Shqipëria dhe mitet
Shekujt për flokësh i kape,
Po s’munde t’i kalërosh,
Ata zvarrë pa mëshirë të tërhoqën,
Po nuk të vdiqën dot.
Durimin të çuditshëm e ke,
Dhe heshtjen të thellë si mallet,
Është koha të ulërish o popull,
Për të shkuarën më mos të falësh!
Gjumin që ia vodhe jetës,
Kërrusjen e thellë gjer në gungë,
Vdekjes hidhja pa drojë,
Gjaku të të ziejë shkumbë.
30 dhjetor 2006
Cili do të tallet?
Më jep
mendimin tënd
dhe unë do të jap mendimin tim.
Më jep
shpirtin tënd
dhe unë do të jap shpirtin tim.
Po atëherë
cili do të tallet me
NE?
20 shtator 1972
Portret i vendit tim
Hakmarrja e urrejtjes tek ti është,
Skllavërimi i shpirtit bredh ngado,
Dëlirësi e syve derdhet poshtë,
Përbaltet, zvarriset, ndyhet ajo.
Dhe erdhën bijtë e Baballërëve,
Pushtet masakrash bënë ata,
Me ca ushkurë nëpër duar,
Vërviten rrugëve bëjnë hata.
Kur ti ngarkon buzëqeshje Jete,
Kodosh pushteti ta gris atë,
Qeli, qefin, torturë, vdekje,
Në radhë janë vënë si gjithnjë.
Ky është portreti i vendit tim,
Zuzarë, kusarë dhe mercenarë,
Sundojnë e lindin pa ndalim
Dhe çdo masakër i bën krenarë.
2 dhjetor 2006
Ankthi
Blerindës
Sa herë të përgjoj frymëmarrjen,
Sa herë me kujdes të mbuloj,
Vështrimin e ëmbël blu
Prej qerpikëve e ndjej të pikojë.
Ngadalë e ngre dorën e vogël,
Një shenjë diku se ç’dërgon,
Buzëqeshja jote e gjumit të thellë,
Ankthin për të nesërmen më zgjon.
10 tetor 1970
Në sytë e tu është varur deti
F.
Prej afshit dhe misterit të natës
Vala harroi kripën mbi buzët e tua,
Unë humba sytë dhe buzët mbi to.
Kur drita thithi vështrimin tim,
Në sytë e tu ish varur deti…
Unë detin puth tani.
Sarandë, 3 korrik 1967
Ëndrra dhe vdekja
Nuk di në ëndrra kisha vallë
A vdekja sillte pre,
Por di që kënga ime e rrallë
Thellë kishte hyrë në dhé.
Aty dremitjen pat shijuar
Si t’ish një kënaqësi,
Sikur vetë vdekja e kish sajuar
N’errẽsirë të rrinte përgjithnji.
Unë desha ëndrrën gjithmonë pranë
Ta kisha jetë-e-frymë,
Ajo buzëqeshte plagë-vrarë:
“Do ngjallem në furtunë.”
Autobiografi
Asnjë ditë
nuk vjen më e trishtua,
Asnjë ditë
nuk vjen më e lumtur,
Asnjë natë
nuk sjell më hënë
dhe yje,
Asnjë natë
nuk i përcjell retë
e ngarkuara me shi.
Ka humbur
lëvizja e kohëve,
Ka humbur
lëvizja e stinëve.
Asnjë
dhimbje nuk ndjej
në trup
dhe
çuditërisht,
ka kohë që nuk
ndjej më
as rrahjet e zemrës.
“Ik, – më tha doktori,
Je kthyer
në mendim”.
Newton, 24 tetor 1998
Lasgushit
(portret)
I thirra kohët nëpër muzgje
Si t’ishin gjethe vjeshte e aq,
Po ti poet në dej m’i ndëre
Dhe gjak m’u bënë ato sakaq.
Ti hyre dhimbjesh, ndjenja-plage,
Ti hyre nervash nëpër jetë,
Unë ula kokën i harruar,
Po zëri i kohëve flet e flet:
Poeti vdes, poeti s’vdes,
Poeti flet, gjith’ kohërat ndez,
Poeti lind, gjith’ jetën lind,
Poeti shemb, me dhimbje vret
Poeti s’hesht, se s’di të heshtë,
Poeti shpirtin fal në botë,
Prandaj dhe bota Poet i thotë.
13 nëntor 1987
Fragment dhimbjeje në vend të mbylljes
Ah, vendi, vendi im,
M’i vrave të gjitha dashuritë,
Më le të varrosem me nostalgjitë!
Mirupafshim
Mirupafshim miku im tani,
O mik i shtrenjtë në shpirt ti je.
Ja ndarja afroi, këtë e di,
Po njëherë do shihemi ne.
Mirupafshim, mjafton përshëndetja,
Mos u ngrys, të vrenjtesh s’ke pse,
“E re në këtë botë s’është vdekja,
Po dhe të jetosh s’qenka gjë e re!”
Mirupafshim miku im tani,
O mik i shtrenjtë, në shpirt ti je.
Ja ndarja afroi, këtë e di,
Po dhe në Qiell duhet të ketë miqësi.
Jamaica Plain, 30 shtator 2008
Rinush Idrizi (Tiranë, 14 gusht 1938 – Jamaica Plain, MA 17 tetor 2008) ka qenë poet, studiues, kritik, si dhe ka realizuar punimet monografike kushtuar Migjenit dhe Ndre Mjedës. Pas diplomimit për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitin 1963, fillon punën si mësues i letërsisë në Politeknikumin e Tiranës dhe në gjimnazin “Skanderbeg”. Më pas, deri më 1969-n, në gjimnazin “Sami Frashëri”, ku evidentohet jo vetëm për pasionin për letërsinë, por edhe për përkushtimin në mësimdhënie dhe motivimin e studentëve. Deri në vitin 1973 jep mësim si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve dhe punon si redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, por regjimi i kohës e transferoi në shkollën fillore të Shëngjergjit, në malin e Dajtit, si dënim për vizionin liberal dhe perëndimor. Pas ndryshimit të sistemit, në vitet ’90 pati një rol aktiv në publicistikë, por shpejt u zhgënjye edhe nga pushteti i kohës, ndaj më 1995-n emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe dha frymën e fundit. Sot do mbushte 86 vjeç.