***
E mblodha shpirtin ta kulloj në gji
E shova fjalën të mos thuhet
I mbajta lotët, që më freskonin hidhësinë
Tingujt e tu që më dridhnin shpirtin
U përpoqa ta fshihja.
Ah, po emri?
Ta thyeja!
Po copat?
U mundova ta zhduk në ajrin që kapëm
Por stolat u ngritën, s’pranuan asgjë.
E thyer ula zërin
Në shkallët që gjeta
Te e para: lot
Në të dytën: mall
Mbi të tretën: pendim
…që s’e kuptoni
Kurrë shpirtin tim.
Kush?
Kush trokiti mbi dërrasën e thyer
të derës së dhomës sime?
Kush mundi ta gjejë çelësin
që i çoi në errësirën time?
Kush foli me eshtrat
mbi të cilat thërrmohet trishtimi?
Kush e hoqi penelin e zi
nga ai varr mendimi?
Kush e ngriti çelësin
e zbardhi pafundësinë?
Ish ëndërr e një nate
shprese, apo zhgënjim?
Ç’kërkova
Heshta në valën
e ngacmuar nga kujtimet.
Përbuza miliona zëra errësire.
U zura me qiejt
për pak hapësirë.
Kërkova veç pak…
…të jem e lirë!
Mos më zgjo!
Në të ka mbetur një buzëqeshje për mua,
mos më zgjo! Qesh!
Në ke akoma një lot për mua,
mos më zgjo! Qaj!
Një lule në ke për mua,
një fjalë të më thuash,
mos më zgjo! M’i jep!
Nëse me një prekje do duash,
etjen të ma shuash,
mos më zgjo!
Të pres!
***
Ulur në brigje kujtimesh
Dorën ngre të ma puthë ajri
Tjetrën e lag në det
të dridhem nga akulli
i së shkuarës
Ku je?
Brenda teje jam
një botëz aq e vogël
sa mund ta mbash në duar
S’e kupton
nëse ke në krah,
mua apo botën time?
Cilën? Cilën?
Brenda botës sime je edhe ti.
Brenda meje…
në ëndërr






