Press "Enter" to skip to content

Ikja (Cikël poetik)

Dremitja e përkohshme

Humnerës së natës shkau dhe rrezja e fundit e dritës,
Tek derdhi bojë të purpurt horizontit, përgjatë.
Dremit më në fund kaprolli i ikur prej pritës.
I lodhur dremit edhe ujku me barkun e thatë.

Dremit një petal rrëzuar pa ndier mbi varr
Dhe lulja që ditën e re po pret për të çelur.
Pupla që zogut prej krahut i ra fluturimit të parë.
Fija e brishtë e barit, ende e pashkelur.

Dremit njeriu i mirë. Dremit po ashtu, krimineli.
Dhe dryni i rëndë në portën e hekurt të burgut.
Një fjalë e pathënë që burgut të dhëmbëve ngeli.
Ikona e shenjtit pranë shtratit të drunjtë të murgut.

Dremitin të gjithë, të ikur, të humbur, të mjerë…
Mbështjellë me kapotën e territ dremitet gjysma e botës,
Në pritje që drita sërishmi mëngjesit të bjerë.
Sërishmi dikush të jetojë, të vrasë, t’i falet ikonës.

Të zgjohet një zog, një kaproll në mes pyllit, një ujk,
Një lule e mbirë jo aq rastësisht ndanë varrit,
Besimin në Zot kush ka humbur, i plakuri murg,
Kyçet e rënda që varen në brez të gardianit.

Fija krenare e barit.
Dhe fjala që nata s’e mbyll dot në burg …

Ikja

Në sy, një shkreptimë rrufeje…
I imët shiu zbret pastaj.
Shoh largësitë përpara meje,
Të qaj më vjen. Dhe zë e qaj.

Ato tek treten mjegullisë,
Sikur më flasin, diç më thonë.
Por përshëndetje dot s’u nis.
Jam tepër larg. Është tepër vonë.

I mbetur shpirti përtej tyre,
Një prag, një rrugë atje, një varr.
Dhe shiu lag rrudha fytyre.
Rrufeja, sytë m’i djeg me zjarr.

Elegji për ditën që shkoi

Një gjysmë hëne, copëz e kokallës,
Të kujt ndër qiej eshtrat patën tretur…
Dhe mbrëmja ra si vello e përrallës,
Mbi dherat shkau, ujërave të fjetur.

Kështu do t’ndodhte. Bota ish në pritje.
Qirinj u ndezën yjet një nga një,
Tek shkon një fllad i lehtë si përshpirtje,
Për ditën që u tret e s’kthehet më.

Ishte e bukur ditëza e ndjerë.
Ishte e pastër – ëndërr virgjëreshe.
Por si një ëndërr u zvanit në erë
E pikëllim la pas. E mall. E heshtje.

La përmbi qiell gjysmën e kokallës,
Me gjysmën tjetër brenda varrit fshehur.
Dhe shkoi mbyllur në qivur të natës,
Një udhe që rrëfejnë qirinjtë e ndezur.

Ah, ajo ditë të ngjallej përsëri,
Që prej rrënojash, që mes territ mbetën.
Veç Zoti mund ta bënte, ky gjeni.
Por një gjeni nuk përsërit vetveten.

Ndaj do mbetet vetëm si kujtim,
Qirinj për të me zjarr tek digjen yjtë.
Kjo ditë shkoi rrugës së pakthim.
Dhe si ajo nuk do të ketë të dytë.

∗∗∗

M’i fal dy pika lot, o miku im,
Të qaj atë që përgjithmonë ka shkuar.
Aq shumë kam qarë sa sytë më janë shteruar,
Beharëve siç shteret një burim.

Dy fjalë më jep, o miku im i shtrenjtë,
Se fjala sonte fytit m’është lidhur.
Dy lot, dy fjalë, një lamtumirë e hidhur…
E mos t’i paça borxh në këtë jetë.

Këndon një qyqe

Këndon një qyqe përmbi portë,
Të strehës së rrënuar.
Por se askush s’kupton ç’po thotë,
Kë është duke vajtuar.

Mbi pirgje trarësh si kufoma,
Të mbetura pa varr,
Ç’ka mbetur për t’u qarë akoma?
Ç’la morti pa e marrë?

Pse lodhesh kot, o zog i mjerë,
Me kujën tënde strehësh?
Këtu ku mortja shkoi njëherë,
Nuk ke më ç’kob të ndjellësh.

Nuk ke se kujt i sjell mandatë,
Me klithmën tënde – vaj.
Ku era tund të shkretën portë,
Mjafton rënkim’ i saj.

Natë me hënë

Mbi sinor të largët shkau drit’ e ftohtë,
Nga fener i mekur, hëna si fener.
Bufi i pleqërishtes këngë nis t’ia thotë,
Fëshfërijnë gjethe – iso nëpër erë.

Oshtimë e lumit – psherëtimë e gjatë.
Vala i puth brigjet, puthje pambarim.
E përjetshme ndarja, ikje nëpër natë.
Shkundin përmbi botë yjet pikëllim.

Pikëllim të verdhë, pluhur i florinjtë,
Ujërave thërrmuar, fushave atje,
Tymit të një zjarri zgjatur porsi thinjë,
Ku dremitet qielli shtrojave me re.

Tek dremitet jeta – ëndërr e pafund
E si nina-nana bufi ia merr këngës.
Fëshfërimë e erës djepin e përkund.
Ndrin sinorë të largët drit’ e ftohtë e hënës.

∗∗∗

Nata është e ftohtë,
Hëna aq e largët.
Yje dritëpakët,
Vigjilojnë mbi botë.

Si një mijë qirinj,
Ndezur varrezës,
T’u bëjnë udhë territ,
Atyre që s’vijnë.

Humbur nëpër natë,
Nata-plumb në shpirt.
Si litar në fyt,
Pritja kaq e gjatë,

Për ata që s’vijnë,
Për ata që s’kthehen.
Ndizen, digjen, zbehen.
Varreve qirinjtë.

Qajnë përmbi botë,
Treten pa u ndjerë.
Udhët bërë erë,
Presin, por më kot.

Rekuiem

A e mban mend? Ish vjeshta në të dalë…
As fletë s’kishin pemët. E as zogj.
Lartohej vetëm thinjëza e bardhë,
E tymit të një zjarri që u dogj.

Pastaj prej zjarrit mbeti vetëm hi,
Si gjurmë e fundit e kujtimit tënd,
Por krejt u dogj e s’ndizet përsëri.
Ish dimri në të hyrë. A e mban mend?

Dhe u bë ftohtë. Akujt porsi heshta,
Nguleshin në shpirt. Oh, jo në mish.
A e mban mend? Ish në të dalë vjeshta,
Por ç‘dimër erdhi, ti nuk mund ta dish.

Syve të tu

Do të shkoj bashkë me dritën e diellit,
Errësirë kur të bjerë përmbi dhe.
Hedhur supesh një copëz të qiellit,
Si mantel të arnuar me re.

Do të endem tej edhe tutje,
Porsi era që bredh kuturu,
Me mantelin e grisur mbi supe
Dhe kujtimin e syve të tu.

Për një çast ndofta humbem përfare,
Kësaj nate mes territ të zi,
Por dy sy do ndizen si zjarre.
Edhe udhën do gjej përsëri.

Dhe sërish do shkoj nëpër dritë,
Asaj rruge që tretet në erë.
Mbaj me vete dy sy që bëjnë ditë.
Përmbi supe, mantelin e çjerrë.

Vjeshtë e tretë

Era zë e fishkëllen trishtueshëm,
Një motiv të lehtë, të pazhurmë.
Mbrëmja ul siparin e padukshëm,
Tek mbulon me të e fsheh çdo zhurmë.

Të një dite ikur si të tjera,
Sytë sa hap e mbyll, pa ndier fare.
Kompozon motiv funebër era,
Himn të dashurisë kalimtare.

Të një dashurie të përkohshme,
Si kjo ditë, e shkurtër sa më s’ka.
Terri bie – vello e përmortshme.
Dhe mbulon. Dhe fsheh. Dhe fshin gjithçka.

Autori
Klodian Kapllanaj