Me shpirt e mendje te e bukura u prarua me bukurina
Lasgush Poradeci
Fashitje. Qetësim. Fashitje, qetësi. Faqe e kaltër.
Liqeni fsheh veten në thellësi. Ka frikë
Mos i ngjyen kush duart në zemrën
E tij të mbyllur, vetëm për pak në atë,
krahun e prehërimit. Fshehtësitë ja do
Gjerësia. Hapësira ledhtas i vë hirësinë.
Agim i bardhë. Krahërori avullon.
Drita përvidhet nëpër kurorat buzë tij,
Që vjeshta ka zënë t’i kreh me krehrin
E verdhë si ari. Si mbarimi. Dhe bie
Mbi trupin e tij të zgjuar bashkë me
Sytë e ditës së hershme. Do të jetë?
Do të jetë me joshësinë më të rrallë?
Kur e puth agun me qetësim, nata
S’ia turbullon damarët. Buza e tij
Gjithë e përreth kuqëlon. Kuqëlon.
Dielli me fije rrezesh ia pret buzët.
Po kuqëlimi është më i thellë. Më i mbyllët.
Është gjak. Gjak i një plage të rëndë.
Gjaku i derdhur është i tmerrshëm,
E më i tmerrshëm kur s’ia di vijën.
Lundra më shpie nëpër buzët e tij,
E diku kuqëlimi shtohet. Më i ndezur.
Dënesje. Djersitje. Mundim. Përpëlitje.
Rrënqethje. Ngritje. Rrëzim. Ngulshitje.
Frymë e ngrohtë përshtjell trupin.
Frymë e orës së fundit kundërmon.
Frymë që edhe pak e do ta lërë të ngrirë
Me sy të ngulitur te një pikë
Pa ndalur dënesje. Këlthitje.
Bari i përgjakur. Gërrithje nëpër të.
Mbahet. Do ta nxjerrë. Ta hudhë në
Ujë, me të, me gjakun. Gjethet.
Verdhë e kuq. Zbukuruar ndofta?
Shpendi i bardhë rritet ndër sy.
Fshihen sytë me dorën e vesuar,
Mos po shohin keq. Zmadhohen më tepër.
Në ta ai rritet. Më i madh. Syri, shpend.
Shpend i bardhë. Shpend me gji të kuq.
S’i lëshohen sytë bardhësisë me gjak.
Le të përgjaket e nxira, le të lahet.
Bardhësia vetë lind e shpëlarë.
Shtangimi para këtij mundimi,
Nësa ngrohtësia nxehet, vëlon.
Sqepin, dorën, e fut thellë më vete
E përgjaket edhe me sy, edhe me gji
Në kullim të vijave purpurore.
Nuk pushon. Nuk e ndërpret. Nxjerr,
Nxjerr, e para tij presin. Nxjerr
E qet copa të kuqe. Gojët hapen.
I mbush. I mbush plot. Ua jep.
Përsëri,
Dhe përsëri
Psherëtimë,
Vetëm psherëtimë.
Vetëm çapëritje të lodhura,
Shtrirje –
Lehtësimi të mbramë.
Çapëlyerje sysh
Me gojë të hapur. S’i del fjala.
I zënë. I ngrirë me gjak.
Ta dinë, ta dinë, ta dinë
Përse e ndërroi ngjyrën.
Andej, ku e ka dorën
Çirret –
Dhemshuria:
“Me zjarr ju flas…, me zjarr”.
Dhe shtrihet i përgjakur nëpër bar,
Pse flet kështu? Me kë të ngjarë?
Prej nga zjarri në gjuhën e tij
Ç’është ai shpend i prehur?
Përse gjëllin. Përse dënes në gjak i larë?
Dhe, po, ky është Nositi. Yni. Yni
Dhe i Liqenit.
Nositi, Njeriu, që vetë ther veten:
“Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë edhe t’ja marr… ”
Që u jep shpresë të vetëve.
Të rrallë janë ata që hapin varr më vete.
I plagosur me dorë të vet. Sepse e
Do vajtjen e mirë. Mirësinë.
Ndien. Dëgjon këtë. Liqeni ngrihet më këmbë.
Valë rrahin me tërbim.
Shkumëzim. Përplasje. Faqe
E ujit do të lajë gjakun,
Nuk e lë të fashitur –
Gjaku sjell turbullime,
Zhdukje, mungime,
Ngritje, shkujime:
Mbytje
Në këputje. Filli i valëve. Liqeni i tërbuar,
Nositi, i biri, lufton me vdekjen,
Lufton të lërë pas vetes jetën,
Farën që do të jetë po ai vetë.
Dhuroje shpirtin për të tjerët –
Do të jetosh pastaj me ta.
Liqeni i çmendur tundet në gjak
Nositi, vrushkullon,
Edhe më varrin e thellon.
Duhet nxjerrë gjithçka nga vetja,
Se ajo që vjen pas do gjëllim
E nëse s’ia jep të pagëzon fajtor.
E ka shumë. I ka të bukura. Të mira,
Të këndshme sa gjithë i ke për mall, se
Me mendje te e bukura u prarua me bukurinë.
S’deshi t’ia japin pagëzimin e keq,
E kujtoi herët. Nuk po dihet, por
Atë që e rriti do të flasë gjithmonë,
Do të flasin për të, për njerëzinë e tij:
Bukuria.
“Bukuri! Tmerisht e dashur, llaftari! Tmerisht e bukur”.
Ylli.
“Del nga zemra një yll”.
Dashuria.
“Se s’dashuronja – as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija. ”
Lulja.
“Ju lule q ’u leu parëvera.”
Gazi.
“Pas çdo gazi-e hidhërimi Mbetet pas vetëm kujtimi.
Ah! Dh’ i shkreti mallëngjimi”.
Malli.
“Len e vjen e zgjen e bren ”
Malli mallin më s ‘e gjen…”
Loti.
“Ç’pruri kënga mendimtare
Me çdo varg prej pika lot.”
Qielli.
“Dyke sbritur që nga qielli përmi fshat po bëhet fir…”
Njeriu.
“Ç’ke që vuan, o njeri?”
Mërgimi.
“Përmbytem me mall në mërgim.”
Djalëria.
“Djalëri, heu! Yll i ri!
Djalëri, këng’e shëndetit!”
Të gjithat me një gjuhë. Të gjithat
Me rrjedhën e shpërlarë të
Fjalës së ëmbël e përkëdheltare,
Që me zbukurim mbjell fytyrën,
Marr nga trualli. Të ndier me zemër,
Të rritura me mend, e përsëri
Me dashuri mbjell në truall,
Mbarësisht të mbëltuara për njeriun,
Për të mbarët në rritje të hovshme,
Se një mendim këtë ma kujton:
“Poezia është jetë”. Dhe jetë e
Mori përgjithmonë sa e foli
E në kopshtin e saj nuk mund
Të jetojnë të lumtur ata që
Nuk i japin atë që e ndryn,
E pak ka jetësorë të saj.
Jeta nuk e bëri fatmjerë,
S’lindi të jetë kështu.
E deshi këngën fort.
Me dashuri për të shpesh u errësua,
Ndaj s’është fatmjerë,
E rënkimet s’i ka të kota.
Sa dhe këngës ja dhuroi jetën.
Edhe. Gjithnjë thellon varrin.
I derdhet buza në gaz. I lumtur.
I pastër si zëmbak. Edhe kullon gjak.
Nuk njolloset i pastërti. Flet.
Vetëm të pastërtit të flasin,
Atyre duhet pasur besimin. Pa
S’mashtrojnë. S’gënjejnë. Me të vërtetën
Pastrohen gjithmonë. Përherë. Kudo.
Ndrisin me bardhësi, gjallë e vdekur,
Ndrisin çdo gjë që kanë pranë
Dhe syri u shikon larg e larg,
E i ndieshin është, po, më i ngrohtë,
Armiku i tij, po, më i ftohtë.
Nositi në përpëlitje të përpëlitjeve
Me zë të këndellur për çastin e mbramë:
“Pa nis, ah! Gjirin ta godas…
Dhe’e hap ah! Gjirin me një ças…
Dh’i nginj ah! Zoqtë – vdes me gas!…
Dhe, çdo e rënë, del e mbledh me një “ah”!
Që do të ruhet e do të mbruhet me tërbim
Dhe çdo e rënë. Helmon. Vret. Thërret.
Shqetësim. Buçitje. Lemeritje për
Dashurinë e madhe. Për dashurinë nositiane,
Sa tundet. Shkundet me fuqinë e fundme,
E më e fortë se shumë e shumë fuqi.
Në gjiret e Liqenit. Në gjiret e jetës:
Gjeniu i anijes “Hepohet… anohet… valon.”
Nuk bjen kurrë poshtë. Nuk thyhet e prore
Qëndron në lartësi. Krahët i hap vetë.
Flamuri mbi lundër “Valon lirisht si shpirti i let”
Nositi “Më thotë ah! Sesa sht’i fellë
Ky gjir’ i em që të pat pjellë…”
Lënë atë që e dashuruan. E ftuan,
Të gjithëve u dualën ndër sy.
T’i kenë Përherë e kudo nëpër jetë. Me veten.
Në këtë orë. Ndërrohet gjithë rreth tij
I shtrirë. Dridhet me ngjethjet e vona.
Vuajtje e një dite. Vuajtje e jetës.
Mundim. Dërmim e plasje e paprerë.
Bari i përgjakur. Kuqëlimi i mbrëmjes.
Liqeni i tundshëm fashitet me mundim.
Nositi e dha të veten, poeti i gjallë.
“ …Me zjarr ju flas, me zjarr.”
Kështu flet ai me zemër të madhe,
Me shpirt derdh për gjindjen fjalën –
Ar.
Liqeni. Mjellmat. Gjaku i Nositit.
Në tërbime e qetësime të jetësimit
Valën s’e ndal. Muzgu drithëron
Në gatitje të rrëmbejë kuqëlimin,
Nësa poeti është fshehtësi e madhe
Lë pas të veten gjithmonë ndritësore,
E vërshëllin, “Po sulmën s ’e ndal kursesi”.
Më mbin. Valëvit hirësim i njomësisë,
Pikëllimi im, pikëllimi im i fuqisë.








