Press "Enter" to skip to content

Krahu i këputur

Kisha disa ditë që nuk ndihesha e qetë. Nuk më zinte vendi vënd. Parandjeja ardhjen e një oguri të keq.
Atë ditë im shoq kishte prerë bileta për në kinema, gjë që ndodhte rallë. Pikërisht atë ditë, gazetat jepnin lajmin me shkronja të dukshme për vrasjen e tradhëtarit Pal Melyshi. Unë nuk dija asgjë, sepse Muka atë ditë nuk e solli gazetën në shtëpi, siç bënte çdo ditë. Në të kundërt, më tha që do të shkojmë në kinema dhe bashkë me ne do të vinte edhe vëllai i tij më i vogël, Hamiti. Ndërsa kishim zënë karriget tona dhe prisnim të fillonte filmi, një radhë para nesh një kuadër vlonjat kishte hapur gazetën në të dy faqet e saj dhe po lexonte lajmin për vrasjen e Palit. Nuk e harrova kurrë atë moment. Duhet të ketë qënë 13 prill, 1950, pasi Pali qe vrarë një ditë më parë. Kunati që e pa gazetën të hapur në të dy krahët, i tha:
-A mund ta palosësh atë gazetë, shoku Refik? Quhej Refik Xhelili.
-Ja, sa ta mbaroj këtë paragraf, se është interesant,-tha ai dhe ktheu kokën pas. Atëherë e kuptoi se motra e tradhëtarit Pal Melyshi ishte një radhë me lart, pas shpinës së tij, dhe lajmin e vrasjes së vëllait po e merrte prej tij, në kinemanë e Vlorës. I zënë ngushtë, Refiku na kërkoi të falur.
-Ore, këta Xhelilajt e Dushkarakut janë edhe mëndjemëdhenj!- tha kunati.
Lajmi që Pali u vra si tradhëtar më ra në kokë si bombë. Isha e rrethuar nga komunistë e nuk guxoja të pyesja askënd për më gjatë. Kisha akumuluar aq shumë sa doja të shpërtheja në vaj. Lotët u bënë rituali im i përditshëm. Qaja çdo kohë, sa herë mbetesha vetëm. Lotët e mia ishin bërë një liqen me rathë e sikur do të më përpinin në fund të tij. Nuk mund ta besoja kurrë që Pali kishte mohuar idealin e vet. Muka më ndiqte me sy në çdo lëvizje. M’u duk vetja jetime. Ndjeja nevojën e një vetëpërmbajtje e fortë dhe e vendosur për të qëndruar mbi ujë. S’më ndahesh nga mendja endëra që kisha parë ato ditë. Sikur më qe këputur krahu i djathtë, e unë përpiqesha ta ngjisja me pe.
-Lëre, o Marie, sikur më tha dikush,- nuk ngjitet krahu me pe.
Pali që krahu im i djathtë, që e humba përgjithmonë.
* * *
Ditët kalonin njëra më e zezë se tjetra. Midis meje dhe bashkëshortit qe hapur një hon i madh në mes.
Ai përpiqej të hante heshtjen me dhëmbë, por të vetëpërmbajturit ishte shumë i vështirë për të. Kur dallga e mërzisë dhe helmit u bë mal, ai u zbraz:
-Ma nxive jetën, ma nxive! E ke të gjithë rrethin familjar të përlyer me armikun!
Unë nuk flisja. Ndryshe nga ai, njerëzit e tij ishin bërë si mure mbrojtëse për mua.
Ata më donin dhe kjo më mbante gjallë. Asnjëherë nuk ma zinin në gojë familjen vetëm që të mos më lëndonin. Një ditë i vëllai, Hamiti, i tha:
-Ti nuk e meriton Marien! Ajo është fisnike dhe shumë po të duron. Lëre rehat, se e ke tepëruar!
Ai e pa të vëllanë me inat dhe iu kthye:
-Punët e mia i di vetë!
-Pa më thuaj një çikë, ç’të ka bërë?
-Asgjë! Por është reaksionare! Çfarë tjetër duhet të më bëjë?
Unë mësova të hesht. Më qe coptuar zëmra.

(Shkëputur nga libri “Bota me një sy”. Përgatiti për botim Albana Melyshi Lifschin)

Autori
Marie Melyshi

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *