Press "Enter" to skip to content

Gjërat

Vëllimi i rënë që të tjerët
Fshehin në thellësinë e raftit
Dhe që ditët dhe netët mbulojnë
Me pluhur të heshtur të lehtë. Spiranca
E Sidonit që detet e Anglisë
Shtypin në humnerën e verbër dhe të butë.
Pasqyra që nuk përsërit askënd
Kur shtëpia ka ngelur bosh.
Pluhurat e thonjve që lamë
Gjatë kohës dhe hapësirës.
Pluhuri i padeshifrueshëm që ishte Shekspir.
Rregullimet e reve.
Trëndafili simetrik i çastit
Që fati ua dha një herë okultistëve.
Kristale të kaleidoskopit fëmijëror.
Rrema e Argosit, anija pranverë.
Gjurmët e rërës që vala
E fjetur dhe fatale fshin në plazh.
Ngjyrat e Turnerit kur fiken
Dritat në galerinë e drejtë
Dhe nuk dëgjohet asnjë hap në hyrjen e natës.
Harta e botës kokëposhtë dhe e përpiktë.
Rrjeti i merimangës i hollë në piramidë.
Guri i verbër dhe dora kurioze.
Ëndrra që pata përpara mëngjesit
Dhe që e harrova kur zbardhi dita.
Princi dhe fundi i epopesë
Së Finsburh, sot disa vargje të numëruara
Hekuri, të pakonsumuar nga shekujt.
Letra e anasjelltë në letër thithëse.
Breshka në fund të sternës.
Ajo që nuk mund të jetë. Briri tjetër
I njëbrirëshit. Qenia që është Tre dhe është Një.
Disku trekëndor. I padukshmi
Moment ku shigjeta e harkëtarit,
Palëvizur në ajër, i bie pikës.
Lulja mes faqeve të Bekerit.
Lavjerrësi që koha ka ndaluar.
Harku që Odini vari në pemë.
Teksti i gjetheve të paprera.
Jehona e thundrave të sulmit
Të Huninit, që në një mënyrë të përjetshme
Nuk ka pushuar dhe është pjesë e intrigës.
Hija e Sarmientos në shpata.
Zëri që dëgjon bariu në mal
Ashti i zbardhur në shkretëtirë.
Plumbi që vrau Fransisko Borgesin.
Ana tjetër e qilimit. Gjërat
Që asnjë nuk sheh, përveç Zotit të Berkeleit.

Shqipëroi M. Lika

Autori
Jorge Luis Borges

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *