Mendoja se e lashë në vendin tim mllefin
për politikën – lumin e pistë që veç vërshon,
me sa duket në çdo vend të botës të shkelësh,
ka fjalë e veprime që të zemërojnë po njëlloj.
Ka politikanë që s’ndryshojnë nga njëri-tjetri,
pavarësisht nga gjuha, janë këtu apo atje,
ngjajnë si dy pika uji, nuk ka zot t’i dallojë,
ndoshta për këtë emrat ua ngatërroj shpesh.
Më ndodh sa herë që jam vetëm në shtëpi,
me zë të lartë komentoj para TV një kronikë,
nuk kuptoj pse zemërimi shpejt më pushton,
sikur me shpullë më kanë goditur në fytyrë.
Ndenja shumë kohë pa shkruar asnjë varg,
duke pritur që të zbutet kjo indinjata ime,
si llava e një vullkani që me kalimin e viteve
harrohet, ftohet, duket krejt e parrezikshme.
S’doja që vargjet për politikanët pa skrupuj
t’më dilnin të serta e të mbushura me vrer,
nëse ato ende ngjajnë të tilla, më besoni,
bëra gjithçka që t’i shmang nga kjo vjershë.
Marrë nga libri: “Nën bluzën time”, 2013







Be First to Comment