Press "Enter" to skip to content

Fjalët e fundit të Spartakut

Jam varur në trekëmbëshin e agut
me ballin përkulur drejt vdekjes
sepse nuk e përkula ndonjëherë… për së gjalli!

O vëllezër që kaloni kokulur në mejdan,
duke zbritur në fund të mbrëmjes
drejt rrugës së Aleksandërit të Madh,
mos kini drojë, ngrijini sytë nga unë
se edhe ju jeni varur pranë meje…
në trekëmbëshat e Cezarit.
Vështromëni,
se ndoshta ndeshni vdekjen në sytë e mi
e atëherë shuarja brenda meje do të buzëqeshë,
sepse ju i ngritët kryet, qoftë dhe një herë të vetme!
“Sizifi” nuk e mbart më shkëmbin mbi supe;
tashmë e mbajnë ata që lindin në shtratin e skllevërve.
Deti është si shkretëtira… nuk e shuan etjen
sepse ai që thotë “jo”, e shuan etjen veçse me lot!
Prandaj ngrijini sytë drejt kryengritësit të varur,
sepse edhe ju do përfundoni si ai… nesër.
Puthini gratë tuaja… këtu… në rrugë,
sepse këtu do ta shihni veten… nesër.
Nënshtrimi është i hidhur,
merimanga mbi qafat e burrave thur vdekjen.
Prandaj puthini gratë tuaja,
unë e lashë timen pa lamtumirë
dhe nëse ma shihni djalin,
që e lashë në krahët e saj… pa njërin krah,
mësojani nënshtrimin!
Mësojani nënshtrimin!

Zoti nuk ia fali Djallit mëkatin
kur ai i tha “jo”!
Të bindurit e nënshtruar
janë ata që trashëgojnë tokën në fund,
sepse ata… nuk çohen në trekëmbësh!
Prandaj mësojani atij përkuljen!
Nuk ka shpëtim.
Mos ëndërroni një botë ku jetohet në lumturi
sepse pas çdo Cezari që vdes, lind një Cezar i ri,
pas çdo kryengritësi që vdes,
mbeten vetëm dhimbje pa dobi…
dhe një lot i kotë!

O Cezar madhështor: kam gabuar… e pranoj!
Më lejo të ta puth dorën që nga trekëmbëshi im,
ja ku po puth litarin,
që më mbështillet në qafë –
ai është dora jote, është lavdia jote,
që na detyron të të adhurojmë.
Më lejo ta shlyej mëkatin,
të ta dhuroj kafkën time pas vdekjes,
që ta shndërrosh në kupë për pijen tënde të fortë.

Nëse ma plotëson këtë kërkesë…
dhe të pyesin për gjakun tim dëshmor
nëse më dhe “qenien” që të ma marrësh qenien,
thuaju: Vdiq… pa pikë urrejtje për mua
dhe kjo kupë, që dikur ishte kafka e tij,
është dëshmia që e kam falur.
O vrasësi im: Unë të kam falur…
në çastin kur shpëtove prej meje:
edhe unë shpëtova prej teje!

Por të lë amanet: nëse do t’i varësh të gjithë,
ki mëshirë për pemët!
Mos i prisni trungjet për t’i kthyer në trekëmbësha,
mos i prisni trungjet,
se ndoshta vjen pranvera
dhe e gjen vit zie
e nuk nuhat në degë aromën e frutave!
Mbase vendi përjeton një verë të rrezikshme
e të lipset të përshkosh shkretëtirën
në kërkim të një hijeje,
por nuk do gjesh veçse zheg e rërë,
zheg e rërë
dhe etjen që përvëlon shpirtin!
O zot i epitafeve të bardhë në terr…

O vëllezërit e mi, që kaloni kokulur në shesh,
duke zbritur në fund të mbrëmjes
mos ëndërroni një botë ku jetohet në lumturi,
sepse pas çdo Cezari që vdes, lind një Cezar i ri!
Nëse rrugës shihni Hanibalin,
rrëfejini se e kam pritur gjithë kohën
para dyerve të Romës së drobitur,
e pritën edhe pleqtë e Romës nën Harkun e Triumfit,
e pritën edhe gratë romake me sjellje të shfrenuara,
pritën me durim ardhjen e ushtarëve…
me koka berberësh kaçurrelë
por Hanibalit nuk i erdhi
kurrë ushtria e tij!
I tregoni se e prita dhe e prita…
por ai nuk erdhi!
Unë e prita… derisa përfundova në litarët e vdekjes!
Në horizont, Kartagjena digjet nga zjarri
Kartagjena që ishte ndërgjegjja e diellit,
mësoi kuptimin e gjunjëzimit.
Merimanga është mbi qafën e burrave,
ndërkohë që fjalët mbyten.

O vëllezër: Kartagjena e virgjër digjet,
prandaj puthini gratë tuaja!
Unë e lashë gruan time pa lamtumirë
dhe nëse ma shihni djalin,
që e lashë në krahët e saj, pa njërin krah,
mësojani nënshtrimin…
mësojani nënshtrimin…
mësojani nënshtrimin!

Përktheu: Elmaz Fida

Amal Dunqul (1940–1983) ishte poet egjiptian, zëri i rebelimit dhe rezistencës arabe. Lindi në provincën Qena, në Egjiptin e Jugut dhe u rrit në një familje modeste. Mbeti pa babanë që në moshë të re, çka ndikoi ndjeshëm në jetën e tij. Edhe pse filloi studimet për letërsi në Universitetin e Kajros, i ndërpreu ato dhe nisi të punonte në sektorë të ndryshëm, për të jetuar. Ishte një njeri me karakter të fortë, shpesh në konflikt me autoritetet për shkak të bindjeve të tij.
Dunqul është i njohur për poezinë e tij të fuqishme politike dhe sociale. Ai u ndikua nga mitologjia arabe dhe klasike, por mbi të gjitha nga realiteti i ashpër i kohës së tij. Poezia e tij shpesh është e zymtë, e zjarrtë dhe sfiduese. Shumë nga poezitë e tij u censuruan.
Ndër veprat e tij më të njohura është poema “Mos u pajto!”, një thirrje e fuqishme kundër çdo marrëveshjeje me pushtuesin e padrejtë. U bë himn i rezistencës palestineze dhe u ndalua në disa vende.
Dunqul përfaqëson zërin e ndërgjegjes së lënduar arabe. Ai nuk iu nënshtrua asnjë regjimi dhe i qëndroi besnik zërit të së vërtetës. Shkrimet e tij janë shpesh dialogë me figurat historike, mitologjike ose fetare, të cilat i përdorte për të reflektuar mbi realitetin bashkëkohor.
U nda nga jeta në vitin 1983 nga kanceri, në një spital në Kajro. Vitet e fundit të jetës i kaloi në varfëri dhe në dhimbje, por me nder dhe dinjitet intelektual. Poezitë e tij vazhdojnë të lexohen gjerësisht në botën arabe, si simbol i rezistencës dhe lirisë.

Në një nga numrat e ardhshëm të Revistës Letrare në print do të sjellim të plotë poemën “Mos u pajto!”.

 

Autori
Amal Dunqal
Autori
Elmaz Fida