Pasqyra ime e dashurisë…
…jo gjithnjë më shfaqi të denjë
kur isha përballë me veten
të dashurat e mia ishin gjithnjë më të mira
secila kërkonte diçka të veçantë tek unë
dhe çuditërisht gjithnjë e gjente
dhe e dashuronte…
diçka që unë nuk mund ta shihja
diçka që nuk e dija që e kisha
pasqyrat e tyre ishin delikate
si kristale të dëlira
por unë e kisha parë veten
veç në pasqyra të thyera
dhe vetëm aty vetja më pëlqente…
Libido
tashmë polenin nuk e mbledh nga lulet e bukura
por nga krahët e fluturave të tua të çmendura…
ikur mëndsh s’mund të fluturoj më larg
se barku yt
aty është shëtitorja e buzëve të mia
në petalet pak më poshtë
dhe ujëvarat pak më lart
kam hequr dorë nga ajri i ndotur atje jashtë
rroj me pluhurin tënd të pastër
dhe pa sukses kujdesem çdo ditë për fluturat
që asnjëra prej tyre të mos largohet e paçmendur
dhe me krahët e çpluhurosur para kohe…
por ato jo gjithnjë çmenden
ndodh që edhe vdesin bashkë me ne
madhështorja vdekje e vogël
dhe ti s’ma thua kurrë këtë
nuk mban zi, por qesh
dhe me fluturat në bark
e mua në gji
e djersitur si avulli
iu fshin lotët
pjesëve të pabindura të trupit tim…
Gracka blu
çdo udhë e vjetër më duket e re
të rejat të gjitha të vjetra
por nëse ecja drejt vetes quhet jetë
zvarritja drejt tjetrit
nuk është domosdoshmërish vdekja…
qiejt i desha gjithnjë të vrenjtur
jo për t’u fshehur
por për të mos parë më shumë
dhe gjithnjë mbajta syze të errëta
për t’i mbrojtur të tjerët nga unë
kur isha i pambrojtur vetë…
bluja është gracka ku bien poetët
të dashuruarit e djeshëm
dhe retë…
neveritur nga e nesërmja
i lodhur nga konsumatorët e Pogonishtes
dhe paradat e statujave prej dylli
dola nga vallja sa pa u prerë pylli
midis pëllumbave të butë e kanarinave të kafazit
preferova patat e egra…
nuk doja t’u përkisja
e as të ishin të miat…
Përsiatje perëndimesh
që në lindje jemi mësuar
të shijojmë perëndimet…
perëndimi i diellit është fati ynë i shkruar
vdekja jonë e përditshme e mbushur me dritë
të vegjël binim në mendime kur dielli vdiste
dhe mbeteshim pa fjalë tek e shihnim të lindë…
pastaj u rritëm…
nuk shihnim më qiellin
por dy sy të tjerë…
dhe ja ku jemi përsëri
po perëndon dielli edhe këtë herë
dhe nuk jemi më fëmijë…
na hedh edhe një vështrim para se të ikë
jep dëshminë e radhës dhe ne e fotografojmë
dhe vetëm pastaj ai zhytet dhe shuhet
ky diell vetëvrasës
dhe perëndimi ynë i tij
i pafuqishëm si syri kur s’mund
madhështor si ajo që ishte
i pabesueshëm si çdo fund…
harruar aty
ku kujtesa është më e fortë…
Dhoma e zgjimit
dashuria e shkuar është një shtëpi
në dukje e braktisur
ku ti hyn pa pasur frikë
se do zgjosh dikë nga gjumi…
si qiraxhinj të vdekur
që akoma paguajnë
edhe pse të zotët janë larguar
aty banojnë kujtimet e të dyve
dhe pagjumësia e tyre…
dashuria e shkuar është një shtëpi
ku ti hyn i moshuar dhe fle si fëmijë
pa frikën se ëndrrat e tua
do të zgjojnë dikë tjetër nga gjumi…
Pendime të premtuara
veten time nuk e di ç’e kam
grua, të dashur a dashnore
një jetë të tërë mbajtur për dore
mikja që më qëndroi pranë
edhe kur e desha armiqësisht shumë
vetja është zonja ime e vetme
më ndëshkon duke mos më bërë skllav
dhe unë në shenjë mirënjohjeje
për të gjitha ditët që isha
dhe netët që mungova
për të gjitha fluturimet e rrëzuara
dhe greminat ku s’kalova
për të gjitha pendesat e shkuara
dhe mëkatet që bëra përsëri
i kërkoj ndjesë të thellë
duke mbetur po ai
dhe e falënderoj që më jep çdo ditë
mundësinë për të gabuar…
Mut në lulishte
“oh, ti je poet
me flatra dhe fletë?
tregomë ç’lexues ke
të të them cili je”
më thotë kjo grua pas banakut
të këtij bari global online
ku vinë shkrimtarë sqimatarë
meshkuj shtatzënë që pas dopios së parë
do abortojnë lexuesit e tyre
në fytyrat e njëri-tjetrit…
“me këta gjinj të hatashëm që ke
për ty mund të bëhem edhe lexues
që të mësoj cila je
dhe pastaj të ulem të shkruaj…”
dhe rrëkëllej gllënjkën nën shikimin e saj
të vështruarit nuk është shkencë ekzakte
por art….
duhet futur me dhunë në programet mësimore
për ata që flasin shumë
dhe mendojnë pak…
vërtet po unë ç’lexues kam?
në mijëra vargje dhe shkrime
duke u përpjekur t’u jap formën time
u bëra poezia e tyre e pashkruar
që amanet ua lanë të vjetrit
dhe tani më shkruajnë siç duan vetë
pa flatra dhe fletë
palexueshëm si sytë e të verbrit…
kohë të vështira për sytë
nuk ia vlen të shkruash
aq më pak të lexosh
prandaj sytë bien në mendime
dhe mendjet rrinë e vështrojnë…
dhe mëdyshja ime vazhdon
pa ndërprerë oratorët
me mirë lexues gjinjsh
apo autor vetmish
në përvjetorët aromatikë
mut në lulishte jemi
nuk na hedhin më ujë
por na ujisin
gëzuar ju orkide të bukura që na rrethoni!
mallkuar nevojtoret…!
Frikë e dashura ime
do bëjmë dashuri
ambientalisht të shëndetshme
pa ndotur jetën e të tjerëve
me lumturinë tonë të gjelbër
dhe nuk do harrojmë se e nesërmja
u përket atyre trimave
për të cilët frika nuk është një armike e egër
një tirani që i tjetërson
por një mike e mençur që i mbron
herë nga vetja
herë nga të tjerët
zakonisht kur vjen
por më shumë kur shkon…
diçka që të kujton hutimin e degës
kur mbi të vjen e qëndron një zog
dhe fëshfërimën qortuese të gjetheve
pasi ai është larguar…
Dafinat e humbjes
kalorës pa kuaj jemi sot
troku imagjinar drejt lavdisë
nuk na bëri dot të lumtur
nga të gjitha dafinat
që vetes ia vumë mbi kokë
mbeti veç ajo e dashurisë së humbur…
jemi këmbësorë të rëndomtë
që plazheve plot rërë të kujtesës
me atë pajisjen metalkërkuese në dorë
kërkojnë diçka që vezullon
me shpresë se ndriçimi i saj
do t’ua përmirësojë shikimin…
por ne jemi mësuar të kalërojmë
përndryshe nuk mund të jemi të qetë
shalojmë veten
dhe kërkojmë dashurinë e humbur
dhe kur e gjejmë
kemi humbur vetë…
(Shkëputur nga Revista Letrare – Dimër 2023. E gjeni në “Art’s Librari”, bulv “Zogu I”, Tiranë, Amazon e në çdo librari online të botës)









