Press "Enter" to skip to content

Edhe diçka për vetminë e luleve (Poezi)

Edhe diçka për vetminë e luleve

Gjermanja, fqinja ime
as e bukur, as e shëmtuar
vjen një herë në fundjavë në shtëpinë e saj
dhe ujit lulet.

Në vetminë estetike
lulet vetëvriten ose çmenden
si Narcisi.

Se si më vjen të bëj një skandal.

Lulet e vetmuara
janë vetëm për varr.

Tablo me ujk, drurë dhe re

Pjerrinës së dendur të pyllit
shfaqet ujku i murrmë i vetmisë sime.

Krenar, madhështor, i neveritshëm
mjegullon kohën, shikimin.

Drurët dhe retë komentojnë
aktin final midis Njeriut dhe Ujkut
me gjuhën e heshtur të erës.

Duhma e gjetheve të kalbura,
aroma e lagësht e gjetheve të reja,
vetmojnë në ritualin e përjetësisë.

Midis pëshpërimës së drurëve dhe reve,
ai kthehet në shpellën e vet të mërzisë,
i egër, i butë, i pathyeshëm.

 

Vera

Gjak i shtrydhur pikë-pikë
nga kokrrat e hardhisë.

I shtrydhur edhe vetë në darët e diktaturës
numëroj rruazat e kuqe e të bardha
që më mbetën.

Le ta pimë njëri-tjetrin,
le ta dehim,
le t’i biem pash më pash
parajsës, purgatorit, ferrit!

Flokët e lavires Hënë
qentë le t’i lehin!

Shtrydhmë edhe pak,
edhe pak të të shtrydh!

Jeta jonë është flurudhë
që pret të derdhet në ballë si e mosqenë.

Liria e kohës sime

Po rend pelë e pafre
mbi shkrimet e censuruara
si mbi livadh nostalgjie.

Çdo gjë qe e paemër atëherë
veç dhimbjes sime.

Tashti të paemra janë ditët, datat.
Nën tiraninë e lirisë
ngarend koha ime e pangjyrë.

Po rend koha-pelë
dhe unë jam krejt i lirë
ta shaloj kotësinë.

Autori
Adem Gashi