E nis këtë letër rresht pas rreshti e germë pas germe për tek ty. Të të bind se nuk jemi një lloj. Por nuk dua ta grisësh këtë letër. Dua ta mbash. Mbase një ditë do ma postosh si të jetë e jotja. Unë nuk kënaqem duke dashur të mos prek. Unë kam nisur të prek. Sigurisht që ti nuk di gjë, sepse nuk prek unë, prek ëndërra ime. Nuk e ke vënë re? Ajo bredh nëpër flokët e tu, lodron aty. Nuk e ke vënë re sa shpesh i rregullon flokët? Të duket se diçka kalon e t’i prish.
Ëndërra ime të kalon mbi sy dhe i bën të ndrijnë fort. Shihu në pasqyrë e do bindesh. Ata shpesh edhe lagen bukur. Ëndërra ime qëndron mbi buzët e tua. Prandaj ti qesh shpesh. Sa herë i lyen, ajo përskuqet nga ndrojtja, dëshira. Këmbëngulë të rrijë aty.
Ëndërra ime zbret mbi supet e tu. Nuk e ndjen? Nuk e ndjen sa shpesh i lëviz mrekullisht supet? Dhe bën mirë, sepse merr frymë mrekullisht. Ajo shpesh bëhet ankth dhe të merr frymën. Por është e bukur. Mos ma shaj ëndërrën! Ajo ndalon mbi gjoksin tënd dhe jep ato rrahjet që flasin… Që flasin e s’dinë çfarë thonë, sepse nuk i komandon më ti.
Ajo ndalon mbi këmbët e tua dhe ecën me to. Ti shpesh i ndjen të mpira e s’di ku të çojnë. Por ndihesh mirë, ndihesh bukur. Sepse ajo di të ecë me ty.
Përkëdhele ëndërrën! E ke në duart e buta e të bardha. Prandaj të dridhen lehtë. Kanë brenda ëndërrën time…
Ti nuk je më ti. Por mos ki frikë. Je më e bukur, je më e mirë. Je më guximtare. Nuk vdes dot kollaj,
sepse tani je me të, jeni dy.
I ndjen të gjitha, i ndjen! Je ti e pira e papirë.
Ahaha!… Je ti, por e pirë është ëndërra që të deh.
Ah, unë nuk dashuroj dot pa prekur. Sepse ëndërra m’i hedh prangat që sa lind e më mban peng.
Unë, mëkatari njeri!
Ishte për ty.
Tani po e nis.
Të erdhi?
Fol, të erdhi?
Zoti e dhëntë të mos mbetet rrugës! Nisu, nisu për këtej, mbase e gjen ku mbeti! Nuk dua të ngjyroset rrugës. Dua të mbetet e bardhë. Shumë-shumë, një purpur si i faqeve në thëllim. Aq! Le të jetë e prekshme, njerëzore.
Po iki dhe unë. Po nisem s’di për ku.
Nuk po më lë më ëndërra të bëj si dua…
25.12.2014
Ëndrra që prek

Autori






Be First to Comment