Dridhem kur kujtoj
Se s’vjen tjetër
Ishe ditënata ime…
Fjalët e pathëna
Pengu im i mbetur
Ku thyej qafën…
Hëna e verdhë
Llambë shprese
E shuajnë retë…
Krishtlindje pa borë
Mungesën tënde
Dalloj tek bredhi…
Zogjtë mbi troha buke
Pas pak bie borë
Ata ndjellës…
Veriu ulërin
Ujk çartur urie
A mos jam preja?!…
Buzët e saj,
Dy shina
Kurrë paralele…
Shkon tehut të ujit
Thyen dhimbjen e saj
Pulëbardha…
Mbetur në shtrat
Pelerina jote
Shiu vizaton trajtat…
Gjinjtë e kërcyer
Shqyejnë pëlhurën
Pisket liria…
Dashni pa zë’
Ulurimat bien
Si gjethe lisi…
Skaj më skaj
Lumi fuqiplotë
Si kalë i hazdisur…
Borë e verdhë
Poleni njollos
Pikturë e Gojas…
Sa herë jam thyer
Copra qelqesh
Ditët e mia…
Jetoj gjysmëjetë
Tjetrën e ke ti
Mykur në kuti…
Ku-ku-ku
Qyqja mbrrini
U sos vera…
Mbi lisin e nëmur
Nëm ditët e veta
Qyqja e vetme…
Ka lëshuar flokët
Përfshihem krejt
Në mjegull të artë…
Ti më puth
Parfum i vyer
Ruan kujtimin…
Shi pafund
Qershitë qajnë
Diellin e humbur…
Gjysmëhënë pa ty
Tjetrën e shqyen
Qentë e pangimë…
Nën një gjethe blini
Pi ujë buzë më buzë
Me një gjarpër…
Ditën e puthjes
U puthën të gjithë
Lëpij buzët…
Kindet e fundit tënd
Palojnë erën
Fryn në mua…
Frymën ma ndal
Dashnia jote
Breshër fundvere…
Prej kur s’jemi bashkë
Fishkëllej malit
Si zog bjeshke…
Litarët e shiut
Po mbysin hënën
Në pellgun e muzgut…
Ngashërehem
Kur pëllumbi soset
Në pellgun pa ujë…
Gjinkallat e zhegut
Molisën ditën
E harbuar…
Kali i vrarë
Në sytë e pambyllur
Po agonte dita…
Një qyqe përcjell
Zhegun tronditës
Në kokrra shiu…
Nemitet dita
Marrëmendet shtatzëna
Praglindjes…
Breshri
Shkoklon rrushin
Lot të papjekur…
Hija e babës
Frymon mureve
Të shtëpisë…
Gjethe ahu mbi ujë
Zogu e përdor
Si varkë…
Buzët të mbeten
Bri gotës harruar
Druaj krisjen e saj…
Mjedrat e thara
Mbi buzët e tua
Ngrirë buzëkuqi…
Rrokaqiell
Qenia jote
Marrëmend…
Këtë natë acari
Loti i lypsarit
Ma thyen zemrën…






