Press "Enter" to skip to content

Kur vdesin hënëzat

Frederik Rreshpja ka lindur në Shkodër në vitin 1940 (disa studiues si datëlindje të tij pranojnë vitin 1941). Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkodër. Në vitin 1967 botohet vepra e tij e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare”. Kjo vepër dhe punimet e tij të botuara në gazetat e përditshme dhe revistat e kohës u pritën mirë nga kritika. Si për ironi të fatit, po këto vargje u përdorën më pas si ndëshkim ndaj tij. Regjimi i kaluar komunist e burgos Rreshpjen për 17 vjet, duke burgosur kësisoj dhe perlat që derdhte në vargje. Krijimtaria e Rreshpjes nuk dihet me saktësi, por, nga miqtë e tij të afërt thuhet se ka thasë plot me dorëshkrime. Ndonëse një poet gjigant, vargjet e të cilit janë cilësuar si më të bukurat në Ballkan, bënte thuajse një jetë eremiti. Ishte një ndër të rrallët njerëz që theksin e vinte te pasuria shpirtërore, duke mos e përfillur fare atë monetare. “Riku ka qenë armiku i parasë”, do të shprehen shumë prej miqve të tij. Ai jetonte me dhe për poezinë, pjesën më të madhe të të cilave ia ka kushtuar  humbjes, dhimbjes, vetmisë, që i shpreh aq mjeshtërisht në vargje të një individualiteti dhe bukurie prekëse. Jeta e tij përshkohej midis itinerarit Tiranë-Shkodër. Vdiq në vendlindje, më 17 shkurt të vitit 2006. Pasioni.net boton disa nga poezitë e tij, të shkëputura nga libri “Vetmi”, një dedikim i autorit për nënën: “Nënës sime, e cila ka vuajtur shumë pas meje nëpër burgje, internime e spitale. Me dhembshuri, Frederik Rreshpja.”

SHQIPONJA

Një avion ikën diku dhe zogu suprem
Vështron me përbuzje shpirtin prej duralumini
Që rënkon, nga një dhëmbje metalike.

Qetësohu, avion i lashtë i rapsodive!
Është ndarja njerëzore që ulurin qiejve
Ndjekur nga kavaleria e shirave.

DET

Hëna ikën nëpër mjegulla
Si varka e dhëmbjes sime.
Ëndrra ime për ishujt e kaltër
Nëpër dhëmbje, nëpër hënë!

Gdhënda në breg të detit pikëllimin tim.
Vijnë dallgët dhe bëhen lotë
Si lotët e miteve tek statuja ime
Por mua asnjë vdekje nuk më zë.

Perëndimi si vrasës me thika ndër duar
Nëpër dhëmbje, nëpër hënë.
Tërë jeta ime si këto ujra nën thika,
Por mua asnjë vdekje nuk më zë.

ZOG I VOGËL

Tani ti do të ikësh qiejve.
Por akoma fluturimi yt rrin në duart e mija.
Mos i harro duart e mija!
Në një çerdhe të tillë njerëzore s’ke për t’u
prehur kurrë më.

Shko, të presin qiejt!
Kam pasur shumë gjëra që i kam lëshuar me
duart e mija.
Kam pasur shumë dashuri që ikën një nga një…

Eh, fluturoi edhe gëzimi i fundit.
Hija e tij u bë hënë dhe ra në det.

KOPSHTI

Luanët e thyer të fëminisë
Pinë ujë tek pusi i vjetër;
Mbi zjarret e trëndafilave ngroh duart Saadiu
Me turbanin prej vese.

Shpesh nga mitet dalin satirët
Dhe hapin dyert e hijeve.
Vështron shtigjet e natës jasemini
Dhe drita i rrjedh nga gishtrinjtë.

Narcisi nxjerr supet nga gonxhet
I dashuruar nga bukuria e vet;
Unë ndiej në ballë daltat e pranverës
Që nga bari, sytë e mi gëdhënd.

SHI HËNE

Si arlekin që del për shëtitje
Në kopshtin e harruar të fëminisë,
Hëna e pikëlluar nëpër re
Shkel mbi degët e shirave.

Liqeni i vetmuar në breg të natës
Shqetësohet në krahët e erës
Dhe thellë, sirena e dallgës së kaltër
Loton mbi fytyrën e fjetur të legjendës.

Yjët në asfalt si perëndim i thyer
Dhe plepat si murgjër të zinj.
Fshehur pas drurëve, diku përgjon
Vrasësi i vjetër: trishtimi.

Eh, mundet që thika e trishtimit
Diku përdhe ka për të më lënë.
Fshehur nën një perëndim të thyer.
Fshehur nën shira hëne…

ZEMRA IME!

Në asnjë dorë të botës nuk më zë gjumi.
Isha mësuar me kokën në duart e tua.
E ke ditur që kam diçka nga deti;
Breg me breg dhe gjumi s’më zë.

Dua të shtrihem dhe të vdes
Por vjen ti dhe nga balta më ngre:
Kur male te tërë dot s’na ndanë,
Si do na ndajnë dy grushta dhe?

Ah, isha mësuar me kokën në duart e tua;
Tani edhe brigjet më gjumi nuk i zë.

SHIROKA NË DIMËR

Nuk ka më zogj. Fluturimet u fshinë.
Asgjë veç grunti primitiv i shiut.

Bregu mendohet tek këmbët e ujrave
Duke ëndërruar verën që shkoi.
Në rërën e harresës unë mbledh
Qeramikën e portetit tënd.

Sa e shkurtër kjo verë, o Zot!
Një grusht rërë dhe një grusht diell.
Tërë kalendari i verës vetëm me një të shtunë
Dhe tërë e shtuna vetëm me një puthje.

RRI SONTE TE UNË

Hëna mbi lumë vizaton
Një urë për ëndërrat e yjve;
Reja gri, si mall i harruar
Vë kryet mbi duart e pyjeve.

Ti erdhe nëpër udhën e hënës,
Çeli gonxhe edhe pragu i portës.

Rri sonte te unë
Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur!

PRELUD

O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të
vdes përsëri.

Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Për varkat e lotve.

Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura.
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qenë trishtimi i botës.
O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të
vdes përsëri!

KUR VDESIN HËNËZAT

Xhindi i vogël i përrallës
Hedh yje në pellgun e hijeve;
Te dritarja e gjetheve pashë
Hënën e shuar nga shiu.

Kur vdesin hënëzat, kur vdesin yjet
Jam si dikur fëmijë i dhëmbshur:
Qëllon që qaj i vetmuar
Mbi dritën e duarve të hënës.

Qëllon që qaj edhe për zogjtë
E trokas te gërmadhat e çerdheve
Pastaj u shpjegoj zogjve
Që edhe unë jam në këtë botë pa fole.

DHEMBJE

Ngjitet malli nëpër rrënjë dhe bëhet lule.
O druri i qershisë që të mbolli nëna ime
Unë jam vëllai yt!
Të dy me duart e saj na përkundi ajo:
Rritu rritu o biri im!
Rritu, rritu o druri i qershisë!

Eh, nëna ime nga njëra klasë tek tjetra:
– Bir, janë zemëruar perënditë.
Sa mirë kur ishit të vegjël
Dhe i faleshit tok Shën Mërisë.

Përkund era pikëllimin e luleve
A ndoshta duart e nënës vizatuar në erë.
Rritu, rritu druri i qershisë!
Unë s’kam për të lulëzuar më…

FAT

Unë për fatin tim pikëllohem vetë
S’dua të pikëllohet kush për fatin tim,
Më ndjek pas Perëndia e Humbjes
Me mermerin e thyer në luftra pakuptim.

Mirëpo unë jam pagan i vjetër;
Pa këtë fat të keq nuk ndjehem mirë,
Çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet
Kam dhe unë për prehje dhembjen time.

E çdo të preferoja tjetër përveç luftës
I ndjekur pas nga ky fat budalla?
Vërtet që kam fituar shumë pak në këtë jetë,
Por humbjet i kam patur të mëdha.

S’dua të trishtohet kush për fatin tim,
Se për fatin tim trishtohem vetë;
Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes:
Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë!

Autori
Frederik Rreshpja

One Comment

  1. I was curious if you ever thought of changing the page layout of your blog?
    Its very well written; I love what youve got to say. But maybe you could
    a little more in the way of content so people could connect
    with it better. Youve got an awful lot of text for only having
    1 or 2 images. Maybe you could space it out better?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *