Press "Enter" to skip to content

Tradhtia

Mbrëmja ishte në prag dhe ajo ende s’kishte ardhur. Shoqëroja me sy shpërbërjen e shtëllungës së tymit të cigares dhe herë pas here hidhja sytë nga dera. E prisja të hapej. Prej orësh e prisja atë hapje të beftë dhe të lehtë. Ajo do të vinte – siç erdhi – dhe do i kryente veprimet me përpikërinë që kisha parashikuar. Por unë isha vetëm, ndërsa ajo ishte me atë, kushedi se në ç’dhomë hoteli ose, në rastin më të keq, në ndonjë garazh apo fundja kanë mbajtur makinën në anë të rrugës dhe po bëjnë seks. O Zot, sa e pështirë! Nuk e di se çfarë është më e pështirë: një grua që tradhton apo një mashkull inferior, i pafuqishëm, pa bole. I ngrirë si një trung peme, me këmbët mbledhur mbi divan, herë hidhja sytë nga porta, që nuk hapej, e herë e tresja vështrimin në agullimën e muzgut që po shtrihej i qetë dhe i rëndë përtej qelqeve të dritares. Ndjeja një malcim të shpirtit dhe në qetësinë vrasëse të asaj mbrëmje dëgjoheshin lehtë ca regëtima, që vinin prej së largu, nga një botë e përtejme, imagjinare, që nuk kishte fuqi të klithte. Pezmi më kishte pushtuar dhe në gjysmëkllapinë e asaj gjendjeje mendoja se ajo botë e largët, që angullinte, s’ishte gjë tjetër post brendia ime e arratisur nga kraharori që kishte dalë dhe ulërinte shtjellave të këtij muzgu të errët dhe triumfator, që nuk pyeste për shpirtrat e plagosur si unë dhe as nuk befej prej tyre.
Ashtu i kredhur në gjysmerrësirën e dhomës, ndeza cigaren e radhës dhe, ende pa u shuar flaka e shkrepëses, dëgjova kërcitjen e bravës. Ishte ajo ose së paku duhet të ishte ajo. Pas derës gjysmë të hapur u përshfaqën njëra pas tjetrës gjymtyrët e saj, këmba, krahu, ana e majtë e gjoksit dhe më pas i tërë trupi. Përplasi derën pas vetes dhe, kur më pa, më foli lehtë: “Oh, këtu qenke?”. Hoqi takat dhe kur u përkul t’i vinte në raftin e këpucëve, në pjesën e pasme të kofshës së majtë vura re një tragë prej lëngu rozë, që shtrihej njëtrajtësisht me getën e grisur. Si e gërvishtur maceje apo më keq: si një gërvishtje thonjsh burri. E mendova diçka normale, nga pakujdesia. Ajo kishte kryer marrëdhënie me të dhe kjo pritej. Mbylla sytë dhe e ndjeva se si erdhi e ul bri meje. Binte erë kafshe të lodhur dhe rreth saj, në ajër, pluskonte aroma e një amalgame djersësh, që të ngjallte neveri dhe epsh njëkohësisht. Frymëmarrja e saj e shpeshtuar më cimbiste nervat, ndërsa heshtja m’i pohonte hamendësimet. Sytë i mbajta mbyllur dhe ndjeja brenda vetes të më mbusheshin ato hapësira boshe të qenies, që njeriu i mbush me pezm dhe dhimbje për t’i shfryrë më pas në kushedi se ç’skutë apo qosh. Ndjeva qenien të më rrëmbushej si një sy i madh, që është gati t’ia plasë vajit pas një dhimbjeje të madhe. Dëshirova lirinë, atë lloj lirie që të lejon të bërtasësh, të shash dhe pastaj, me një forcë të mbinatyrshme që kthen kohën pas, të riktheja edhe njëherë gjithë filmin e jetës, që unë të shmangia takimin me time shoqe ose të mund të tregohesha më burrë përgjatë këtyre viteve tona, të hedhura në erë tashmë.
Hapa sytë dhe i hodha një vështrim. Iu afrova dhe e putha në qafë. Pikërisht atë çast ndjeva edhe dëshirën e madhe ta godisja. Ta shtrija në dysheme dhe ta shkelmoja, ta grushtoja, t’i gjuaja me bërryla dhe në fund, mbasi të mos kishte më forcë të ngrihej, ta mbuloja me puthje. Po, me puthje edhe pse e dija që nuk isha më në gjendje ta bëja këtë gjë. Dija vetëm se do e mbuloja me puthje dhe këtë e kisha bërë gjatë gjithë kohës. E kisha dashuruar me forcë. Ajo ishte idhulli im, gruaja ime, gjithçkaja ime. E admiroja për forcën dhe karakterin. Ajo punonte, ndërsa unë, i ndjekur nga fati i mbrapshtë apo mefshtësia, më shumë rrija sesa punoja. Por isha i dobishëm, më beso, përpiqesha: laja enët, fshija dyshemenë, i përgatisja sanduiçët, i hidhja ushqim peshkut në akuarium, shëtisja qenin dy herë në ditë. Një herë në mëngjes, në parkun e madh të qytetit, bri katedrales, dhe një herë në darkë, në rrugicën e emigrantëve, ku tek-tuk shfaqej ndonjë lulishtezë e vogël. Sa herë kthehej nga puna e lodhur, ia masazhoja gishtat e këmbëve dhe e mbuloja me puthje. Dhe kohët e fundit… kohët e fundit ajo ishte ftohur. S’më duronte më, nuk hante më sanduiçët e mi dhe as për masazhin tim nuk kishte më nevojë. Qenin e injoronte sa herë ia strukte kokën mes këmbëve; e shtynte tutje me bezdi. Ndërsa unë duhej patjetër të duroja rolin tim prej inferiori, sepse e doja; ajo ishte idhulli im.
Gjithsesi doja ta puthja, atë çast doja ta puthja dhe më pas ta godisja… ose anasjelltas. Ajo u ngrit dhe, teksa ecte drejt kuzhinës, i pashë këmbët e kolme që lëviznin pa komandë, flokët e shpupurishur dhe fytyrën që i ndizej përherë e më tepër; aty, krejtësisht i vrarë, vërtetova se më kishte tradhtuar. Mbante aromën e djersës së atij, kofshët vuanin ende hapjen e seksit dhe, kushedi, vagina ende i pulsonte nga lëngjet e derdhura gjatë aktit. O Zot, ime shoqe po më ngjante me një prostitutë, që ishte mpleksur me nja dhjetë a njëzetë klientë dhe kishte ardhur në shtëpi të gjente prehje, pranë meje, bashkëshortit inferior, që dinte vetëm të masazhonte gishtat. Asgjë më shumë.
Ndjeva sërish dëshirën e fortë ta godisja, edhe pse kjo nuk do të ndryshonte asgjë. Ajo do ishte sërish tradhtarja, ndërsa unë i tradhtuari. Ndeza një cigare tjetër dhe, nëpër dhëmbë, i fola: “Ik nga jeta ime”. Ia thashë dhe mbylla gojën, që të mos zbrazja gjithë rrebeshin e grumbulluar përbrenda. E kisha thënë aq shpejt, me lehtësinë e pashoq të heqjes dorë nga një rutinë e përditshme. Sikur po e komandoja të shtrihej apo të lante duart. I kisha thënë jetës sime: ik.
Më pa e trembur dhe e hutuar. Siç duket, vuri re sytë e mi të përlotur, qenien time të shprishur, që ishte kruspulluar në divan. Aty kuptoi fatalitetin e asaj që kishte bërë dhe krupën e zbulimit tim. Aty, të dy e kuptuam që kjo jeta jonë, me dashuri të njëanshme dhe ndërrime rolesh, nuk do ishte më jeta jonë, por një e shkuar për t’u harruar, e ndërtuar gabim mbi një neglizhencë prej mashkulli pa këllqe dhe të një gruaje që kishte shfrytëzuar mefshtësinë e të shoqit dhe përgjumjen e tij. Këtë përgjumje që e bën gruan të mos ndihet e tillë dhe burrin baras me një kone, që lëpihet mbas çdo qenushi. Tentoi të më afrohej. U ngrita nga divani dhe i ndenja përballë. “Mos më prek!”, i thashë. Nisi të qante dhe, me gjithë skenarin prej belbëzimesh justifikuese, nuk ia doli të formulonte një fjali bindëse për atë që kishte shkaktuar. I ktheva shpinën, iu afrova dritares gjysmë të hapur dhe me vështrimin mbi rrugën mbushur me njerëz dhe makina, e pyeta nëse e kujtonte takimin tonë të parë. Nuk foli. Pasoi heshtje. E pyeta për udhëtimet tona, për frikën për të ardhmen, për neverinë ndaj botës, për emrat e bebeve, për gjininë dhe ngjyrën e syve. E pyeta për barin që do ngrinim të dy dhe detyrat që do ndanim; ajo do merrej me menaxhimin, ndërsa unë shërbyesi. Për prindërit tanë, se si do e përballonin këtë ndarje. Për miqtë, të njohurit. E pyeta nëse i kishte menduar të gjitha këto, se kur ishte thyer lidhja jonë dhe në fund për shpirtin tim. A e kishte menduar se çfarë do të hiqte shpirti im? E ç’pyetje të tjera mund të bënte një burrë i dëshpëruar?
Heshtje, asnjë fjalë, vetëm lot që gëlltiteshin me ngut dhe zëvendësonin njëri-tjetrin në faqet mëkatare. O Zot, sa lehtë i zhbëjmë proceset, ndjenjat, veprimet dhe qëllimet, që na duhen vite t’i ndërtojmë, mendova.
“Pse nuk përgjigjesh?”, i brita dhe teksa u ktheva drejt saj. Ndjeva gjakun të më lëvizte nëpër gjymtyrë dhe sërish dëshirën ta godisja. Por jo, nuk e bëra. Fundja, mendova, faji ishte i përbashkët dhe asgjë nuk vlente tashmë.
Ajo u derdh mbi divan duke dënesur, ndërsa unë ndjeva të më bymeheshin brenda vetes qoshet e mbushura me mllef dhe pezm. Shkova në tualet, rrotullova çelësin deri në fund dhe me fytyrën ndër duar u shkreha në vaj.

Autori
Liridon Mulaj