Po plas
Dashuri,
më qëndron varur,
hënëtrishtë nëpër degë-erë
dhe unë zvarritem kaq vite pas teje,
rend e rend,
cep me cep,
në amullinë e globit,
(kokrrizë frymëjete e pangjizur),
kërkoj gur më gur,
unë jam erëvala,
ti borëstuhi,
viteve e thinjur të kërkoj,
pafund dashuri.
Po plas!
Deri në lëkurën e fundit të universit,
bërtas:
Po plas!
Po plas!
Apostrofë
E zverdhur,
letërmalli nga pëllumbposta,
kur në lëkurët e regjura të gishtërinjve,
me le dy fije floku,
si erëshall…
Ca thinja të shkrumta,
i thura gërshetmall!…
Sot është e diel
E dielltë,
sot e diela jonë,
përmbytur me harmoni,
do pastrojmë formën e ngrohtë,
të çarçafëve që shpupuriten,
në ballkonin e mugët të shkurtit,
(në erëmirën e byrekut)
do pastrojmë gjethet e fundstinës,
buzëgjerdheve me sinore të myshkëta
ku sqetullojnë sythet e njoma,
nga musendrat ku erëmojnë ftonjtë
sëndukët me jasemin,
magjet me bukëmbrume…
Thërrimet si balerina gazmore,
hallakatur në tavolinë,
u shkundën mbi luleborë….
Trëndafil
Mbi një eshtër të blertë,
pushi i purpurt ledhaton.
O mrekulli,
lëngu i puthjes mëkaton!
Akuarium
Nudo, si perëndi e egër,
në rrugën e zbrazur vrapoj.
Trupi im,
qenka apokalips i përmbysur mbi baltë.
…Eh,
për një puthje botën do vras.
Akuarium!
Një peshk vallëzon.







