«La Scapigliata» është një nga simotrat, një nga tri portretet e ngjashme, etude këto që Leonardo i bëri në vitet 1500-1508, siç është «Kokë gruaje» që ndodhet në Galerinë Uffizi të Firences apo «Studim për kokën e Ledas», që ndodhet në Windsor Castle të “Royal Library”. «La Scapigliata» që quhej e tillë në një inventar të vitit 1627 në Shtëpinë e Gonzagëve, në kështjellën e Mantovas, kishte qenë kërkesë e markezit Gonzague që i bënte Leonardos për një virgjëreshë për studion e tij. Da Vinçi e krijoi atë në vitin 1508, në «terra amble, verdie et céruse» mbi dru. Padyshim një portret në perfeksion siç pikturonte mjeshtri i madh, nga i cili mjerisht kanë mbetur pak krijime nga koleksioni i besnikut të tij Meltzi, krijime të gjitha «divine», pasi në atë portret, si dhe tek të tjerat, Leonardo ka parë vetë hyjninë e bukurisë, jo atë helene, as atë romake, por të tijën, asaj që i përgjërohej, krijuar nga dora dhe shpirti i tij, ashtu siç ndodhte dhe me portretet e dorës së Botiçelit, ku gjatë gjithë krijimeve të tij shohim fytyrën e adhurueses së tij Simonetta, me sytë e Primaveras! Vallë ky portret ishte imazhi i një të dashure apo i një nëne të adhuruar gjer në kufijtë e hyjnis?! Në librin e tij të famshëm «Tratatto della pitura» apo në ato mijëra faqe të dorëshkrimeve të tij, Leonardo nuk na e ka thënë këtë. Ky portret, kjo vajzë hyjnore, vështron poshtë, në shenjë përgjërimi, si në një kantikë të vjetër, në përkushtim të sublimes, ku ngjizet një dashuri e madhe, ashtu siç ishin vizionet e kohës kur krijonte mjeshtri i madh që la Firencen për të shkuar në oborrin e mikut dhe mbrojtësit të tij më të madh, mbretit francez François I, i cili, siç thonë kronistët, do të mbante në duar kokën e tij në shtratin e Leonardos së vdekur.
Sapo jam kthyer nga Firence, ku pashë sërish shtëpinë ku kishte jetuar Da Vinçi, madje dhe urën që kishte projektuar mbi lumin Arno. Dhe gjithnjë më shfaqej ai vizatim aq madhështor: «La Scapigliata». Kjo vepër është një shenjë dashurie, një shenjë gati qiellore që i ka kapërcyer kufijtë jetësorë të artit për të shkuar në botën e magjisë. Gjithnjë më kishte pëlqyer ky vizatim i Leonardos, të cilën, vite më parë, e kisha përdorur në kopertinën e librit tim me letra dashurie «Kur bie shi, ti thua është kohë e bukur».

Be First to Comment