Press "Enter" to skip to content

Më parë qe plagë – Cikël poetik

Më parë qe plagë

që lindi gjak, lindi rrjedhë, lindi vështrim
lindi zë, lindi marri, lindi tokë
lindi rrenë, lindi largim, lindi rrymë
lindi epokë

ëndërr e dikujt tjetër, që ngjante mrekullisht me
plagën tënde
larg; kaq pranë, botë e hapur dhe e errët
që mbërriti herët; që kaq shumë qe vonuar

Odise/Circe

Nëna ime është emigrante
ruan në mendje sajimin
e një poezie
që mbërrin përherë shumë vonë
unë thotë jam pjesa e mbetur e sajimit
që ende s’u sendërtua
por nëse ndonjëherë do t’ia beh si krijim
nëna thotë që do të jem poezi
krisje në dëshpërimin e saj
por ndoshta atëherë s’do të kem asnjë
vlefshmëri tjetër
pasi zakonisht poezitë në asgjë
s’vlejnë veçse
shërbejnë si ledhe të përkohshme
në një – tash të tejkaluar –
përplasje çastësore me vetveten
nëna thotë që
do detyrohem të vras nënën
përderisa duke fshirë poetin
del në pah poezia
thotë gjithashtu
se poezia e vërtetë s’pati ekzistuar kurrë
thjesht, duke shkruar këto fjalë
mësoj si të ravijëzoj
kundërshtarin sfidues
të përplasjeve të mia sfilitëse
nëna thotë, ky
është ushtrim i mirë
që të ndajmë rolet
ajo mos të
më thërrasë më Circe
dhe unë mos ta thërras më Odise

Mina

Ëndërr gruaja me arterie të prera
Danubi që do të sillte pas babanë
shembja e Murit në trëndafilat e tu
të nusërisë
Ëndërr shpirti që u gufua si tullumbace
gjersa fshehu diellin

Ëndërr që do të vija në jetë nga gjaku
i duarve të tua
burri që humbi në themelet e ujëta të dy qytetërimeve
fantazma me fustan nusërie që u var në Mur
Ëndërr drita që u lartësua mbi caqet
e arritshme
dhe qëndroi atje e largët nga epokat
të ndriçojë fundin e historisë

Ëndërr ish fryma jote mbi minat e vogla
pranverore

E vërteta e saj në çdo sekondë

Nëna ime një grua e çfarëdoshme
që u arratis nga mbretëria e Trojës
një grua e çfarëdoshme që u arratis
nga mbretëria e Danimarkës
nëna ime u arratis nga mbretëria e Francës

u plagos në luftën civile të Austrisë
u burgos në luftën civile të Spanjës
u vra në luftën civile të Ukrainës
nëna ime

ishte Eleni, Ofelia, Maria Antoneta,
Terezia, Aragonia, Oksana, Circja, Penelopa,
Penthesilia, Lefkothea
nëna ime

ndjek rrethet e gjakut të paraardhësve
kërkon pjesën e saj në botë
përshkon e vdekur kthinat e Birkenaut

asnjë rol s’iu dha sot në mbrëmje
një grua e çfarëdoshme nëna ime
emri i saj është Viktoria

Kënd lojërash

Shiu solli hi
mbërriti si vel
e shkuar e hirtë
varret ndër vite të hapura
të shqyera

shpirt i vogël i këndellur endacak 
i huaj dhe bashkudhëtar i trupit tim 

të vdekur, duke mbajtur frymën
me përdëllim për gjithsecilin
ndajnë mallra mes tyre
në kufirin e mbramë të kohës
shkëmbejnë të reja, nëpër mbledhje gazeta

shpirtrat e tyre shpupuritur në ajër
flamuj të ngulitur në kockat ngurruese
valëviten tek përplasen dyert e këndit të lojërave

në heshtjen e varreve natën
kockat kthehen pas në mish
projektorët ndriçojnë trupat e qepur
korbat ngjiten mbi
mermerët vezullues

të vdekurit i duan poezitë
vishen ushtarë, kërkojnë gjuhë
hapin ekranet e qiellit
ngjishen rreth kristalit të borës

mundimshëm kryhet qarkullimi
brenda kaq luftërave

Përktheu nga greqishtja: Eleana Zhako

Jorgas Alisanoglu (Γιώργος Αλισανογλου) ka lindur në vitin 1975 në Kavala. Poet, përkthyes, botues. Ai u diplomua në Sociologji dhe Shkenca Politike dhe ka një diplomë Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politika Sociale. Jeton në Selanik. Në vitin 2005 themeloi shtëpinë botuese “Saixpirikon”. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, janë botuar në antologji ndërkombëtare dhe autori ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ngjarje në Greqi dhe jashtë saj.

(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2022, në print. E gjeni në “Art’s Librari”, Tiranë, në Amazon etj)

Autori
Jorgos Alisanoglu
Autori
Eleana Zhako