E megjithatë diçka vlej
Nuk kam vlerën e një shufre ari
Prej njeriu lindur, mbetem njeri
I bëj botës ballë, mbijetoj, nuk shkëlqej
Një kacamisër me huqe e virtyte
E megjithatë, diçka vlej…
Nuk kam lindur stratege universi
Shtatë hunj e një purtekë i kam dijet
Përpiqem t’ia dal gjithçkaje me tërësej
Pa komplekse nxë e lë nga vetja
E megjithatë, diçka vlej…
Nuk kam ëndrra me luftëra e pushtime
Ca pendë të purpurta dhe retë më mjaftojnë
I gëzohem mëhallës sime e s’dua më përtej
Sinorë trualli e llogari bankare nuk njoh
E megjithatë, diçka vlej…
Jetës nuk do t’i lë ndoca vepra gjeniu
Si të jetë shkruar, do ik me kujë e pa bujë
Vogëlushëve të mi, ama, do t’u mbetem në deje
Me ADN-në time dhe shumëçka u mësova
E megjithatë, diçka vlej…
Asnjëherë s’e dita a më deshën sa desha
Kujtimet e lëna jo gjithmonë bëhen mungesa
Kur koha t’i kthejë përrenjtë në lumenj
Për atë det dashurie që kam derdhur ndër libra
E megjithatë, diçka vlej…
Nesër nuk do jem kjo që jam tani
As dje nuk isha siç ndjehem sot në poezi
Kur të mos jem fare, kur të bëhem rrëfenjë
Do flatroj e përmallur, e zhuritur për njerëz
Atëherë do kuptohet vërtet sa vlej…
Pas javës së shiut…
Qielli i përmbysur i së dielës
Ma mbajti të hënën kokëposhtë
Në një përqullje mendimesh
Që avullonin prej meje
E në pikla mbesnin skutave të shpirtit
Brendia e ngrohtë, e ngrohtë si pellush
M’i shpështillte kujtimet – prush
Në vazhdoftë siç ka nisur javëtrishta
Do vizatoj në xham me buzë e gishta
Emrin tënd, puthjet, fjalët e nxehta
Gjithë dashurinë që rrjedh e s’ndalet, si piklat
I llumbosur ky qiell, fundfilxhani kafeje
Me shiun m’i derdhi dertet, dilemat, dyshimet
Ma shpërlau krejt të djeshmen
Teksa më feks qelqet e së nesërmes
Aty ndrin dashuria e mbin prej së thelli
Rifillon jeta, ashtu siç kemi qenë dhe jemi
Pas çdo glob-pikle shiu
Je ti
Apo dielli…?
Peizazh i vdekur me njerëz të gjallë
Dy xhupa rrinë ulur
Në karriget e lokalit
Dy gota uji
Dy filxhanë
Dy cigare
Një tavllë në mes…
Dy fytyra përballë
Në tryezën e lokalit
Dy sy
Dy buzë
Dy veshë
Një heshtje e nderë në mes…
Teksa i shoh pas tymit përhumbur
Skaliten tek unë dy hije
Dy silueta nga mbretëri e Hadit
Dy gjallesa
Dy mendjefjetur
Që s’bëhen dot dy njerëz…
Pranvera
Është prehër i blertë, mes lulesh e gjethesh
Dremit ëndrrash kur në të prehesh
Është një kupë e kristaltë ajri
Që të deh me aromën e barit.
Është përtypja e ëmbël e akacies së bardhë
Një grusht xixëllonjash
Fëmijërisht fërkuar në ballë.
Është ky diell çapkën, princ prej ari
Është kësulëkaltra, që çel dashuritë
Larg e afër të ngjethen nga malli
Gurgullima e ujërave, si qeshje të marri.
Është shiu që të qull përgjysmë
Kur vjen e ikën me të katra
Dhe gjysmën ta plas nga vapa.
Pranvera – janë fëmijët e mi
Që nga të gjitha këto dehen
Dhe në shtëpi harrojnë të kthehen
Trillit pranveror ia shtojnë sekretet
Zhurmojnë nga dëshirat si bletët
Roitin, mua më lenë vetëm
Peng i mjaltit të tyre ende mbetem.
Pranvera – është edhe kjo dallëndyshe
Rreth meje në ballkon bën piruetë
Me bishtin e saj gërshërë
Gërshetat e mendimeve m’i pret
Me ciu-ciu më mbush mendjen
Se fëmijët shtegtojnë e kthehen shpejt
Për folenë ka gjithmonë një shteg.
Pranvera – jam unë e pagjuma, ag e muzg
Që gënjej veten në pritje
E bukura të më fusë në kurth
Është edhe kjo mori yjesh;
Bëj t’i numëroj e me dorë t’i kap
Kur ata bien afër meje të magjepsur
Unë çmendurisht ngjitem lart, lart…
(Shkëputur nga Revista Letrare – Verë 2022, në print)


