Press "Enter" to skip to content

Lamtumira e poetit

“Nesër kur të mos jem
Monumenti i të vdekurve
Do të jetë shumë krenar për të vdekurit e vet…”

Lamtumira e poetit ishte e denjë si ajo e një heroi, e bukur dhe epike, me një përshëndetje të gjatë, si të donte të thoshte: njerëz, sa shumë ju dua, sa shumë do më mungoni! Ai sapo kishte ngadhënjyer mbi betejat e tij të fundit me një sëmundje vdekjeprurëse dhe të paralajmëruar. Siç do të shkruante shkrimtari dhe anëtari i “Akademisë Goncourt”, François Nourissier për ikjen e poetit: “Bosquet iu afrua pragut të fundit të jetës së vet ashtu siç e ëndërrojmë të gjithë: penën në dorë, makinën e shkrimit pranë vetes dhe librat e hapur mbi krevat. Ai iku siç ikën Molière apo Louis Juvet, duke luajtur mbi skenë…”.
Disa herë e kërkova Bosquet në telefon muajt e fundit të jetës së tij. Bisedova dhe i propozova rektorit të universitetit të Tiranës që për gjithë atë përkushtim për Shqipërinë, për kaq vite me radhë, Bosquet të shpallej “Doctor Honoris Causa” i universitetit të Tiranës. Profesorët shqiptarë menjëherë u entuziazmuan për një titull të tillë për Bosquet. Padyshim, një nder i veçantë. Madje, në një letër që më shkruajti Bosquet, ndër të tjera më thoshte: “Me një entuziazëm e mirënjohje pranoj të bëhem “Doctor Honoris Causa” i universitetit shqiptar: do të jetë një nder dhe një gëzim i pashoq. Por një problem qëndron para nesh, ajo e zhvillimit të ceremonisë. Për momentin unë nuk mund të lëviz dhe nuk e mendoj një përmirësim të afërt të gjendjes…”. Ai ishte i ndërgjegjshëm për gjendjen e tij tragjike, ashtu siç shkruante edhe në një vjershë, pak kohë më parë:
“Gjithçka është gati / Po iki të vdes larg meje…”.
Të nesërmen e ikjes së tij, në “Figaro”, në gazetën e tij të dashur, lexova artikullin e kritikut André Brincourt, i cili, ndër të tjera, shkruante: “Askush më mirë se ky shkrimtar, jeta e të cilit përfshin pothuaj një shekull të tërë, nuk diti të vendoset në qendër të një universi kulturash e sensibilitetesh njerëzore”. Jack Decker shkruante në “Le Soir” se ky shkrimtar i madh la pas një zbrazëtirë të tmerrshme. Në shtypin francez u shkruajt me admirim për “këtë njeri të kultivuar, shumë fin, poliglot e provokator, lexues i apasionuar, që gjer në fund të jetës kërkoi të zbulonte talente të reja…”. Më pas, duke folur për Bosquet, të gjithë gazetarët, kritikët, shkrimtarët dhe politikanët shprehën admirimin e tyre.
Ditë më vonë Norma, e shoqja, do të më thoshte: “Ai nuk mundi të rezistonte më. E kuptoi se nuk kishte kuptim të jetonte ende. ‘Erdhi koha të shkoj’, – më tha një ditë. Ato kohë as nuk mund të fliste. Gryka i ishte tharë dhe ndjente shumë dhimbje. Për më shumë se një muaj e kaluam në klinikë. Trupi filloi t’i ftohej. Një mëngjes, sapo u ktheva përsëri në dhomë, e gjeta në gjumë. Kishte vdekur.”.
Një nga principet e këtij artisti, “autor i një ushtrie të tërë librash”, siç e quante shkrimtari Sabatier, ishte liria e shkrimtarit: “Shkrimtari – shkruante Bosquet – duhet të mbetet i lirë. Nëse ai bën pjesë në një kryqëzatë letrare, gabohet. Kafka, Prusti dhe Bulgakovi nuk janë marrë me politikë. Bosquet, president i “Academie Mallarmé”, drejtor letrar i botimeve të “Calman-Levy” dhe anëtar i jurisë së çmimit letrar “Renaudot”, ishte një artist që la gjurmë në letërsinë franceze të këtij gjysmëshekulli. Përmbledhja voluminoze poetike e botuar nga “Gallimard”, botuar më 1996-n, “Nuk jam poet i ujërave të ëmbla”, dëshmon për konceptin e veçantë poetik të këtij poeti. Kritiku Dobzynski e quan ndryshe “zhytës i ujërave të thella” në detin e gjerë të poezisë; Sabatier e quan ”regjent të cikloneve” edhe pse Bosquet pëlqente ta quante veten “capitaine de l’absurde” apo “gardien des rosées; Renard, në “Magazine littéraire”, shkruan për “një lloj Viktor Hugo, për nga forca krijuese”. Për vite me radhë kisha lexuar me endje shkrimet e tij për romanet e Kadaresë apo për letërsinë shqiptare. Madje me kohë kisha mbledhur një seri të shumtë shkrimesh kritike të viteve ‘70-‘80, ku habiteshe me përkushtimin e tij ndaj letërsisë shqiptare dhe historisë së shqiptarëve. Shtëpia e tij ishte gjithnjë një portë e hapur për talentet që shfaqeshin papritur nga Ballkani apo Evropa Lindore.
Për herë të parë e takova në një ekspozitë të piktorit impresionist Toulouse-Lautrec, në “Grand Palais” të Parisit. Ishte bashkë me të shoqen, Norma. Pata shans të më prezantojë Kadareja. Njohës i thellë i pikturës, atë ditë ai humbte si i dehur në ngjyrat dhe linjat e piktorit të madh, në figurat e balerinave të Pigalit apo të prostitutave të “maisons clauses”, siç quheshin në atë kohë. Më pas e ritakova në tetor të vitit 1992, në drekën që ministri i atëhershëm francez i Kulturës Jack Lang, shtroi për nder të homologut të tij shqiptar Preç Zogaj. Ishin aty Bosquet, Nourissier e intelektualë të tjerë francezë. Në intervistën që i dha atë ditë gazetares Briseida Memës, të gazetës letrare “Drita”, ai do të shprehej: “E dua Shqipërinë jo pse më ka dashur, por sepse kam besim tek intelektualët e saj, të cilët mund të qëndrojnë me dinjitet përballë çdo figure të shquar e të fitojnë respektin e tyre. Ata kanë ditur të mbijetojnë e mbijetesa e tyre duhet respektuar. Kudo ku janë në botë, shkrimtarët kanë një shpirt: le t’i bashkojnë atëherë shpirtrat e tyre për të mirën e jetës. Ne jemi europianë, kemi të njëjtat vlera shpirtërore. Duhet të kemi të njëjtat qëllime e dëshira, nisur nga ndjenja fisnike për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit, për të qenë afër dhimbjeve të njëri-tjetrit…”
Më kujtohet entuziazmi i madh i Omer Kaleshit, kur mori në duar shkrimin e Bosquet për albumin e parë të tij, një artikull nën titullin “Kokat e Kaleshit” (“Les têtes de Kaleshi”), ku ndër të tjera shkruante: “…Arti i tij është me një forcë të jashtëzakonshme. Ai mund të matet me portretet e nëmura të Jerico dhe në një kohë më të afërt me ne, me fytyrat tronditëse e klithëse të Becon. Nuk do t’i harrojmë obsesionet apo fytyrat e nëmura të Omer Kaleshit”. Vite më vonë, kur u riktheva si diplomat në ambasadën shqiptare në Paris, desha menjëherë të takoja Bosquet. Sigurisht e adhuroja për talentin dhe shpirtin e tij të madh. Kisha lexuar “Një nënë ruse”, pastaj disa nga librat poetikë dhe sigurisht librin e botuar edhe në gjuhën shqipe, “Dialog me Alain Bosquet”. I dërgova një kartolinë për vitin e ri. Pastaj një seri pullash shqiptare, duke e ditur se i ati i tij kishte qenë një filatelist dhe koleksionist i madh. Kjo e preku, natyrisht. Menjëherë më dërgoi dy libra të tij: “Portreti i një miliarderi”, me shënimin “Ce demi siècle de vie sécrète en hommage amical et très dévoué” (“Këtë gjysmë shekulli jete në fshehtësi, si homazh miqësor dhe me shumë përkushtim”), si dhe “Poèsies completes – Je ne suis pas un poète de l’eau douce”, (“Nuk jam poet i ujërave të qeta”), me poezi të viteve 1945-1994, një përmbledhje e të gjitha poezive të tij, botuar nga “Gallimard”. Kureshtar hapa faqet e fundit të librit, për të parë se deri në ç’kohë mbërrinin poezitë e fundit të tij. Të fundit ishin ato të botuara në “Demain sans moi”. I lexova me një frymë dhe u preka. “Nous vivons en plein paradoxe”, – shkruante ai (“Ne jetojmë në një paradoks total”). Çdo varg të tij e ndieja thellë. E pamundur të përktheheshin me atë forcë, siç i kishte shkruar ai. “Nesër pa mua” apo “E nesërmja pa mua” apo “Nesër kur mos të jem”… Ndoshta kështu.
Tërë ato ditë meditova rreth figurës së tij. Një figurë poliedrike: poet, eseist, kritik, përkthyes, studiues… Ka studiuar rreth shumë figurave: poetit amerikan Whitman apo Becket, Saint-John Perse, etj. Madje ka përkthyer jo vetëm Whitman, por edhe Dickinson, një tjetër poet amerikan, apo vetë Brehtin, që e çmonte shumë.
Nga Alain Bosquet ne njohim vetëm dy vëllime poetike të përkthyera në shqip: ”Poezi”, i botuar me iniciativën e Ismail Kadaresë më 1990-n, në shtëpinë botuese “Naim Frasheri”, dhe ”Jeta ndodhi pa ne”, përgatitur nga Rexhep Ismajli, (të cilit Bosquet i dedikoi edhe një vjershë, me titullin “Gjendje e ndërmjetme”), e botuar në Prishtinë.
Figura e tij është bërë e njohur edhe përmes pjesëmarrjes së tij në simpoziume e kolegjiume për letërsinë shqiptare. Madje shkrimet e tij përfshijnë jo vetëm Kadarenë, Agollin dhe autorë të tjerë të përkthyer në gjuhën frënge, por edhe veprën e krijimtarinë e piktorëve shqiptare në Shqipëri e Kosovë, si: Rexhep Ferri, Omer Kaleshi, Daut Berisha, etj.
Ky poliglot, përkthyes i Whitman, Breht, Voznesenskit, etj., ka shkruar shumë edhe për autorët e artit figurativ e abstrakt, për figurat e mëdha, si: Chagall, Max Ernst, Leger, Tangy etj., të cilët i ka njohur personalisht nga afër, apo për aktoren e famshme Marlen Dietrich, me të cilën do të lidhej në mënyrë të vazhdueshme dhe të ngushtë në vitet e fundit të jetës së saj. Ky yll i kinemasë do t’i përkushtonte Bosquet një admirim të jashtëzakonshëm.
Marrëdhëniet me Marlene Dietrich, me këtë mit të kinematografisë amerikane, e shtynë që pas vdekjes së saj, më 1992-shin, të botojë një libër të titulluar “Dietrich, un amour par téléphone” (“Një dashuri përmes telefonit”). Një libër – dialog, kujtime, një bashkëbisedim i gjatë mes tyre për artin e kinemasë, për lojën e aktorit, personazhin, mitin dhe lavdinë; biseda mbi dashurinë, jetën dhe vdekjen, një libër i mbushur me copëza rrëfimesh gjatë pesëmbëdhjetë vjetve të fundit të jetës së saj, dialogje, letra e shënime, që ajo i shkruante mbi fotografitë që i dhuronte: “Pour vous Alain, amour… amore”, “Pour mon ami, Anatole (emri i fëmijërisë i Alain, L.R.), mes respects, mes baisers, mes amours eternels”… (“Për mikun tim Anatol, respektet e mia, puthjet e mia dhe dashuritë e përjetshme”)…
Në një letër ajo i shkruante: “If a surgeon would open my heart, he would see a gigantic sea of love”… (Nëse një kirurg do të ma hapte zemrën, do të shihte një det gjigant dashurie). Në maj të vitit 1992, siç e shkruan edhe në librin e tij, ai shkroi për të një poezi të titulluar: “Requem pour Marlene Dietrich”:
“Madame / tu es / la noblesse invisible du desir / Madame, grâce à vous, entre mort et légende / le temps n’a pas le temps de devenir le temps./
(Zonjë/ Ti je fisnikja e padukshme e dëshirës/ Zonjë, në sajë tuaj, midis vdekjes e legjendës/ Koha nuk ka kohë të bëhet vetë koha!)

(Në foto: Luan Rama me Normën, bashkëshorten e Alen Boske)

Autori
Luan Rama

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *