёrmjet njё bote tё sajuar ose jo. “Çfarë është thënë në një tekst, së bashku me informacionet e mëparshme, përbëjnë të vërtetën në një fiction“[7].
E gjitha kjo do të thotë se, megjithëse është pranuar si një trillim i autorit, kjo nuk përjashton idenë që brenda këtij trillimi të mungojë e vërteta, domethёnё ajo, që ne si receptues e pranojmë si reale. Sigurisht qё gjithçka e lëviz ndjesia e besimit dhe bindja qё krijohet pёr tё marrё si tё vёrtetё historinё që rrëfehet. Duke u kthyer te “Mekami”, bëjmë pyetjen:
A mundem unë, si receptues, ta besoj si reale-të vërtetë gjithçka që autori na e rrëfen?
Po ta shikosh me vëmendje Mekamin, vё re se, boshtet kryesore të dy realiteteve që krijohen, e marrin fabulën nga historia e vërtetё e Shqipërisë. Realiteti i parё flet për ngjarje të jetuara në kohën e diktaturës Hoxha, pikërisht për luftën histerike që udhëhoqi e vetmja parti e asaj kohe kundër besimit fetar të të gjitha llojeve. Realiteti i dytë merr shkas nga lufta e Beratit, në kohën e pushtimit turk të Shqipërisë. Kjo gjetje artistike rrit besueshmërinë e tekstit dhe bile shtyn receptuesin ta besojё ngjarjen si një të vërtetë tё padiskutueshme historike.
Nёse do të flitej për njerëz, ngjarje dhe vende që receptuesi as i njihte, as i kishte dëgjuar dhe as i kishte parë ndonjëherë, do të kishte qenё më e vështirë për t’u besuar.
Por si do t’i përgjigjeshim pyetjes të së vёrtetës-reale, domethёnё, si do t’i kishim punёt me besueshmërinë? Sqarojmë se përsa i përket ndjesisë emotive, kjo, pak a shumë, ka të njëjtat ngjyrime kushdo qoftë receptuesi. Domethёnё, habia dhe befasia që ngjall prishja e vendeve tё shenjta, ka të njëjtat vlera tek të gjithë, por besueshmëria nëse ky fakt është vërtet i tillë dhe nёse mua si receptues mё bёn të ndjehem keq, është i diskutueshëm. Ngulshёm duam tё pyesim: A besohet si i vërtetё ky realitet i parë? Po i dyti, që ka të bëjë me një luftë? Së fundi, a besohet si i vërtetë vetë ky fiction? Mund tё ketё disa pёrgjigje “tё ftohta”, por vetёm se “ngrohja” emotive qё pёrjetojmё sikur ngjarja të kish ndodhur vёrtet, na çorienton e nuk na lejon tё kthjellohemi.
Sepse magjia e artit është të provojë te ne emocione të fuqishme, sikur ne të jemi përballё realitetit tё sapondodhur. Ёshtё efekt logjik, jo vetëm psikologjik. Fiction, si një lloj arti ku fantazia e autorit trillon me gjithçka: me vendet, njerëzit apo ngjarjet dhe e fut receptuesin në lojën e tij, aq sa ky e ka gati të pamundur të dallojë ku fillon fantazia e autorit dhe ku mbaron ajo e vetë lexuesit. Është pikërisht kjo që e bën receptuesin, kushdo qoftë ai, të hyjë aq shumë në lojën e veprës, saqë ta ketë gati të pamundur të mos e pranojë të vërtetën e saj, qoftë kjo historike apo metafizike.
Receptuesi i Mekamit (shqiptar apo i huaj) e ka të pamundur të mos e besojë si të vërtetё-reale gjithçka thuhet në të.
Thonё se njerëzit shpesh imagjinojnë çfarë ata njohin si të vërtetë[8]. Këtu, fjalën “imagjinoj” duhet ta kuptojmë si sinonim të fjalës “besoj”. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që të vërtetën e besojmë si tё tillё nëpër librat e tipit fiction. Ndoshta kemi dhёnё kёshtu edhe njё shpjegim tjetёr se pse shumë njerëz fillojnё ta mësojnë historinë, filozofinё apo psikologjinё, duke u nisur nga tekstet letrare. Kaq, pёrsa i pёrket ngjarjeve reale nё fiction.
Por si do të shfaqej ndryshe, nёse do të flisnim për ngjarje joreale, domethёnё fantastike, siç është ajo e lidhjes që i bën Trebeshina Shqiptarit dhe Turkut, apo vetë kohës reale që kthehet gati në ajёr tё padukshёm?
Si mund të besojë receptuesi që personazhe si Shqiptari, i sapozgjuar nga gjumi, takoi një njeri të lashtësisë (një tjetёr personazh, Turkun), në një kohë kur në fillim ishte koha kur jetonte Shqiptari dhe pak nga pak u bё koha kur jetonte Turku?
Kjo ёshtё koha e miteve, e pёrrallave, e ferrit dantesk, e hijes sё atit tё Hamletit. Në këto raste, kemi njё mbarsje tё fantazisё sё autorit.
Fantastikja, si një ndër shoqërueset mё tё lashta të letërsisё, asnjëherë s’ёshtё përjashtuar nga e vërteta, pavarёsisht se, ndryshe nga realja, e ka patur mё të vështirë të jetё e besueshme.
Këtë analizë ne e bëmë në pjesën e parë të punimit, ku dhe pamë se vetëm estetika na ndihmoi të shpjegonim realitetin që krijon ky libёr.
Nё tё njёjtёn rrugё ecёn edhe çdo receptues gjatë leximit të Mekamit dhe kështu jorealja zbërthehet për të ardhur tek e vërteta-reale, që e besojmë si të tillë.
Pra, pyesim: Ato çka shfaqen te “Mekami” janë:
- Shembuj të vërtetë, që janë të tillë edhe në botën ekzistuese?
- Shembuj të vërtetë, që ne si receptues i besojmë të tillë në botën ekzistuese?
- Shembuj të vërtetë, që autori i beson të jenë të tilla në botën ekzistuese?
Kuptohet se jorealja e gjen veten në dy shembujt e fundit.
Pak më parë folëm për besimin që krijohet kur vetё fiction sjell shembuj, që janë të pranueshëm në botën ekzistuese dhe kështu iu përgjigjëm pyetjes së parë, duke shtuar se këtu besimi është pjesë e përvojës që mbart me vete çdo receptues.
Sqaruam edhe pse shpesh receptuesi i beson si të vërteta faktet, ku pёrveç përvojёs informative të mëparshme merret si e mirёqenё edhe forca estetike e vetë veprës, që aktivizon pёrfytyrimin e receptuesit, duke e vënë atë në rol aktiv.
Në rastin e tretë, do të thonim se, për të qenë i vërtetë një fiction, s’ështё e nevojshme nëse autori beson tek ajo që thotë.
Trebeshina, pёr shembull, vërtet beson se prishja e vendeve të shenjta ishte një gabim i madh, por kjo është një e vërtetë e tillё fiction-ale edhe nёse autori s’e beson një gjë të tillë. Autori gjithë kohën beson në ashpërsinё e natyrës shqiptare, por s’mjafton pёr tё thёnё se kjo ёshtё gjithçka tjetёr qё përcakton fatin e vërtetë të shqiptarёve. Të vërtetat-reale në këtë rast i bëjnë të besueshme situatat e tjera të pranishme.
Ky arsyetim qё bёmё deri mё tani, të çon në pёrfundimin se realja, e vërteta dhe e besueshmja bëhen të tilla vetëm kur ato pranohen edhe nga receptuesi. Kjo do të thotë se nuk mund të përjashtohet roli i tij në jetën e një vepre, madje shpesh ky rol bëhet parësor.
Gjithsesi, për të ardhur te realja-e vërtetë apo besimi, duhet të paktën të ketë një pёrqindje nga secili prej shembujve që përmendëm më sipёr.
Kuptohet se do të përbënte rastin ideal po të kishim të sinkronizuar të tre shembujt së bashku. Gjykojmë se te “Mekami” afrohet një situatë e tillë.
Por realja, e vërteta dhe e besueshmja (fiction-ale) është e arrirë edhe sikur të shfaqet vetëm njëri prej dy shembujve të parë.
“Mekami”, klasik apo modern?!
Në një intervistë dhënë nё shtypin shqiptar, Kasëm Trebeshina shprehet: “Unë jam me Sofokliun”[9]. Në të vërtetë, shpesh mendimet e shkrimtarёve për veprën e tyre janë në kundërshtim me atë të kritikës për ta. Në rastin e Trebeshinës vihet re një ndarje si e prerë midis mendimit të kritikës dhe atij të shkrimtarit. Kështu, nëse mendimin e autorit për veprën e tij e njohim pjesërisht, gjykimi i kritikës është se kemi të bëjmë me një krijimtari moderne, bile e kanë e quajtur edhe absurde. Nuk është rasti të ndalemi gjerësisht në këto gjykime, që gjithsesi mbeten vetëm disa të tilla, por është rasti t’i bëjmë pyetjen vetes: “A është “Mekami” edhe një vepër klasike?”
Themi se po, “Mekami” ka karakter klasik. Klasikja në këtë vepër është njëherësh pjesë e estetikës dhe etikës, duke e bërë edhe më komplekse tezën që thamë.
E gjithë vepra është ndërtuar nga dialogё, që të kujtojnë tragjikёt e vjetёr. Duke qenë një shkrimtar që aplikon edhe gjininë dramatike, Trebeshina·e njeh shumë mirë forcën e dialogut, që, i lidhur me monologun e shkurtër, krijon një linjë të vetme, aq sa receptuesi e ka të vështirë të dallojë ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri. Kjo shfaqje është e vështirë të konceptohet si klasike, pasi, duke filluar me tragjikёt e vjetër dhe duke shkuar te ndër më të mëdhenjtë autorë klasikë, si Shakespeare, e kemi gati të pamundur të dallojmë qoftë edhe një rast të vetëm ku dialogёt dhe monologёt ndërthuren natyrshëm për t’u bërë “një”.
Është ky moment që na bën të theksojmë edhe një herë se sa moderne shfaqet proza e Trebeshinёs, që çuditërisht e gjejmё kaq pranё e kaq tё ngjashme me atё tё Franz Kafkёs.
E gjithё struktura e kësaj vepre është e ndërtuar në mënyrë të tillë, që të kujton korin e tragjedive antike dhe skenat që vinin menjëherë pas tij. E kёtu rolin e korit e luajnë ato fragmente, që autori i ka quajtur “kapituj”, ndërsa rolin e ngjarjes, që paralajmëron kori në tragjedinë antike, e titullon “prokapitull”.
Janë pikërisht kapitujt ata që paralajmërojnë në mënyrë filozofike ç’do të tregojë prokapitulli. Në të gjitha rastet, kapitulli shpreh në mënyre lakonike ngjarjen që do të tregojë prokapitulli, e paralajmëron atë ose na përgatit emocionalisht për të shkuar tek ajo.
Ka dhe raste kur fundin e ngjarjes prokapitulli nuk e jep, pasi atë e ka thënë qartë ose në mënyrё filozofike kapitulli (që herë pas here më ngjan me prologun e tragjedive antike). Struktura ku ngrihet si kapitulli dhe prokapitulli, është dialogu. Aq harmoni ka midis dialogёve në kapituj dhe prokapituj, sa e ke gati të vështirë t’i veçosh ata në dy linja.
Megjithatë, nёse te kapitujt, personazhet janë të paidentifikuar, te prokapitujt identifikohen disi. Dhe kur themi disi, kuptojmë që receptuesi e ka sërish të vështirë të përcaktojë kush po flet.
Duket se Trebeshinës i pëlqen kjo fshehtёsi.
Kapitulli i shtatë
– Dashuria është një pemë e madhe që rritet në qiell, por mbështjellë në Tokën tonë merr formën e një shpendre.
– E donin ata të dy njëri-tjetrin?
-Nga ta di unë? Ata u takuan në qiell dhe u nisën Kashtës së Kumtrit për në Kopshtet e Paradizit![10].
Prokapitulli i shtatë
” …Ka kaluar një kohë shumё e gjatë… Vite dhe shekuj kanë rënë në humnerën e kohëve dhe unë gjer më sot e kësaj dite nuk arrij ta kuptoj dashurinë, atë dashurinë e tyre. Ata nuk kishin folur kurrë një fjalë mes tyre, por e donin njëri-tjetrin me një dashuri që nuk ishte e kësaj toke dhe kalimi i kohës e tregoi se ajo ishte tërësisht e vërtetë”[11].
Është për t’u theksuar se Trebeshinës i pëlqen të sjellë në veprën e tij edhe imazhet e subjekteve klasike. Kështu, dashuria midis vëllait të Turkut dhe vajzёs së Spiro Gozos, të kujton pasazhet romantike tek “Eposi i Kreshnikëve” apo platonizmin te “Romeo dhe Zhuljeta”.
Ndërkohë, filozofime të tilla: “…Shumë keq!… Shumë keq! …Nuk është e njerëzishme t’u prishësh gjumin dhe paqen e përjetshme të vdekurve. Gjithë popujt e qytetёruar nuk guxojnё të ndërmarrin një veprim të tillë të urryer…“[12], të kujtojnë klithmat e Antigonës në tragjedinë e Sofokliut. Megjithëse Trebeshinën nga Sofokliu e ndajnë mijёra vjet, tek të dy gjejmë të njëjtin problem: atë të së drejtës hyjnore të të vdekurve për t’u prehur në paqe, si dhe pamoralin e diktaturave që shkelin edhe mbi ligjet supreme dhe të pashkruara njerёzore.
Dihet se kori në teatrin e lashtësisë hyri si një element skenik, pasi në amfiteatret e antikitetit mbushur me mijёra spektatorё, nuk mund të dëgjohej zëri i vetëm i një aktori. Në atë kohë, autorёt tragjikё i njohën korit elemente të tjera estetike dhe etike, midis tё cilave ishte roli prezantues i tij.
Duke marrё nga kori antik këtë element prezantues, shohim se kapitujt Mekami, shfaqen si pёrsiatje filozofike e që të gjithё së bashku do të përbënin një mendim të vetëm filozofik.
Këtu Trebeshina do të ishte sërish pranë modernëve të shekullit të 20-të, që nuk i shqetësojnë problemet e moralit, por ato metafizike.
T’i pranosh kësaj vepre këto shtjellime, do të thotë të pranosh një strukturё të re për Mekamin, ku s’do të mund të flitnim më për dy realitete, por për njëmbëdhjetë të tilla, të gjitha me njëmbëdhjetë shtjellime (që janë kapitujt) dhe njëmbëdhjetë zhvillime filozofike dhe pika kulminante që i gjejmë te prokapitujt.
Do të pranonim vetëm një zgjidhje, sërish filozofike dhe që e gjejmë te pjesa e fundit, “Antihistoria” dhe që neve si receptues na ngjason me epilogun e veprave të antikitetit.
Ndërkohë do të kishim përsëri letërsi të tipit fiction, por që këtë herë është shumë afër edhe për nga struktura me aktet në tragjeditë antike. Që “Mekami” ka shumë të përbashkëta me gjininë dramatike, kjo duket që në fillim të strukturës.
Si përfundim, mund të thonim se të pranosh qё Kasëm Trebeshina është shkrimtar modern nuk do të thotë se përjashton faktin se ai shfaqet edhe si klasik, sidomos po të kihet parasysh se modernët e kanë prezantuar veten gjithmonë nёpёrmjet eksperimentimeve të formave dhe subjekteve klasike.
Këtë bën Trebeshina në gjithë krijimtarinё e tij, duke qënë kështu klasik dhe modern njëherёsh.
Në vend të hapjes:
“Gurri i varrit është më i rëndë se vetë Atdheu. . . “
Kasëm Trebeshina, “Mekami”, 1978
[1] Bëhet krahasimi i Trebeshinës me shkrimtarin rus të shekullit XX, sepse edhe Trebeshina, mё 1953-shin, i dërgon letër të hapur diktatorit komunist Hoxha, sikundёr Solženicyn më 1967-n (5 qershor), boton në “New York Times” një letër të hapur për shtetin komunist të Bashkimit Sovjetik. Kalvari që i ndoqi tё dy është i njohur.
[2] Bisedë private e autores me Kasëm Trebeshinën, më 18 dhjetor 1995.
[3] Regjimi komunist u vendos mё 1944-n dhe u rrёzua mё 1991-shin, kur u mbajtёn pёr tё herё tё parё zgjedhjet shumёpartiake nё Shqipёrinё Socialiste. Kёto janё parulla “cliché” tё pёrdorura nga ky regjim diktatorial, pёr t’i bёrё shpëlarje truri masёs sё popullit.
[4] Po aty, fq. 11
[5] Trebeshina K. (1978), “Mekami”. Shtёpia botuese “Buzuku”, Prishtinё, 1994, fq. 44
[6] Lavagetto, Frojdi, letёrsia dhe tjetёr (Freud, la letteratura e altro), kapitulli: Pёr njё teori tё censurёs (Per una teoria della censura). “Einaudi”, Torino, 1985. fq.313.
[7] Gregory Currie, Natyra e fictionit (The nature of Fiction), Cambridge, 1990. fq.70.
[8] Christopher New. Gazeta angleze e estetikёs (British Journal of Aesthetics). Nr.2. 1996.
[9] Mendime të Kasëm Trebeshinës në gazetën Koha jonё, 1996.
[10] Trebeshina K. (1978), Mekami. Shtёpia botuese “Buzuku”, Prishtinё, 1994, fq. 57.
[11] Po aty, fq. 66.
[12] Po aty, fq. 19.
(Studimi i plotë është përfshirë në librin “Letërsia në psikanalizën e Frojdit dhe dilemat ekzistenciale”)