Sot çeli ditë e bukur, me diell të ndritshëm. Ulur në një bar për kafenë e mëngjesit, sodisja rru gën e lagur nga shiu i natës që e kishte bërë ajrin edhe më të tejdukshëm.
Mes kalimtarëve të pashë edhe ty, dashuria ime e parë. Sikur të ma ndjeje vështrimin, ktheve kokën e më pe. Ece para, ktheve përsëri kokën si për të vërtetuar atë që pe dhe ike ashtu indiferente, e brishtë. Sigurisht, nuk mund të bëje ndryshe.
Sesi m’u duk. Mes gjithë këtyre njerëzve, ne kemi qenë të njëri-tjetrit. Dhe sot… Jemi të panjohur, njësoj si me të tjerët, pa pasur asnjë mundësi afrimi. Eksperiment i dështuar do quhej.
Sot në mëngjes ishte hera e parë që i besova realisht telepatisë kur ktheve kokën e më pe. Të kisha dashur dhe nuk di pse. Edhe ti më kishe dashur, por mbase edhe ti nuk e dije pse. Dhe ishim larguar nga njëri-tjetri, ndoshta jo papritur, por edhe këtë nuk e dimë pse. Mbase kishe dashuruar ëndërrën dhe nuk e kishe gjetur.
Ishim lidhur. Dhe kishe hyrë në ëndërr duke shijuar vetëm të bukurën e saj. Mbase edhe ti ashtu… Dhe brenda ëndërrës kishim ëndërruar përsëri e përsëri. Mbase nuk shihnim të njëjtën ëndërr…
Dhe ja, u zgjuam të dy dhe pamë që ishte vetëm një ëndërr, ndoshta edhe ajo ku ishim të dy.
Jemi larguar nga njëri-tjetri njësoj, pa mllefe, jemi larguar me dashuri të padashuruar… Endërra sërish vazhdoi, po tani e shihnim veç e veç, megjithëse ishim zgjuar. Se si m’u duk të dashurohesh me ëndërrën! Si të shihesh në pasqyrë e të dashurosh veten.
Po ti? U ngrita nga bari. Këmbët më nisën në rrugën ku ike. Thua u nisa të të ndjek e të të pyes:
“Ç’të bëj me ëndërrën?”. Ah, mos nisa vallë sërish të ndjek ëndërrën? Po kjo nuk është rruga ime, nuk është ëndërra ime… Këtë ëndërr e kam parë një herë dhe u zgjova i trishtuar.
Po ti? U ktheva pas me një qeshje të lehtë buzëve që m’i kishte tharë thëllimi i mëngjesit. Ëndërrat gjithashtu… Shohim secili ëndërra të ndryshme dhe nuk e dimë. Uroj që ty të të dalin më të bukurat!
Na rrëmben jeta dhe kujtojmë se shohim të njëjtën ëndërr…
Ty, dashuri e parë

Autori






Be First to Comment