Elinda Marku ka lindur më 20 shkurt 1969 në Rubik (Mirditë). Ajo ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Prej vitit 1999 jeton në Michigan, ku është kryeredaktore e revistës së përmuajshme shqiptare “Kuvendi”, që publikohet në Amerikë. Marku është autore e tre librave poetikë të botuar: “Dy herë e virgjër” 1994, “Struktura e ferrit” 1996, si dhe “[email protected]” 2003, por shumë shpejt do të kemi mundësi të mbajmë në duar edhe librin më të ri të autores “Mëkati i katërt”, i cili është në proceset e fundit të botimit.Pasioni.net ofron për lexuesit disa nga poezitë e saj, ku shprehet qartazi talenti dhe pena e fuqishme, shpirti i ndjeshëm: burimi prej nga rrjedhin vargjet e bukura.
Nuanca zemërimi
Me ngjyrë zemërimi
do ta vesh të sotmen
Të djeshmen,
me ngjyrë harrimi!
Të nesërmen,
ylber do ta bëj!!
Nuk të dua më!
Megjithatë …
Nuk dua të të pyes;
përse më shtyn,
kaq pamëshirshëm
drejt humnerës së ndarjes.
Aty ku urrejtja si egërsirë
kërcëllen dhëmbët ulëritshëm
duke pritur mishin kaq të ëmbël
të dashurisë time!
… Nuk të lëshoj.
Në gojë të errësirës pa ty
nuk hyj!
Nuk dua të të pyes
ndonëse dua të di,
Kush të shtyn
të më shtysh???!
Ditë të veja
Përralla që më tregon
varri i nënesë
çdo mbrëmje në ëndërr
je ti.
Të buta dhe mizore
duart e tua
si zemërimi im
E paksahapur
me e paksadashur
dashuria jote.
Prej dasmës së errësirës
që bën dashuri
me hijen tënde dhe të vetën.
Syri yt …
i vetmi shteg
që më lidh me qiellin
e marsit.
Përralla që më tregon
varri i nënës
çdo mbrëmje në ëndërr
ka ngjasa të reja
Po, ditët…
m’i vjetron të veja!
Kënga e lotëve
Luaj vallen e parëndësishme
të fluturës
rreth qirit të fundit
Jam flutura e tetorit
e ngrica më është futur
në zemrën time verore.
Unë prapë, vallëzoj
dërdëllis
bëj flirte
mashtrohem…
edhe pakëz
përpara se t’i thyhem
erës së stuhishme
të ndarjes
dhe kosës së madhe
të vdekjes.
Të gjithë e kanë përjetuar
këtë ekzistencë insekti
dhe kanë pandehur
se …
u ka mjaftuar!!!
Ti ikën gjithmonë kur vjen shiu
Ti luan me pritjen,
sikur të qe vetëm pritje.
Luan me orët e mia
sikur do të rroj aq sa…
vetëm mua nuk m’i numëron
orët vdekja.
Të më duash edhe pak më shumë
Sa për të mësuar se pritja është dhimbje
dhe vdekja është e fundit ikje.
Ta dhashë edhe shpirtin !!
Po ti ikën gjithmonë kur vjen shiu
Dhe shpirti im në xhepat e ndjenjës tënde
krijon bezdi,
e hedh në rrugët e lagura të dimrit!
Shiu nuk është gjithmonë vetëm shi.
Kuja e viktimës
Përbrenda kokës time
mendja kruspulloset brenda vetes
për të mos e bërë atë që i thotë zemra
Përbrenda vetes time
vetveten s’po mund ta vë në gjumë
Në mëngjes…
nga nisja për të ardhur tek ti
ngre shpresën për të pabesueshëm,
e besoj deri në mbërritje.
Mbërritja kupton se
asgjë s’mund të ndryshojë;
dhe më kthen prapë prapa,
për të provuar në mëngjesin tjetër
një nisje tjetër njëlloj me para’ardhësen.
Vjen lodhja …
si pasardhëse që ndihmon veç veten.
Parrugëdalja shumëfishohet.
Unë rri me të dashurin tim
edhe pse e di
që s’është i dashuri im!
Ç’dreq njeriu isha
që e desha?!
Ç’dreq njeriu jam
që e dua?!
Kur të mos e dua
(nqs nuk do ta dua)
njeri do të jem?!
A thua prapë dreq?!






Be First to Comment