Press "Enter" to skip to content

Posts published in “Kritikë”

SEMAFORËT E KRIJIMTARISË… – Me shkrimtarin Zija Çela

Zija CelaShkrimtari Zija Çela meritoi çmimin “Penda e Argjendtë”, për romanin “Las Varrezas”, si vepra më e mirë në prozë për vitin 2005, akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, më 27 dhjetor 2006, në konkursin letrar më të rëndësishëm që zhvillohet në harkun kohor të çdo viti në vendin tonë.
Lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës, diplomuar në Universitetin e Tiranës për letërsi më 1968, ai ia kushtoi jetën e vet arsimit dhe letërsisë. Që prej vitit 1969 e në vazhdim ai punoi si mësues në fshatrat e Kukësit, pastaj në gazetën e radion lokale, më 1977 u transferua në kryeqytet ku punoi si redaktor i prozës në revistën “Nëntori”, e më pas për disa vjet si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Që nga viti 2000 mban rubrikën e tij kulturore javore në gazetën e përditshme “Albania” dhe sigurisht vazhdon të shkruajë dhe të botojë veprat e tij letrare.
Nga krijimtaria e tij e pasur ndër vite do të përmendnim që në krye tregimet e tij, me të cilat ai u bë i njohur, dramën “Shtëpia e lepujve” (1989) dhe romanet, veçanërisht triptikun “Gjaku i dallëndyshes” (1990), “Gjysma e Xhokondës” (1992) dhe “Banketi i hijeve” (1998). Krijimtaria e tij jo vetëm zë një vend të rëndësishëm e të veçantë në letërsinë tonë, por edhe është vlerësuar si e tillë nga konkurse të ndryshme të organizuara në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj si dhe ka marrë  vlerësimet më të mira të kritikës letrare kudo ku është botuar.