Press "Enter" to skip to content

Autobusi dhe poezi të tjera

Leonard Cohen ka lindur në Montreal, më 21 shtator 1934.
Në moshën 17-vjeçare filloi të shkruajë poezitë e para. Në universitetin “Mc Gill”, Montreal, krijoi një western-trio “Buckskin Boys”. Këngëtar kauntri dhe poet bohemian Cohen e ndërtoi reputacionin e vet në rrethet studentore.”Let Us Compare Mithologies” (1956) është libri i tij i parë me poezi, për të ardhur tek “The Spice Box of Earth” (1961), që e bëri menjëherë popullor në gjithë Kanadanë. Fiton të drejtën e studimeve në një nga universitetet e New York, të cilat i braktis për të udhëtuar nëpër Europë, derisa vendoset në ishullin piktoresk të Hidras në Greqi.

Rrjedhojë e kësaj përvoje kohore është vëllimi poetik tepër i diskutuar “Flower for Hitler” (1964) dhe “Parasites of Heaven” (1966), së bashku me dy romanet “The Favorite Game” (1963) dhe “Beautiful Losers” (1966). Gazeta Boston Globe e vlerësoi prozën e tij me fjalët: “James Joyce nuk është i vdekur”. Më pas jetoi në Montreal nën emrin Leonard Cohen. Nga ky moment romanet e tij janë shitur me më tepër se 800 mijë kopje nëpër botë. Rikthehet në Amerikë (Nashville) për t’iu dedikuar karierës së tij muzikore si kantautor. “Selected Poems 1956-1968” (1968) vlerësohet nga bota letrare me Governor General’s Literary Award for English Language Poetry, çmim ky që refuzohet nga Cohen nën refrenin: “Nuk jam veçse një poet i thjeshtë i kësaj bote”. “The Energy of Slaves” (1972) pasohet nga vëllimi poetik shumë i diskutuar “Death of A Lady’s Man” (1978). “Book of Mercy” (1984) është vlerësuar si “libri më elegant poetik i autorit”, fitues i çmimit “Canadian Author’s Association Literary Award” (1985).
Në vitin 2003 fiton urdhrin “Companion of the Order of Canada”, vlerësimi më i madh kanadez që mund t’i jepet një individi. Pasioni.net ofron disa nga poezitë e tij.

Një natë e dogja

Një natë e dogja shtëpinë që kam dashur,
Ndriçimi i rrethor i unazës përfekte,
Në të cilin pashë kaq shumë fërra dhe gurë,
Përtej të shkuarës prej – jo gjithçkaje.

Krijesa të ndryshme nëpër erë,
Të alarmuara nëpër natë,
Vinin të shihnin botën përsëri,
Dhe zhdukeshin nëpër dritë.

Tashmë lundroj nga një qiell në tjetrin,
Në gjithë errësirën e thirrjeve,
Kundra anijes që pata ndërtuar,
Prej krahësh të imituar.

Autobusi

Isha udhëtari i fundit i asaj dite,
u gjenda i vetëm në autobus,
i kënaqur, po shpenzonin tërë ato para
të më shpinin gjer në Avenjunë e Tetë.
Shofer! Brita, sonte jemi unë e ti,
ta lëmë pas këtë qytet gjigand,
t’ia mbathim drejt një tjetri, më të vogël,
të prerë për shpirtin tonë.
Ngaje drejt pishinave të plazhit Miami,
ti në ndenjësen tënde, unë ca të tjera më pas,
veç në qytetet raciste do të ndërrojmë vendet
për të treguar sa mirë sillen me ty në Veri.
Ngaje, mos gjejmë
ndonjë fshat të vogël peshkatarësh
në Floridan e panjohur,
e bash buzë detit ta parkojmë
autobusin e madh metalik, të bojatisur,
të vetmuar, targat e New-Yorkut
të nxjerrim në pah.

 Atje për ty

Kur gjithçka u përmbys,
Dhe dhimbja shndërrohej në të vërtet
Tashmë e kuptova,
Isha atje për ty, përjetë.
Mos më pyet “si ka mundësi”

E di që tashmë është realitet
Kuptova se ekzistoja
Veç atje për ty, plot një jetë.
Planifikoja të ardhmen time
Si bëj gjithmonë
Por kur tashmë mbas shoh
Kuptoj se koha veç për ty shkonë.
Ecja nëpër rrugët dimrore
Sikurse edhe sot eci
Dhe jam i ngrirë me padrejtësi
Nga fakti qe atje shpirti im ngeci.
E shoh të shkuarën e jetës time
Tashmë në të ekranit vetmi
Isha asnjëherë unë
Ishe gjithmonë, veç ti.
Ti më dërgoje atje,ti më risillje këtu
Si objekt të thyer që nuk mundem
Dot ta ngjisë
Dhe krijoja forma , objektesh të tjera
Jashtë ndërgjegjes – dëshirës time
Duke e bërë llogjikën e
Të menduarit thërrime.
Haja dhe pija verë, brenda atij trupi
Që mendoja se i imi ishte, por
I transformuar gjithmonë ishte aty
I veshur si arab, i veshur si çifut
Gjithmonë kam mbajtur mask
E kam mbajtur përherë për ty.
Gjëndje triumfante , shpesh i revoltuar
Bota zbret drejt së vërtetës një ditë,
Me gjak e nerv të shkumëzuar
Dhe vdekja është një stil i vjetër
Dhe vdekja është një stil i ri
Gjithmonë kam qenë atje për ty
Gjithmonë i ngrirë në padrejtësi.
E shoh të qartë, kahera e di,
Isha asnjëherë unë
Ishe gjithmonë ti.
Dhe isha atje për ty,
Për ty e dashura ime
Në momentin e së vërtetës,
Ushtar i vet’haruar,
Ku sipas rregullave të lojës tënde
Gjithçka kishte përfunduar.

Nuk ke pse më do

Nuk ke pse më do
ngaqë
je si të gjitha gratë
që përherë më kanë munguar
U linda për të rendur pas teje
çdo natë
dhe prapë jam
orteku me burra që të dashurojnë

Të takoj në tryezë
ta marr grushtin mes duarve të mia
në taksi nusesh
zgjohem fillikat
gishtat e mi te mungesa jote
në Bujtinën e Virtytit.

I shkrova tërë këto këngë për ty
ndeza qirinj të kuq e të zinj
në trajtën e një burri dhe një gruaje
u martova me tymin
e dy piramidave me nallane druri
u luta për ty
u luta të më duash
u luta të mos më duash.

Paçka se bota…

Unë po vdes
se ti s’e dhe jetën për mua
paçka se bota
prapë të dashuron

Shkruaj ngaqë e di
se puthjet e tua
lindën të verbëra
te këngët që të përkasin ty

S’dua të jem
kuleta e jetës tënde
dua të jem robi i ngujuar
në mendimet e tua
si qyteti i New-Yorkut
kur ti ende s’je zgjuar.

 Elegji

Mos kërko për të
Në rrëketë e majëmaleve të thiktë:
Janë të ftohta dhe për perënditë;
Mos i këqyr lumenjtë e zemëruar për
Të gjetur gjurmë të trupit të tij qumështor
Mos shpreso t’i shohësh gjakun në zall
Se drejt ngrohtësisë së oqeanit të kripur
Po zbret përmes shkëmbinjve
Me ujëra të kthjellta, të përmbajtura
Ku peshqit e bukur bredharakë
I puthin trupin nga dëbora mavijosur
Dhe në qefinin e tij fërgëllues
Ngrenë strehët e tyre të fshehta.

Ngjarja e madhe

Do të ndodhë shumë shpejt. Ngjarja
e madhe, ajo do t’i japë fund tmerrit.
Ajo do t’i japë fund dhimbjes.
Të martën tjetër, kur të perëndojë dielli,
do të luajë Sonatën e Hënës sëprapthi.
Kjo do ta çendë pëlhurën e çmendurisë
njerëzore, zhytur në vuajtje qysh prej
200 milionë vjetësh.
Ç’natë e hatashme ka për të qenë.
Ç’psherëtimë lehtësuese lëshojnë
gushkuqët e mplakur,
sërish u ndrin e kuqja,
bilbilat pensionistë
shkundin bishtat e pluhurosur
dhe shpallin madhështinë e krijimit.

Autori
Leonard Cohen

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *