Sa herë e takoj në korridorin e ndërtesës ku banoj, në parkingun e veturave, te kioska skaj rrugës, ku zakonisht blej gazetat e ditës, në ëndrra, madje nganjëherë edhe kur jam duke pirë kafe me ndonjë femër, ai më shikon me ata sytë e tij të kuq, ma zhbiron trurin si me tel të skuqur, m’i djeg nja një miliard neurone dhe pastaj stuhishëm më rrok një dridhje, këmbët më lëshojnë, fyti më thahet, balli më mbushet pikla djerse, fillon ngadalë një ngushtim në gjoks, pak më vonë pëlcet një dhimbje diku kah diafragma, që i shtyn organet e sipërme të trupit dhe presioni i tyre më shkakton zënie fryme, mungesë oksigjeni dhe unë, sikur copë mishi, plandosem përtokë, mbase shkumoj, jargavitem e shkarravitem, sepse, kur kthjellem pas disa orësh në spital, e gjej veten të lagur nga maja e mjekrës e deri te gjunjët.
Para do kohe qesh munduar ta vras veten. Mora litarin, që e kisha blerë paraprakisht për këtë qëllim në pazarin e vjetër dhe, duke mos pasur kulm ku mund të hipja për ta lidhur për ndonjë trari, dola nga banesa dhe pa shikuar anash u gjenda midis rrugës që ndan shtatë ndërtesat e lagjes sime me shtëpitë e reja të porsandërtuara, në fushën matanë. Picërrova sytë në atë terr dhe mëdyshjen se në cilën shtëpi të shkoja, ma hoqi një veturë që vinte ngadalë teposhtë qafës së rrugës. Kapërceva hendekun, një grumbull zalli, pastaj hipa mbi do dërrasa duke u ruajtur nga gozhdët, u vizhgata për do llugave të pluhurosura, shkela mbi një copë livadhi me bar të tharë nga çimentoja e derdhur gjithandej dhe u gjenda në ballkonin jugor të katit përdhes të një shtëpie të madhe, hijerëndë, me kulm të madh. Ngjita shkallët përpjetë, shpejt dhe arrita në katin e katërt. Pasi nuk kishte shkallë betoni që mund të më çonin në nënkulm, mora një palë shkallë hekuri, i mbështeta për muri dhe, pasi lidha litarin për beli, hapërova ngadalë dhe hipa lart. Lëngu i hollë i dritës vinte nga jashtë mjaftueshëm sa për të parë në atë terrim. Zgjodha dhomën më të madhe dhe e lidha litarin në mes të trarit të mesit të dhomës, ashtu që nëse organizmi do të reagonte për ta shpëtuar veten, këmbët të mos kishin ku të mbaheshin. Zbrita ngadalë, gjeta nja tri tulla, i palosa njërën mbi tjetrën, hipa, e futa litarin e përgatitur përreth qafës dhe, pak para se të shlirohesha përfundimisht, një zë burri shpërtheu tmerrshëm nga pas, andej kah dera (dritaren e kisha përpara, sepse dëshiroja që pamjet e fundit, ashtu të errëta e të shëmtuara, të më vinin nga jashtë shtëpisë):
-Ça muti je tuj ba, o hajvan?
-E ça po të duket! – ia ktheva me nervozë.
-Unë menova qi ke hy me vjedh najsen se për qi vjen njeri me myt veten ktu kurrë s’i kisha shti mentë!- tha ai me zë më të kujdesshëm, pa u afruar. I shihej vetëm silueta, në aso pozite që ta mbushte mendjen se në shokë kishte allti. Si vetëtimë më erdhi mendimi ta sulmoja dhe kështu ai të më vriste, por nuk doja kurrsesi që për vdekjen time të shkonte dikush në burg, madje as edhe një ditë, sepse nuk vlente jeta ime aq. Ashtu siç u tregua i kujdesshëm të mbante distancën, u tregua edhe në fjalë.
-Pasha mixhën, – tha dhe kuptova që ishte i vjetër – edhe unë kur jam kanë i ri si ti, – vazhdoi duke më quajtur të ri, ndonëse i kisha rrafsh dyzetë e pesë vjet, – mendojsha me vra veten, po shpirti i amel bre mixhë. Tybe nuk ja vlen me jetu as ni dakik n’ket farë jete, sidomos ktu, po ça me ba. N’fun t’funit kena me dekë bre mixhë, si sot që po kqyr ti me dekë si mas tridhjetë vjete, – e përfundoi ai dersin filozofik për jetën dhe vdekjen. Sipas tij, unë duhej të duroja edhe tridhjetë vjet. Duke e kuptuar që do të përpiqej të më ndalonte ta vrisja veten, u shtira se fjalët e tij patën ndikim, hoqa rrethin e litarit nga qafa, u ngjita shkallëve të hekurta ngadalë, arrita lart, kapërceva nga një tra në tjetrin me kujdes, e zgjidha nyjën ku e kisha lidhur litarin pak më herët, e pështolla për beli dhe po me kujdes e ngadalë zbrita, e përshëndeta mixhën pa i parë fytyrën dhe, kur mora teposhtë shkallëve të betonta, dëgjova dihatjen e frymës së tij prapa.
-E ku pe çon atë konop? – pyeti me nervozë.
-Është i imi, – thashë me drojë.
-Jo, nuk është, e ke marrë ktu, ktu le! – urdhëroi fare prerë dhe pikërisht në përfundim të fjalës së fundit, një tubë drite që erdhi nga fari i një veture i ra në gjysmën e majtë të fytyrës. Ishte musteqosh, me vija të thella të fytyrës, sy të vizëllueshëm të gjelbër, ballë të lartë krejt rrudha e flokë të rralluara të thinjura. U çudita si mund të përfundonte një fytyrë e tillë në roje nate.
-Por, është i imi! – u mundova të rezistoja.
-Le ktu e mos ba zhurmë! – bërtiti. E dija që e kishte nga frika se do të shkoja ta varja veten diku tjetër. Shpresonte që nëse sonte nuk do ta vrisja veten, nuk do ta vrisja kurrë. Nuk e dinte që tashmë e kisha vendosur. Por, ato çaste nuk i përballova dot qenies së tij, prandaj lëshova litarin dhe ika.
Kur u futa në hyrjen e ndërtesës ku kisha banesën, ktheva kokën edhe një herë nga shtëpitë e reja matanë. Roja me mustaqe ishte zhdukur. Më hynë të dridhura në krejt trupin. Kah doli ky njeri, që nuk më la të shlirohesha?!
U futa në banesë dhe shkova te çanta e mjeteve të punës, me të cilat nganjëherë mundohesha të rregulloja ndonjë aparat shtëpiak që prishej. Gjeta një tel goxha të fortë, por paksa të shkurtër. Megjithatë, mund të kryente punë. Shkova në dhomën e pritjes, tërhoqa zvarrë një karrige me ulëse të butë, hipa në të, e lidha telin për poçin elektrik, e futa rrethin e bërë ndërkohë në qafë dhe pa një pa dy u lëshova duke rrokullisur karrigen për mbrapa. Natyrisht se teli i poçit u këput dhe unë bashkë me disa shkreptima elektriciteti, që i vërejta prej këndej kapakëve të mbyllur të syve, për pak çaste fluturuam në ajër dhe ramë për dyshemenë e shtruar me parket ngjyrë dheu. Pasi m’u kthjell pak mendja, u ngrita dhe, ndonëse dëshiroja me gjithë mend të vdisja, u drejtova kah kuzhina, hapa derën e frigoriferit dhe mora një shishe uji të ftohtë. Bardhësia pothuajse boshe e brendësisë së atij aparati që ftohte vazhdimisht, m’i kujtoi bjeshkët e bardha të vendlindjes sime, të cilën kurrë nuk e kam dashur. Ftohtësia e ujit m’i trazoi fytin e mushkëritë. Hidhërimi me jetën, nervozizmi me gjithçka, vetmia, më nxitën të kërkoja helm, edhe pse e dija se në banesë nuk kisha diç të tillë. Minjtë e fundit që kisha vrarë datonin para kohës kur djalli kishte marrë me qira banesën fqinje. Prej atëherë, minjtë ishin shpërngulur te mjeshtri i tyre dhe nevoja për helm ishte zhdukur. Prandaj mora turr drejt derës, e hapa me vrull dhe vrapova me qëllim që të shkoja diku në ndonjë barnatore bujqësore, të cilat mund të ishin ende hapur atë mbrëmje dimri, për të blerë helm, jo vetëm të minjve, por çfarëdo helmi të fuqishëm, që do të më shlironte përfundimisht. Por, në korridor, në atë gjysmerrësirë të zakonshme, që krijohej nga vjedhja e vazhdueshme e poçeve elektrike, takova djallin, sytë e të cilit më shpuan anepërtej…
(Kurrë nuk arrija ta marr vesh se kush më çonte në spital).
Doktori, pasi mori frymë dhe e lëshoi atë duke hapur sytë më tepër se zakonisht, të cilët do të duhej të shprehnin keqardhje, më tha që më kishin mbetur edhe pak muaj jetë, sepse e kisha një tumor të madh në tru, që kishte prekur disa zona të ndërmjetme e çka di unë, fjalë të tilla që më gëzuan pa masë, aq shumë saqë fytyra e mjekut u bë sikur bukë e tharë pesëditore, me hundën që ndërkohë kishte filluar t’i skuqej, mbase nga inati pse po ballafaqohej me një njeri të këtillë, që nuk i nënshtrohej parashikimit të tij hyjnor. Pasi ngrehu hundët, u ngrit me vrull dhe tha: “Epo, jeta është e këtillë!”. Kurse, unë ia ktheva që jeta, megjithatë, është e mirë. Bëra pak pauzë dhe përfundova fjalinë që kisha ndërmend ta thosha: sepse merr fund shpejt. Nëse unë do të vdisja pas disa muajsh, madje kisha luksin e parashikimit të saktë, ai do të duhej, ndonëse ishte doktor, të jetonte me ankthin biologjik e shpirtëror të vdekjes, fundit, zhdukjes, mosqenies, ai që kishte tentuar me keqardhje të shpifur të më frikësonte, ai që mendonte se i kishte jetën dhe vdekjen në dorë, sikur të ishin topa biliardi. “Ditën e mirë!”, më tha shkurt doktori dhe ma ktheu shpinën.
Tashmë nuk kisha nevojë ta vrisja veten, as të kërkoja helm, as të hidhërohesha e nervozohesha pa masë, as të pikëllohesha nga vetmia. Por, e kisha një telash. Djallin e kisha prapëseprapë fqinjin e parë. Si t’u rezistoja syve të tij të kuq?
Fillova ta bluaja një plan si ta vizitoja djallin, pasi ashtu siç ndodhte zakonisht nëpër filma e libra, ku ai e vizitonte njeriun, nuk po ndodhte edhe me mua. Ai vetëm më shikonte me sytë e tij të kuq. Kaq. Edhe kjo ndodhte vetëm kur e tëra të linte përshtypjen se e takoja rastësisht. Pra, djalli po më shpërfillte me mjeshtri të hollë dhe kjo m’i acaronte nervat deri në pëlcitje.
Plan më të çmendur nuk mund të mendonte kush në botë!
Puna e parë ishte (dhe këtë vendim e mora pa kurrfarë shqyrtimi, sepse ashtu thjesht më tha zemra) të shpërngulesha për pak kohë në ndonjë motel, që të pushoja do ditë dhe të dilja e hyja pa frikë. Mendoja se së pari duhej ta kontrolloja frikën, pastaj ta vizitoja fqinjin e tmerrshëm me sy të kuq. Nuk i kisha problem as orarin e as paratë, sepse punoja shef i sektorit ekonomik në një qendër të madhe autopjesësh dhe pronari kishte nevojë për mua, sepse ia dija krejt të palarat. Vendimi i tij për të më përjashtuar nga puna do të thoshte vendim për ta çuar veten në burg.
Zgjodha motel “Qetësia”. Emër shumë i papërshtatshëm, sepse ndërtesa e motelit gjendej buzë rrugës automobilistike. U rehatova në dhomë dhe pas dy netëve të kaluara aty mes ofshamash të dashnoreve e prostitutave që sillnin hallku, takova në korridor djallin! E çfarë kërkonte ai këtu, arrita ta pyesja veten dhe kaq. U zgjova në spital dhe përmbi mua, duke më shikuar, nuk ishte ai doktori që mbante jetën e vdekjen në dorë, por asistentja e tij, mbase moshatare me mua.
Doktoresha përpiqej të dukej tip i dhimbshëm, sentimental dhe këmbënguli të më dërgonte në shtëpi. Nuk mund t’i thosha se tashmë kisha paguar shumë ditë që të jetoja në motel, sepse fshihesha nga djalli, i cili, sipas të gjitha gjasave më përcillte, pasi e kisha takuar edhe atje. Paratë e paguara më shkuan kot.
Ndërkohë, teksa ajo i jepte veturës së saj drejt lagjes sime, u binda se plani im kishte dështuar qysh në fillim. Por nuk u dorëzova.
Doktoresha u ngjit shkallëve përpjetë duke ma mbajtur krahun dhe pasi hapa derën dhe bëra përpara, dëgjova të më thoshte se do të vinte për të më vizituar. E ç’u bë tash edhe me këtë telashe? Mirë, i thashë, kur të duash. Nuk e ftova as për një gotë ujë.
Fillova të përgjoja çdo lëvizje të djallit. Ai dilte herët në mëngjes, nja dy orë para se të dilja unë për të shkuar në punë dhe kthehej vonë natën. Herë pas here shfaqej ashtu, shpejt dhe ishin pikërisht këto çaste kur e takoja dhe plandosesha për toke. Por, pasi tashmë kisha planifikuar përgjimin në detaje, takimi me të u shmang me ditë të tëra. Kisha nisur të bindesha se isha unë ai që u shpëtoja syve të tij, por jo ai syve të mi. Megjithatë, pas një kohe, kjo gjendje e luajtjes së rolit të spiunit dhe jo çfarëdo spiuni, filloi të më bezdiste pa masë. Pasi kaloi një muaj i vështirë, nga i cili dola i stërlodhur, kuptova që edhe frika kishte filluar të më zbehej. Mbase duke e parë se edhe djalli ngjasonte me njerëzit, pra nuk i dinte të gjithat e kësaj jete (ishte edhe ai me mungesa), tashmë mendoja për sytë e tij të kuq me mjaft qetësi në vete. Pas një kohe m’u forcua bindja se ishte e mundshme të mos e dinte që po e përcillja me aq vigjilencë. Në njëfarë forme kishte ardhur koha t’i shfaqesha unë atij! Por, një ditë e mora vesh arsyen e këtij mashtrimi djallëzor, pra pse ai shtirej se nuk dinte gjë.
Një ndriçim i zjarrtë përcolli hapat e tij në korridorin e katit të ndërtesës sonë dhe u zhduk si yll mëngjesi. Dola kujdesshëm dhe pasi qita kokën pak jashtë portës së hyrjes për të vërtetuar nëse djalli i kishte dhënë gaz veturës së tij të shtrenjtë, vrapova drejt veturës sime, hipa shpejt, e ndeza dhe ika në punë.
Dita e punës kaloi si zakonisht, monotone si retë e dimrit.
Telashi filloi kur u ktheva nga puna te lagjja e shtatë ndërtesave ku banoja. E pashë veturën e tij, një Aston Martin flakë të ri, të asi tipi që e ëndërron gjithkush e mund ta ketë vetëm djalli ose ndonjëri prej miqve të tij dhe filloi të më dridhej krejt trupi. Qëndrova ulur para timonit dhe përpiqesha të mendoja. Ishte fill çudi që një njeri si unë, që nuk e donte jetën fare, që kishte tentuar ta vriste pa sukses atë që i themi “trupi im”, frikësohej nga djalli. U ndala pak, mora frymë thellë dhe u mundova t’i rendis mendimet dhe ta rregulloj paksa hallakamën në kokën time. Ndieja pulsin e gjakut në damarin e ballit, ushtimën e qetësisë dhe u përpoqa për një çast të mos mendoja fare. Mbylla sytë, terri ma pllakosi trurin, por pas një kohe të shkurtër, vezullima frikësuese filluan të krijojnë figura të llojllojshme. Shtrëngova edhe më fort kapakët e syve dhe tashmë xixa flakëruese vinin drejt meje.
“Aziz, nëse don të vdesësh, përse nuk shkon drejt e te dera e banesës së djallit? Frikën pothuajse e ke mundur, pra je i gatshëm me vdekë. Ai ta ngjet për fyti, të ngulfat e të ndreq njëherë e përgjithmonë”, dëgjova një zë që vinte nga ato xixa flakëruese. Tybe mirë e ka, thashë edhe vetë. Është krejt e thjeshtë. Nëse më vret djalli, nuk kam pse merakosem për burgun që mund të hajë; ai nuk do të hajë burg fare, sepse është djalli, një ndër të fuqishmit e botës së padukshme, të asaj në të cilën kurrë nuk kisha besuar. Njëmend, pse ajo qenie aq e fuqishme, e cila vetëm me shikim më plandoste për toke nuk ka dashur të më vriste kurrë? Është enigmë që do të duhej ta gjeja. Por, kë ta pyesja? Nuk kisha kë. Në mendje më erdhi doktoresha me shikimin e butë, nga ku i rridhte njerzillëku e naiviteti i njeriut që e quajmë shpirtmirë. Shpirti? Ku është ai? Më duhet të takohem me djallin në katër sy. Kishte ardhur koha e vizitës sime. Sa do të doja t’i shfaqesha atij sikur që ai u shfaqej njerëzve kur kishin dilema të mëdha apo kur i tundonte ata duke ua premtuar pasuritë e botës në këmbim të shpirtit! Unë nuk mund t’i premtoja asgjë, përveç shpirtit! Por, si t’u rezistoja syve të tij? Koka ia nisi të më dhembte nga dilema të tilla dhe në buzë filloi të më dilte, duke më djegur, një puçërr. Sa herë kisha dilema të fuqishme, në buzën e poshtme më dilte një puçërr, pastaj çahej, pak më vonë më zinin ethet dhe e tëra përfundonte me disa injeksione të poshtra, që m’i jepnin infermieret pa asnjë dëshirë. Nuk doja të merrja injeksione atë mbrëmje, prandaj si hero ngordhalaq, por që nuk i ka mbetur rrugë tjetër, vendosa të trokisja në derën e djallit.
Porta e banesës së djallit u godit lehtë nga nyja e gishtit të mesit vetëm pas dhjetë minutave përgjim në atë heshti të lakuriqtë. Pasi nga vrima e çelësit u duk një ndriçim i zjarrtë, dera filloi të hapej me një kuisje ferri. U përgatita t’u rezistoja syve të tij.
-O Aziz! – thirri me ngazëllim ai.
U mahnita me zërin e tij joshës. Syve ju qëndrova, ndërkaq këmbët ende nuk më dëgjonin, edhe pasi tashmë kisha marrë ftesën për një kafe.
Më luti përzemërsisht të ulesha në një kolltuk ngjyrë gjaku. Përballë meje, në një vitrinë me hapje në mes, televizori jepte lajmet e fundit.
Djalli u zhduk për pak çaste dhe pikërisht kur spikerja po thoshte se mbi Kili qenë shfaqur ca objekte të paidentifikuara fluturuese, ai më solli një filxhan kafe. Shkuma e kafesë, e krijuar nga shtytja e aparatit, ende sillej ngadalë nëpër pusin e filxhanit dhe buzët e mia cikën lehtë pak lëng të zi.
Djalli më pyeti në isha më mirë. Mora vesh se herën e fundit ai e kishte thirrur me telefon ndihmën e shpejtë. Pasi qeshi, u shpreh se në motel e kishte zënë puna rastësisht.
Rastësisht a? – pyeta veten, në vend që ta pyesja atë. Sipas tij, kur mbetet njeriu (njeriu! – u çudita) pa femër, duhet të bëjë ca zgjidhje që nuk janë edhe aq në përputhje me moralin sipërfaqësor të shoqërisë. Vazhdoi pastaj të sillte shumë shembuj të moralit sipërfaqësor dhe të asaj që fshihej në zemrat e njerëzve. Ai ishte mjeshtër për këtë, e dinte se çka fshihej e çka gatuhej në zemrat e njerëzve. E dinte dhe për zemrën time, natyrisht. Prandaj, pas një kohe, pasoi pyetja e drejtpërdrejtë e tij:
“Pse Aziz më frikësohesh kaq shumë?”. Pas kësaj pyetjeje, m’u duk se rreth e rrotull meje u përhap një zjarr i ftohtë, shumë i ftohtë, i atillë që nuk e përjeton në këtë botë. Pasi e kuptova se po të mos përgjigjesha do të më zihej fryma, thashë:
“Nuk e di!”. U përpoqa ta ndërroj temën: “Unë kam shumë dëshirë të vdes, por nuk kam mundur ta mbys veten!”. Fjalët e fundit m’u duk se vetëm ia përsërita, sepse nga sytë e tij të kuq e kuptova se ai tashmë e kishte marrë vesh çka kisha dëshiruar të thosha. Natyrisht, ishte gjithmonë nja tre sekonda para meje.
Pasi u zhduk e u duk disa herë dhe gjatë kësaj kohe më solli edhe një gotë raki, pastaj copa mishi gjysmë të pjekura e disa gjëra të pakuptueshme për mua, një figurinë druri të një femre të deformuar, një çelës të thyer, disa lëvozhga molle të mykura, pastaj një legen hekuri, ku m’u duk se avullonin flliqni zorrësh, tha se unë duhej ta vrisja trupin tim pa asnjë hezitim. Ia ktheva që tashmë e kisha zgjidhur këtë problem, se trupin po ma mbyste tumori që rritej përditë diku në tru. Qeshi me të madhe dhe më ofroi shërim nga tumori.
“E pse të shërohem?”, ia ktheva.
“Për ta vrarë trupin tënd. Çka do të bësh nëse shërohesh?”, më pyeti. Do të isha njeriu më i palumtur në botë. Pastaj duhej prapë ta merrja mundin e ta vrisja veten. Mendja më shkoi te roja dhe këtë herë i pashë qartë vijat e fytyrës së tij, disi të buzëqeshura.
Djalli u ngrit vrullshëm, iu skuqën sytë si mos më keq dhe më preku me gishtat e tij të ndezur mu në lule të ballit.
U ngrita nga shtrati tërësisht i djersitur. Një herë dyshova që edhe kisha urinuar, por për fat kjo nuk kishte ndodhur. Shkova në banjë dhe në pasqyrë vërejta një shenjë të lehtë, ngjyrë rozë, në ballë. Pra, asgjë nuk paska qenë ëndërr!
Mendimi i parë ishte të shkoja te mjeku, kësaj radhe me këmbët e mia. Mjeku, që mbante topat e bilardos, nuk ishte më mjek. Ishte bërë kufomë nja tri ditë më parë, e kishin futur në dhe, pas një funerali madhështor, për të cilin ai nuk kishte mundur të dinte, sepse ishte thjesht i vdekur. Këto m’i tregoi (të tjerat konstatime janë të miat) asistentja e tij e deridjeshme, Lulja, e cila priste të avancohej në karrierë. Këtë nuk ma tha, por në sytë e saj naivë vërejta shkreptimën e pasionit për t’u bërë dikush. Deri dje kishte qëndruar nën hijen e të madhit mjek, që mbante topat e bilardos në duar. Pasi të dy topat i kishin rënë përdhe dhe ishin rrokullisur drejt në duart e Lules, ajo duhej të më rikontrollonte e të thoshte ndonjë fjalë hyjnore. Pasi bëri me radhë incizimet, konstatoi triumfuese se mjeku i madh kishte gabuar në rastin tim, ashtu siç kishte gabuar edhe në të tjera raste, por ajo nuk kishte guxuar të fliste. Autoriteti i mjekut të madh kapërcente gjithçka, edhe të drejtën për të treguar diagnozën e vërtetë. Sidoqoftë, ai mjek i poshtër m’i kishte dhuruar disa javë qetësi, madje mund të themi edhe lumturi, sepse më nuk mendoja për vetëvrasjen dhe prisja fundin i qetë, po të mos llogarisim telashet me fqinjin tim të parë. Kurse, kjo zuska me sy naivë, buzë të trasha, por të ëmbla, flokë të zeza e të lidhura për mbrapa thjesht, hundë të drejtë e paksa të gjerë, mollëza rrumbullake e lëkurë të bardhë me një nuancim të kuqërremtë, tashmë e ngazëllyer për zbulimin e vet, po më thoshte se nuk do të vdisja. Pasi e durova për pak çaste një duq në fyt, ia plasa vajit me të madhe. Dr. Lulja mendonte që e kisha nga gëzimi, por nuk shkoi shumë kohë dhe ajo u zhgënjye, sepse i tregova qartë se çfarë dëshiroja. Atëherë më shikoi gjatë, shumë gjatë, qetë, pa asnjë domethënie. Nxori telefonin nga xhepi dhe thirri dikë. Pas pesë minutash, që në dhomën e mjekes kaluan në heshtje, një zgjatavell hundëthyer u shfaq i zbehtë në derë. Më ftuan t’u shkoja pas. I përcolla gjatë nëpër korridoret e spitalit dhe vetëm kur e pashë fjalën “Psikiatria” mbi derën e fundit të korridorit të ftohtë, e mora vesh ku po më dërgonin. Një herë mendova të ikja, por nuk e di çfarë më mbajti!
2012






