Press "Enter" to skip to content

Ave, nëna ime!

Ku ishe ti?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit

Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

Ave, nëna ime!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç’është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s’ka asnjë kuptim që bie shi

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!

Akuarel

Shkalle-shkalle neper muzg ylli ngjitet ne heshtje
me syte plot lote.
Trendafili celi ne kopsht mu si nje psheretime
Zera te larget vijne e vdesin tek kjo ere

Zemra ime, si me harrove keshtu…

Përgjithmonë…

O ajr i mbremjes mbeshtillme, erdhi ora te vdes perseri.
Kur te mbyllen syte e mi, nuk do te kete me det
Dhe varkat e loteve kane per te ngecur ne stere.
Shkoj dhe shirat po i le te kyçura
Por do te kthehem perseri ne çdo stine qe te dua.
Une kam qene trishtimi i botes.
O ajr i mbremjes mbeshtillme, erdhi ora te vdes perseri.

Autori
Frederik Rreshpja

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *