Press "Enter" to skip to content

Ëndrra që shëtit qytetit

Mark SimoniIsha krejt i sigurt se atë grua të bukur e pata takuar një herë në qiell, në një stacion të braktisur, rrethuar me mjegull e re të frikshme. Më qe afruar dhe më pati thënë se më shihte çdo mbrëmje në ëndërr, pastaj, duke më lënë një puthje të ngrohtë, pati ikur nëpër një rrugicë të çuditshme, tri-katër metra anash qiellit.
Dhe pas aq kohësh e pashë prapë fytyrën e saj, por tashti në kopertinën e gazetës më të madhe të qytetit, shoqëruar nga një shkrim, ku thuhej se kjo grua shihte ëndrra të çuditshme.

(Madje diku përmendej emri im, po, po, bash emir im, gruaja më shikonte në ato ëndërra pikërisht mua dhe askënd tjetër.) U tremba, mos qe ndonjë mallkim?
E kishin ndryrë në një çmendinë diku në periferi, në një spital të zymtë, të vjetër e të rrënuar. E patën lidhur me këmishën e forcës dhe vënë përballë një muri të ftohtë, memec, të bardhë e bosh.
U kërkova autoriteteve të spitalit që ta takoja, aq më tepër që në të gjitha kartelat e shpjegimeve të ëndrrave të saj përmendesha unë. E gjeta të kruspulluar në qosh të dhomës, dhe mbërritja ime jo vetëm nuk e çeli, por e bëri të mblidhej më tepër, të skutlohej e të bëhej sa një grusht. Mërmëriste me vete, sikur po thoshte rruzare apo psallme nga liturgjitë e vjetra. Pasi mbaroi, m’u drejtua e më tha gati me kërcënim se nuk qe aspak e çmendur, por e kishin dërguar fare kot në atë spital. Heshti e ndenjti gjatë, pastaj më tregoi se ajo puna e ëndrrës ishte e vërtetë dhe jo shkallim imi, as lajthitje e çmendim. Thuaju dhe ti për të, tregojua ëndrrën time, që të mos më lënë më në këtë vend të mallkuar.
Kur e pa se nuk e kapa dot fillin, dhe s’e kuptova përse bëhej fjalë, m’u afrua ashtu rrëshqanëthi dhe m’i nguli sytë e saj të tërbuar, tashmë të mbushur tej e mbanë me trishtim. M’i tregoi fill e për pe ëndërrat e saj, që s’qenë tjetër veçse rrugëtimet e mija të çuditshme netëve mbi qytet. Madje, ajo më tregonte detaje që unë i pata harruar.
Prej shumë kohësh unë kisha qënë realiteti i ëndërrave të saj .

* * *
Dalngadalë, po më kujtohej se diku andej pas mesit të natës, sapo më zinte gjumi, e ndjeja se trupi im bëhej fare i lehtë dhe ngrihej në ajër, deri pranë tavanit, pastaj nga një dorë e padukshme hapej dritarja dhe unë dilja, si duke lundruar në ajrin e zi të natës dhe vërtitesha mbi shtëpitë e qytetit, mbi rrugë e parqe. Deri lart ngjiteshin zhurmat e rënda dhe jehonat e mbytura. Valë-valë, ngadalë e me ngulm. Valloja shtigjeve të ajrit, bri resh e mjegullash. Qyteti bëhej i vogël dhe shtëpitë përherë e më piciruke. Pastaj zbrisja e bridhja buzë dritareve, nga ku dalloheshin njerëzit që flinin, bënin dashuri, shamatë apo shtrirë në gjumë të rëndë, të rrethuar prej muresh e orendish. Poshtë gërvimat e makinave të pastrimit, semaforët e përgjumur, ndonjë sirenë urgjence, të shara magjypësh që ziheshin për kazanët e mbeturinave, njerëz që ktheheshin nga darka e dashuri të vona. Lodroja pafund, mbi tarraca pallatesh të vjetra, mbi kishëzat e vogla dhe këmbanaret e tyre, mbi shtëpi me tjegulla të errëta, mbi çdo gjë, i dehur nga hareja, nga frika dhe habia. Poshtë, magjypët dilnin nga kinemaja e vjetër, duke kënduar këngë filmash po kaq të vjetër. Të tjerë ktheheshin nga kënetat me tufën e pulëzave të vrara, ca gjuanin peshk në breg të lumit, ndonjë i dehur mallkonte mejhanen nga ku sapo kishte dalë dhe i turrej derës së mejhanes përbri, diku kishte ndonjë mort dhe vaji e tymi i oxhakut të asaj shtëpie ngjitej deri lart, I hollë dhe i mbytur.
Kurrësesi nuk mund të rrëzohesha mbi qytet, në humnerën e tij të çuditshme. Trupin e ndjeja se ma mbante diçka e fshehtë, tamam ashtu siç mbërthen prindi fëmijën e vogël, kur luan me të hidh e prit drejt tavanit të shtëpisë. E ndjeja në brinjë mbajtjen.
– Përherë kisha hallin se mos dikush , ndonjë zë, ndonjë rropamë apo dhimbje ma prishte gjumin, e atëherë ëndrra ime të lëshonte ty pa mëshirë nga atje lart, mbi rrugë, mbi lumë, mbi ndonjë shtëpi apo antenë. Ky ankth më ka mbajtur gjatë, ndërsa ti lodroje skutave të qiellit, mbi ne, mbi dhomën e krevatin tim. O Zot, sa kam dashur që të mos e shihja atë ëndërr, vetëm e vetëm që ty të mos të të ndodhte gjë e keqe, por sa më shumë dëshiroja që ëndrra të mos më shfaqej, aq më tepër më gllabëronte.
Çdo gjë që shihja unë në ëndërr, ndodhte me të vertetë me ty. Këtë ua thashë mjekëve, dhe ato më sollën këtu. Ti më mirë se kushdo e di të vërtetën, thuaju atyre, dua të dal nga ku kam rënë.
Mjekët dëgjuan gjatë rrëfimin tim, mbajtën ca shënime në një kartelë dhe vetëm në të rrallë bënin më ndonjë pyetje. U thashë se gruaja e bukur, që dergjej në njërën nga dhomat e pavionit, jo vetëm nuk qe e çmendur, por përkundrazi kishte një shqisë më tepër se të gjithë ne që ishim aty. Shpjegova gjatë se unë kisha qënë vërtet realiteti, që ëndërrat e saj i bënte të ndryshme nga ëndërrat që shihnin të tjerët.
Kur mbarova, në derë u shfaq magazinieri i spitalit, që kishte sjellë një këmishë të re force.

Pages: 1 2

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *