Press "Enter" to skip to content

Qyteti i tij

“Itaka ime!”, klithi së brendshmi, sapo dëgjoi borinë e tragetit. Brofi në këmbë dhe i emocionuar iu afrua dritares. Orë të gjata lundrimi. Kishte ndenjur thuajse deri në të gdhirë në pritje, se mbase trageti mbërrinte më shpejt në brigjet e bardha të vendit të tij. Por jo. Orari është orar dhe atë e kishte këputur gjumi pa parë qoftë edhe një dritëz të vogël tutje në horizont. “Qyteti im… qyteti im!”, gëzonte si fëmijë.
Mbi dhjetë vjet ikur; përpjekje, situata të panjohura, të dhimbshme, mall e padurim për t’u kthyer… Dhe ja, tani po e shihte.
Koha e pritjes në radhë iu duk e gjatë, e gjatë… Pastaj zbriti me bagazhet e veta. Gjithnjë kish menduar se do të njihte dikë nga njerëzit që kontrollonin dokumentet. E do t’i dukej se mezi e kishin pritur.
Asnjë.
“Jo, jo. Këta janë të rinj, mbase fëmijët e miqve të mi, që atëherë ishin të vegjël”.
Kaloi, u përshëndet e vazhdoi rrugën.
Jetesa për aq vite në vend të huaj e bëri të mendonte se dialekti në qytetin e tij kishte ndryshuar. “Sa budalla bëhem ndonjëherë”, qeshi me vete, “Shyqyr të merrem vesh. Se mos unë nuk e kam ndryshuar hiç!”.
Mori një taksi, ngarkoi bagazhet dhe i tha shoferit adresën. Por taksixhiu nuk luajti vendit, duke e parë gjatë në sy, me një shprehje habie.
– Ndonjë objekt tjetër referimi? Kurrë s’e kam dëgjuar këtë rrugë.
– Në qendër është, si nuk e di? Ec se të tregoj unë, – i tha ai, edhe më i habitur se tjetri.
Shoferi ngriti supet, por u nis.
I rrahu zemra fort. Po shkonte drejt zemrës së qytetit të tij. Rrugës përpiqej të përpinte gjithçka, por në fakt pak gjëra të njohura po i shihnin sytë. Disa vila, dikur të veçanta për relievet dhe arkitekturën, nuk i pa kurrkund. As parkun… as fushën…
“Nuk paska faj shoferi”, mendoi, duke e hetuar të gjente moshën e tij. “Edhe ky i ri është”.
– Ja, këtu kthehu! – i ra shoferit në sup për ta përmendur. Edhe ai kushedi ç’përtypte me vete.
Pagoi dhe zbrazi bagazhet. Pallati pesëkatësh dukej i lyer së fundmi. Ngjiti dy kate, me gjithë qenien që i dridhej. Nxori çelësin dhe, me sytë e lagur, hapi derën, që kërciti ankthshëm. Sapo shkeli korridorin, u përgjunj dhe dënesi një copë herë të mirë.
“Këtu nuk ka as Penelopë, as Telemak”, tha me gjysmë zëri. “Itakë është kjo?!”.
U plas mbi shtrat, pasi shtroi ca çarçafë, të kyçura prej vitesh në dollap, dhe fjeti si mbi prehrin e së ëmës.
Kur u zgjua, qe errur. Hapi valixhet të gjente diçka për të veshur e të dilte të takonte njerëz, por nuk mundi. Zilja e derës e drodhi. “Kush më pa që erdha? Kush e di?”.
Eci ngadalë drejt saj e po aq ngadalë e hapi.
– Mirëmbrëma, zotëri!
– Mirëmbrëma! – i tha si me gjysmë zëri të panjohurit, që kish trokitur i pari në shtëpinë e tij. Me siguri atë fytyrë do ta mbante mend gjatë.
– Pashë dritën ndezur dhe kuptova që keni ardhur. Doja t’ju përshëndesja.
– Faleminderit! Po ju, kush jeni?
Burri i shkurtër, imcak, buzëqeshi me mirësjellje.
– Jam fqinji mbi ju, në kat të tretë.
Ai u mendua një çast.
– Po aty ka qenë Sotiri…
– Shumë vite më parë. Ne e blemë shtëpinë në vitin…
– Ëhë, kuptoj. Më vjen mirë që më përshëndetët.
– Asgjë, nëse keni nevojë për gjë, mos ngurroni. Sapo keni ardhur dhe… Bëfshi natën e mirë!
– Faleminderit! Natën e mirë!
U kthye drejt valixhes, duke menduar se xha Sotirin mbase nuk do ta shihte më. As Mirin.
Befas dera ra përsëri. Sikur u tremb kësaj radhe. Ishte i njëjti:
– Më falni, se harrova t’ju them: nëse do ta shisni shtëpinë…
– Ah, jo, jo, nuk kam ndërmend! – ia preu fjalën në mes burrit të vogël.
– Po mbase do ta jepni me qira dhe jam…
– Jo, jo, as ashtu. Keni agjenci imobilare?
Burri qeshi e u largua, duke përshëndetur me shenja.
Doli…
Rrugë të zhurmshme, njerëz që flisnin e herë-herë thërrisnin njëri-tjetrin me zë të lartë, makina plot e shumë rrëmujë. Kaloi pranë shtëpisë së shokëve. Asnjë i njohur.
“Si i mbyllëm shtëpitë kështu dhe ikëm pa ditur ku?”, qortoi edhe veten. Por tani s’mund të gjykonte për atë kohë të vështirë. Nëse do ishte menduar edhe pak, nuk do të ishte ky që ishte tani.
Ecte dhe ndiente t’i binte entuziazmi. I pafuqishëm hyri në një dyqan të blinte ca gjëra të domosdoshme.
– Ky dyqan është bërë te shtëpia e…?
– Nuk e njoh, ne e kemi marrë me qira.
Buzëqeshi me atë lloj dhimbjeje, që nuk mund ta kthente kokën pas.
Pastaj ndaloi te kasapi. Duhet të ishte babai i shokut të tij.
– Nuk e njoh, e kemi marrë me qira.
Largohej duke menduar se vetëm emri i qytetit kishte mbetur njëlloj.
Teksa ngjiste shkallët e pallatit, ndaloi në katin e dytë. Zgjodhi një nga dyert dhe trokiti.
Një vajzë e re me bishtaleca hapi derën.
– Urdhëroni!
– Deni është në shtëpi?
Ajo u mendua një çast.
– Jeni gabim. Këtu nuk ka Den.
– Po kjo shtëpi… ku banon Deni?
– Ne jemi me qira, nuk e njoh, nuk ju ndihmoj dot!
U përshëndetën.
U shtri ne divan, duke mërmëritur: “Ky qytet është dhënë i gjithi me qira. Ky nuk është më qyteti im!”. Një lloj dhimbjeje i ngushtoi gjoksin dhe u ndie vetëm, shumë vetëm… Dhe iu duk se koha për të ndenjur kishte mbaruar.
Një zile po binte pa pushim.
Ishte zilja e orës, apo dikush kërkonte të blinte shtëpinë e tij?

08.08.2020

Autori
Ilir Magjistari

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *