Press "Enter" to skip to content

Kryqi keqndjellës i Marilyn Monroe

Shumë vite më parë, që kur pashë atë fotografi të Marilyn Monroe me një kryq të verdhë sipër fytyrës së saj, në një ekspozitë të fotografit amerikan Bert Stern në «Musée Maillol» në Paris, pyeta veten se përse ajo lloj shenje, ai lloj kryqi mbi fotografinë emblematike të bukurisë femërore të Hollivudit dhe të botës. Përse vallë ai kryq mbi atë ikonë moderne? Këtë në fakt do ta shpjegonte në librin e tij me kujtime Bert Stern, ku shkruan dhe për atë çast sublim kur atij iu dha shansi i madh të fotografonte Monroe, ta kishte atë si model vetëm për vete. Revista «Vogue» i kishte kërkuar një seancë pozash me Monronë dhe, i shkathët siç ishte, Bern ia kërkoi këtë asaj. Çuditërisht ajo kishte pranuar pa bërë rolin e aktoreve të mëdha të Hollivudit. Thjeshtësia e saj ishte ndryshe nga yjet e kinemasë dhe kjo sigurisht nuk shpjegohej me faktin se atë kohë ajo ishte në një gjendje depresive, kur luftonte me vete dhe botën e produksionit që i kërkonin të bënte të pamundurën në sheshet e xhirimit. Në fakt, Bern mendoi se më mirë do të ishte një sallon hoteli, në një suitë, ku të ishin të vetëm dhe të lirë, ndryshe nga një studio fotografie. Ai i foli për hotelin e këndshëm «Bel Air» dhe Marilyn pranoi menjëherë. Stern i kërkoi revistës “Vogue” vetëm disa shalle që t’i kishte si aksesorë gjatë fotografimit dhe disa bizhuteri nëse do duhej, por, sigurisht, një ikonë e tillë s’do të kishte nevojë për to. Ngjarja ishte sensacionale: një ditë para se ky reportazh fotografik të botohej në revistë, Marilyn vrau veten. Ajo nuk arriti t’i shikonte të gjitha fotografitë e saj, veç serinë e parë, trupin nudo nën objektivin e Stern.
“Ajo ishte kulmi i sensualitetit femëror”, – thoshte Bern, duke e konsideruar si “hyjnia e parë amerikane, hynia jonë e dashurisë”. Përse vallë Stern kishte shkruar se “të fotografosh Marilyn do të thotë të fotografosh vetë dritën”?! Mbase sepse Stern e shihte bukurinë e saj gjithnjë në një fiksim fotografik në lëvizje. Ndoshta pse bukuria e saj qendronte pikërisht në atë dinamikë lëvizjeje tepër të hijshme.
Ishte e habitshme! Ajo kishte patur një plagë në trup… Stern kishte shkruar rreth këtij detaji se ishte shtangur kur kishte zbuluar plagën e saj në ije.
– Po shenja e plagës time? – i kishte thënë ajo kur ai i kishte kërkuar të bënin dhe një foto nudo.
– Nuk e dija që kishit një plagë… Çudi. Sapo kam fotografuar Liz Tajlor në Romë. Edhe ajo kishte shenjën e një plage në qafë.
– Më kanë hequr tëmthin para një muaji, – ishte përgjigjur Marilyn. – Por, a do më duket?
– Nëse duket do ta retushojmë, – i kishte thënë ai. Megjithatë Stern nuk do t’i retushonte klishetë e tij, thua se do t’i cenonte fotot e engjëllit.
Ajo u përpoq ta imagjinonte atë çast të rrallë, që mund t’i jepej një fotografi të kishte para objektivit të tij një mit si ajo.
Sigurisht Stern ishte mrekulluar gjatë atyre seancave.
Ai nuk e kishte besuar se pasi kishte kaluar disa orë me të në atë dhomë hoteli të kthyer në studio dhe, pasi kishin pirë shampanjë dhe bërë shumë fotografi, papritur ajo do të lëshohej dhe do pranonte të fotografohej nudo. Siç dukej Marilyn kishte nevojë të jepej e tëra, të ishte e lirë dhe t’i dorëzohej objektivit. Ndoshta dhe vetë ajo e kishte kërkuar një çast të tillë. Kushedi dhe sa do të jetonte…
Atë kohë Monro jetonte krizën më të madhe të ekzistencës së vet. Pikërisht në një çast të tillë, Stern i kishte thënë në mënyrë të shpenguar që t’i hiqte të mbathurat, sikur t’i thoshte të hiqte shallin.
– Dakort! – kishte thënë ajo dhe kishte shkuar në banjë t’i hiqte.
Ishte pikërisht ajo që ai donte të fotografonte. Dhe Merilin u kthye. Trupi i saj i mrekullueshëm shfaqej pas atij tyli valë-valë në një lloj loje abstrakte dhe frustruese. Dhe kjo gjer në çastin kur ajo lëshoi tylin.
Pikërisht atëherë aparati ishte shkrepur. “Kjo foto ishte për mua… Seanca mbaroi…”, kishte thënë me vete Stern.
Ajo ishte veshur dhe, pas pesë orësh mbyllur në hotelin “Bel-Air”, ishte larguar duke buzëqeshur miqësisht. Por revista do t’i kërkonte Bernit dhe disa foto ku ajo të ishte e veshur, meqë gjithçka kishte shkuar mrekulli dhe Marilyn ishte shfaqur përsëri, po aty, për të mbyllur ciklin e klisheve. Ishte prania e saj e fundit në celulozën e filmit.
Një rast i rrallë për një fotograf, ashtu si Gustave Courbet me modelen e famshme Johana Hifferman, për tablonë “Origjina e botës”. Këto pikëtakime të rastësishme ndodhin rrallë në histori.
Stern nuk kishte mundur ta përballonte magjinë e trupit, të bukurisë. Madje ai kishte qenë në dilemën që të zhvishej dhe vetë atë çast dhe të shtrihej pranë engjëllit lakuriq. Por nuk kishte guxuar. Kishte guxuar veç ta puthte.
– Jo! – i kishte pëshpëritur ajo, duke ngritur kokën drejt tij dhe si e humbur në një tjetër botë kishte shtuar: – “Ku ishit gjatë gjithë kësaj kohe?”.
Para se fotografitë të botoheshin, Marilyn i pa fotot dhe disa prej fotografive nudo i vuri kryqin. Nuk donte të botoheshin, por Stern s’do ta mbante fjalën, siç ndodh në këto raste, apo siç kishte ndodhur edhe me Simone de Beauvoir kur një mik fotograf dhe i afërt i të dashurit amerikan Algren, e kishte fotografuar duke veshur mbathjet. Stern i botoi më vonë fotografitë e tjera, vite pas vetëvrasjes së ikonës së bukurisë.
Padyshim që këto fotografi na shpalosin bukurinë kulmore dhe hiret e një gruaje, para së cilës u dha edhe vetë presidenti Kenedy. A ishte e vështirë ta fotografoje Marilyn? Po dhe jo, mendoj. Jo, sepse para objektivit do të ishte personazhi më i dashur i rruzullit, një portret i përsosur. Por ishte dhe e vështirë, sepse Stern nuk donte të bënte foto të zakonshme në kontraste bardh e zi. Ai e vendosi atë në një atmosferë ajore, disi gri, gati hënore, sikur engjëlli të na vinte nga një tokë e largët për të na treguar hiret e saj. Marilyn luante midis trishtit, shampanjës, gëzimit femëror dhe dëshirës për të vdekur, për të ikur nga ajo botë gjithë zhurmë, që po e mbyste ngadalë lirinë e saj. Ishte një çast i ëmbël i lirisë…

Autori
Luan Rama

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *