Cikël poetik
Anija prej letre
Zëri yt pret përgjatë dimërimit
Mbledh brigjet e brinjëve
Pranverën e anijes prej letre
Bulbëzon ylli i mëngjesit lundrimit
Një albatros a tejqyrë prej kthetre?
Kërkon të rimarrë anijen e ritmit
Sythin e parë, hartën, stolisur
Me degë bajamesh e lule përbri
Rrugëtim i venave në oqean
Ku shtrirë je mbi një pentagram
Savanë e fjalëve ku qiellza reket
Floknajë foljesh bora e parë
Zëri yt ëndërron brigjet
Anijen prej Letre
Në qiellzë të ritmit zbatica rreshket
Albatros ëndrra a tejqyrë prej kthetre?
Në qindra fjalë qysh nga bora e parë
Në buzët e tua sythet çelen
Ëndërrtarë, ëndërrtarë, ëndërrtarë!
Mëshojini rremave se tirania e gjuhës
Urdhëron tendosje
Spiranca e ligjërimit po ngrihet
Lëvizja është zgjedhim në zhvendosje.
Lëvozhga e fjalës pas një banketi shik
Pasi shishet e shtrenjta të verërave u pinë
U pinë të shtrenjtat shishe të verërave pasi
U grisën fjalitë e stërzgjatura
Kapota e vjetër zhele u bë ndërkaq
U mblodhën gotat e boshatisura
Gotat këmbëholla si balerina
Balerinat si gota këmbëholla
U vendosën për t’u shpëlarë në lavapjatë.
Fjalët si Hëna mbi të ftohtin Poseidon
Çarçaf mbi krater shikimesh opake
Fatëzuar në faqet e Perandorisë Romake
Mangall vetullbronxët ku Vezuvë të tredhur
Ndjekin Kadmosin sypërndjekur
Që i shkuli dhëmbët, shkronjat i mbolli
I bëri nëndetëse për peshq të vdekur
Sërish Guernika me sytë e përndjekur
Të një nate më parë
Shtreson hirin e portreteve tona
Materializuar mbi çdo fjalë
Copëza yjesh si fishek në armë
Mbi buzën e mbetur pa gjak.
Vazhdojnë të jehojnë si krisma fjalët
Artileri bisedat nga fronti i pendimit
Si gurë kështjellash të rrënuara
Mëngjesi i ditës tjetër përmes zgjimit.
Fjalitë tona grisen, bën sërish ftohtë
Rozafa servir kafe të kredhur në dhimbje
Ndër sytë e saj të ngrohtë
Vështron gishtat e mi qerosë
Si murgj budistë paqësorë e barkfryrë
Sinorin e porcelanit prekin butësisht
Cicën e bardhë të gojëdhënës
Mollëza si rrathë në trung të legjendës
Kur shtypet me gurë lëvozhga e fjalës
Kullon drejt kujtesës një lëng i zi
Derdhur e mbathur në porcelan të bardhë
Mëma e dheut çdo mëngjes si murim
(shfaqet vetëm me njërin gjoks përjashta)
Si qumështi që zbardh e zbut kafenë
Tridhjetë vjetët e ikura prej vendit tim.
I huaji
Më dukesh si tjetër njeri
një i huaj brenda vetes
shtjellë pëlhurë familjare
mbështjellë përmes fjalëve
kthimin në shtëpi
përpiqem të vij atje
përpiqem të iki nga ti
parabola e pëlhurës
shndërrohet në odise
personazhi përpiqet
të dalë nga trilli
për t’u bërë, çfarë?
Beze?
Çarçaf?
Velë?
Apo vetëm pak puhizë e mbarë?
Përpiqem të vij atje
përpiqem të iki nga ti
dyzimi bëhet thikë
çmërs në formën e arratisë
shtatori është përherë
një lloj kthimi drejt rehatisë
spirancë në shtrat
zahire dimri
sezon i ri shkollor
zekth që bie
bashkë me rënien e gjethes
dekoruar me medalje vjeshte
në luftë e sipër
ngujuar në trup të askundit.
Përpiqem të vij atje
përpiqem të iki nga ti
për ne të ikurit (si unë edhe ti)
çerekshekulli nga atdheu
nuk është pak ndjesia
e brishta e lind brishtësinë.
Përpiqem të vij atje
përpiqem të iki nga ti
e brishtë, kjo lidhje shpjegon
veç çerekun e dheut amë
pjesa tjetër është nën ujë
si fjalët e tua kur më thua:
“Shqipëria për ne është si
një drogë që na mungon”.
Dita e Blumit
Në kohë të ndryshme
nuk jemi i njëjti lexues
i të njëjtës orë
këtu e njëzet e katër metafora më parë
si do të ishin jetët tona pa praninë
e zogut të ëmbël të paradoksit?
Aty janë të lidhura të gjitha foljet
për ata që duan folinë
folenë. Ky vend arktik
prania e njeriut përngjan si çudi
midis bishave dhe brigjeve
çast dilemë
vramendje violinçel
borë e pashkelur
fletë e bardhë
të gjithë jemi qiraxhinj mbi këtë tokë
me një kile “të ardhme”
në trastën e ushqimeve
zverku i njeriut dhe putra e zgjimit
gështenja midis bishës dhe shikimit
romeopatisë dhe tragjedisë
lind papritur një histori
nga ato me detektivë dhe arrati
me shërrrr dhe kafshime
me puthje të avullta, afshime
me ndukje, me penetrime
me “Të urrej dhe të dua”
I hate you and I love you
era e veriut me njerëz të mërkurash
kur mërkuri bie
dita më e vetmuar e të gjitha ditëve
e mërkura si ishull, as andej as këndej
as fillim as fund, as e hënë as e premte
as ngrohtë, as ftohtë
temperaturë zero e njeriut.
Për një të vetme ditë si kjo, Gjithkush
Duhet të mbartë brenda vetes
Pak Irlandë.
Mani i Files
Ka ca dregëza të ëmbla ku
vjen dhe të mbështjell një man
në kapërcyell
derdhet brenda teje
si gurët e sokaqeve
portat me panxha hekuri
mal myshku malli
në zbathtësinë e këmbëve
mbi trungun e një mani.
Fëmija
frutat i këput me gishta
bistakun e sythit poetik
përmasa me të cilën mat veten
për be, asnjë objekt tjetër
as qenia me stigma dhe sfinks.
Hapësirën prej teje
kjo degë
vazhdon përditë të shohë
pemën e Files
me rrënjë ngujuar tokës
fruta drejt qiellit kërkojnë
diell kujtimesh të mbarsura
me kokrrat e manave.
Njeriu mes frutit
shtresuar në ngjyrat
e lulediejve dhe veshit të prerë
të Van Gogut
nën optikën e fjalëve
“Kujdes se bie nga mani!”
Gjeratore dega e sipërme
qeni që leh nën trung
kufiri si teh thike.
Atje lart!
Krishti midis Kryqëzimit dhe Ringjalljes
Atje poshtë!
Odisea zbret në Had
Përmidis!
Eros dhe Thanatos
Sa libra kemi lexuar nën manin e Files?
Veç Dante i kish provuar ato fruta me ne.
Qentë ishin bërë Cerbër ndër shkronja
dhe ai kishte gishta tejet të brishtë
(si unë dhe ti)
ballë portave të Ferrit.
In Vino Veritas
“In vino veritas!” – pra, miqtë e mi
në këtë cep të botës ku dielli është luks
çasti bëhet shekull mirësie
djeg dimër duke djegur prozë
një notë muzikore thjeshtësie
duke besuar te fjala, miqësia, oxhaku
koha jonë me gjallesa, mure, fortesa,
kështjella dhe bluxhinset e dikurshme
që i vishnim pa brekë
si të shkuarën e një
“Si ta kuptonim zanafillën?”
Kur ende nuk e njihnim Zarathustrën.
Sot të mbathur me
gjashtëqindegjashtëdhjetegjashtë
penevereke rehatie
nuk na mungon asgjë
përveç peshës së lehtë
të të jetuarit
si pupël.
Xhota
Hapësirë midis dy notave
Kjo luginë e heshtur ku rrjedh lumi
Më kujton Xhotën, shef-orkestre
Dirigjent virtuoz e njeri babaxhan
Kur një kordë dilte prej ngastre
I kthehej korit të zërave – “Hajvanë!
Mos më qini veshin”.
Mos më qini veshin
Këtë ditë dhjetori pse m’u kujtua
Me sy kujtimesh, sërish Xhota?
Ftohet qiellza fellë zgafellës sime
“Flurans, mos i kthe shpinën lumit”
Nën pardesynë e zërave
Partiturë e borës dhe gjumit.
Midis dy malesh zgjatohet ky lug
Jaka e strëngur e pardesysë
Puhizë pëshpërima e zërit të Xhotës
Rizgjon kadencën e pritshmërisë
Kohët muzikore dhe shkopin i tij të artë
“Zëri yt Flurans është bërë
për të mbërritur gjer këtu
asnjë oktavë më lart”.
(Shkëputur nga Revista Letrare-Pranverë, në print)