Press "Enter" to skip to content

Kinezja me nënë shqiptare

Ajo hyri në dhomë, na përshëndeti me kokë dhe shkoi drejt e te krevati i fqinjës. E puthi në dy faqet dhe nxori nga çanta shamitë e lagura. I lau duart, faqet, ballin. Pastaj nxori dy byrekë dhe një shishe dhallë të ftohtë. E ushqeu si fëmijë. Unë shihja me habi njëherë nga gruaja ime e njëherë nga vajza kineze. Fqinja i bindej sikur të ish fëmijë, edhe pse ish në moshën e gruas sime.
Pasi e ushqeu, e ngriti nga krevati, i veshi pantoflat, i futi krahun dhe e nxori në korridor për shëtitje.
Kur e ktheu në dhomë, i rregulloi çarçafët e batanijet, e futi mes tyre si një kukull dhe i dha porositë: të hante gjithë ushqimin e spitalit, të flinte e qetë dhe të mos kish merak për shtëpinë.
Kur u përshëndet me ne dhe doli, mua nuk m’u durua pa e pyetur fill fqinjën e dhomës të gruas nëse vërtet ajo vajzë kineze, me shqipen tironse, ish vajza e saj.
Ajo më tha se kur kishte ardhur një çift kinez, njëzet e ca vjet më parë, me të shumtët e Medresesë, kishin sjellë me vete edhe vajzën e tyre një vjeçare.
– Ata ishin gjithë ditën në punë, ndërsa vajzën e vogël ma besuan mua. Dhe unë i mësova shqip, e ushqeja, e laja, e shpërlaja, i mësova këngë e përralla. Por, ç’e do?! Do më iki! – tha, duke psherëtirë.
– Kur do iki në Kinë? – e pyeta.
– Çfarë Kine?! Do iki te shtëpia e burrit, në Shkodër. Do më këpusë malli.
Unë pashë nga gruaja ime dhe të dy ndamë në heshtje të njëjtin mendim. Fqinja kish goxha vajzë dhe shkodrani qenkej me fat.

Autori
Ilir Kadia

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *