Press "Enter" to skip to content

Përmbledhje poetike

Në tri kohë

Pavarësia
As dje as sot as nesër
Në tri kohë
Sa pavarësia
Zemrat nuk na ngroh
As dje as sot as nesër
Në tri kohë
Pavarësia
Vetë jeta është kjo
As dje as sot as nesër
Në tri kohë
Pavarësia
E bukura nuse o
As dje as sot as nesër
Në tri kohë
Pavarësia
Shqiponjë fluturo

POEZI

Sa herë mbushesha me të keqen,
tek ti zbrazesha, poezia ime,
sikur ndjehesha më mirë,
si zog kaltërsive n’fluturime,
Mike më mbete, e dashur intime,
nuk të ngarkova me stërkeqen,
as njerëz nuk përfola kurrë,
me fluturat zihesha si i vogël,
me diell e hënë tash si burrë.
Lulet i kam pjesë jete gjithmonë,
kryefjalë i kam në vargënim,
tregues është e bukura e dheut
me kurorë mbretëreshe në kokë,
me fustane të bardha si bora,e imja,
flokëzeza, syshqiponja, belholla.
Mat e ç’mat fjalët, m’ikin netët.
Eh, sa netë më ikin për një poezi!
E di për ku jam nisur,
udhën marr për të dalë malit,
kur pikë i vë zbrazjeve të mia,
lirohem nga një ankth i rëndë,
gëzohem për një lindje të re,
si nëna që gji i jep djalit…!

FRIKË NGA FJALËT

Guximin e fjalës ende s’e kam marrë,
kam frikë se ajo po më vret,
sigurinë s’e kam kur duhet vare,
herë- herë më rri urtë e më shumë më flet.

Një fjalë mund të më shpojë si halë
e shumë të tjera më tresin si lumi,
s’e di ku duhet të ndalem,
do të jem i mjerë apo ai, fatlumi.

Mendimet më kanë fashitur fare,
mbi vargje eci, si nëpër teh shpate,
këmbësor jam dhe shihem si n’dritare,
udhë më udhë, i valerësuar fare.

Sikur ta dija për ku jam nisur,
falë i kisha, falë, të gjitha fjalët
dhe do të rrija me shpirtin tim të molisur,
po lulja s’është lule, po s’i pati petalet

Ah, të kurorëzohem me trimërinë,
fjala të flatrojë, mbyllur po më vret,
ta them atë që brenda po më ngrin
e unë pastaj ta shpall veten mbret…!

KORRESPONDENCË

Asnjëherë në jetë,
edhe në tatëpjetë
nuk kam dyshuar për dashurinë,
se zemër e shpirt t’i fala
për këtë jetë.
Vështrimi i syve të tu
më bën me krahë jete
n’fluturim pandalur jepem
zëri yt, burim për suksese!
ndjenja na lidhi që të dy
në Prishtinë,
në një mejhane,
kur u pamë sy më sy…!

LOTËT E ZEMRËS

Dhembja është sinonim i zemrës
ku s’ka dhembje kurrë,
por digjet zjarri i dashurisë,
s’mund fluturojnë shqiponjat,
përleshjet e shpirtit përplasen
hullive të ballit tonë,
mosha jonë është moshë murgu,
në trutë tona ka çelsa burgu,
në male është rinia e blertë,
në gjokset tona një det,
e detarët me valët kanë miqësi,
me dhjetra e qindra vjet,
fytafyt me përbindësha vetmie,
me vëllezër e miq e shokë,
të pandashëm as sot as kurrë,
ata të ofrojnë pakëz diell shprese,
por asnjë kokërr grurë…!
Këngët ne i rrahëm me thupër thane,-
më pati thënë një mik dikur,
që atëherë shumë ujë ka kaluar nën urë,
se një fjalë nga mërgata ‘e fola shqip
as unë, as nënëmadhja e lumnueme,
unë, të gjithë ata që u rrahën me kamxhik,
i ruaj në zemër,
i marr në mbrojtje, si më i miri mik…!

TË PATA THËNË

Më pak se katër vite
të njoha, s’të harrova dot,
unë, mesoburrë i thinjur,
s’të ujita gjer më sot.
Freskinë e ke ruajtur,
nurhijshmja e parreshkur,
në zemër e shpirt
thellë më je ngjeshur.
Sa të dua nuk ta them,
e ëmbla, mjellmë moj,
metaforë e vargëzimit,
kam frikë mos të lëndoj.
Herët ta vura kurorën
e të shkova në sy,
kur ta shtrëngova dorën,
e gjithë bota ishte aty.
Të gjitha gjuhët i fliste dashuria,
të pata thënë mike: Ditën më je diell,
natën hënë, mbrereshë në qiell,
ti, më je fanar i rrugëtimeve të mia..!

PËLLUMB I BARDHË

Zemrën diell e pate përherë,
emër përballë stuhish,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Djepat praruar n’truall,
mjeshtërve emrat ua dinë,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Thellë në damarët e tu
dëgjohet zëri i lirisë,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Danjollët karpatianë n’teh shpate,
miqve shpirtin ua hape,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Je këngë, porosi dykrenore
stoike, mendësh e durimit,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Kosova po ngre dollinë
në pragun e dasmës sate,
Pëllumbi i bardhë
në liqenin e gjakut .

LULES

Sajova një lule
mes dritave, ngjyrave,
më lindi kënga,
tërë jetën e këndova.
U dashurua në lulen,
ku sot e mot
njëra- tjetrës i përkulen,
dashuria ishte fshehur
thellësive të zemrës
për të gjetur rrezen e diellit
në ballë plot mall….
Unë e pashë në tërësi,
kur hyri tinëzisht tek unë
e s’mund ta gjëja
nga goditjet e saj,
të zjarrta si rrufeja,
gjithmonë, gjithherë,
hijeshorja, stinë pranverë…
Lulja kurrë s’ishte epur,
edhe kur çmendet dashuria,
pjesë e saj ishin që të dyja,
mendimet aty rrinin
kur ditët për dore i zinim …!

PEIZAZH

Para meje shfaqet një kopsht
me formën e zemrës
e frymëmarrja ime
ka ritmin e saj,
ritmin e këngës.
Pranvera pranveroi me vonesë
përkundër thirrjeve tona,
peizazh i plagosur
erë gjaku mban,
dhembja, si dritë neoni,
mbart mundimet
ballëplasura nga dielli.
Eh, sa herë i grushtova
kukuvajkat deri në prag t’çmendisë
për të hipur mbi supet e engjëjve,
me barrën e lotëve të gëzimeve,
e kurrë s’kërkova mëshirë.

PËRTEJ OQEANIT TË ZEMRËS

Sa herë më vrave netëve të mia
e netët ditë u bënë me Ty,
bota e çmendur sillet vërdallë,
heshtja vrastare e zogut frikacak,
ankime e rënkime fatesh përballë.
Ani vdis kur të duash,
një pikë loti ta kam borxh
e ti ende se ke ndier,
bukurisë sate s’i kishe besë,
verbërinë ajo ta sjell.
Dashuria belbëzoi fjalët e para,
ajo luan me ndjenjat e zjarrta,
jeta pa të një fjalë mangët ka,
dashuria emrin e ka kala.
Unazën prej gishtit do ta shkul,
përtej oqeanit të zemrës,
në shpirt të një trungu do ta ngul…!

TRE TRËNDAFILA

Në taracën e kafenesë “Renesansa”,
nëpër vrimat e grilave
rrezet e diellit
copë-copë të thyera.
Hyjnë brenda të lehta
hapat e një nëne
e rrotat e karrocës
më rrëshqasin në mendje.
Për foshnjën e mitur
tri gjethe tërfili,
në trotuar
tri gonxhe trëndafili.
Kësaj radhe raki nuk piva
as teke, as dopio,
“trio”- kamerierin porosita,
gotën me fund e zbrazja
për shëndenë e tyre,
ndryshe do plasja..!

Autori
Esat Loshaj

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *