Press "Enter" to skip to content

Dy tregime

Heshtja e gjatë shndërrohet në bust

I kërkuan të paraqitej në një adresë dhe nuk pyeti pse, as refuzoi. Arriti në orën dhe vendin e njoftuar. Dëgjoi me qetësi, teksa i renditën një varg përfoljesh për të. E quajti të panevojshme  t’i quante të sajuara. Edhe po të ishin të vërteta, s’kishin lënduar kurrkënd në këtë botë.
Në mbyllje të përfoljeve, ia ndaluan të shprehej për ç’i thanë, s’ishte e nevojshme t’u shpjegohej, as i detyruar t’i pranonte. Kurrkush s’do ta mbante përgjegjës për pandehma të rëndomta.
“Çdokush, në moshën tënde do t’ia hidhte një sy apo një fjalë, një fqinje të bukur!”.
Ia thanë për ta qetësuar, mbase, por ai s’dinte të kishte ndonjë fqinjë sadopak të rritur, në moshë bukurie, që ai t’ia kishte hedhur një sy apo një fjalë. Nga ç’i zunë ngoje, s’krijoi dot qasje nëse ajo vet ishte ankuar, ‘fqinja në bërje’- gjithnjë nëse ekzistonte, apo njerëzit e saj qenë ngutur për të parandaluar ç’mund t’i ndodhte kur ajo të rritej në sy të botës.
Dolën prej asaj zyre dhe, në një makinë me xhama të errët, i kërkuan t’u bënte diçka të vogël. Një pako të vogël, sa një paketë cigare “Butrinti”, të cilën ia vendosën në një nga xhepat e brendshëm, dhe me të në xhep t’u qasej disa personave, të cilët as i kishte ngjatjetuar ndonjëherë.
“Mjaft të gjendesh mes tyre, s’është e nevojshme të flasësh.”
Ngaqë asnjë rol s’do luante, veç do shpëtonte një çast e më parë prej këtij absurdi, ashtu veproi.
Një orë e pak më vonë, me po atë makinë me xhama të errët, e kthyen aty ku e patën marrë.

***
Tërë jetën s’mundi ta falte veten, pasi dëgjoi se ata çuna të ngrohtë pranë të cilëve u ndodh për atë kohë të shkurtër, ishin ndaluar nga uniformat. Kurrë s’bëri dot lidhje mes atyre që dëgjoi prej tyre, me veshët e tij, dhe ndonjë përseje të mjaftë për ndëshkim të tyre.
Pas një gjumi të rëndë, kush e di sa zgjatur, u përmend në një spital. I thanë se kishte pësuar aksident, pa merak për shëndetin. Thjesht për të ndihur pulsin e zemrës, nën një si gërvishtje të thatë, nën lëkurën e tij, i patën vendosur një si kutizë të vogël.
Kështu i thanë, por ai vet, pa asnjë arsye a ndonjë fjalë të ndokujt, nuk e largoi dot vajtje-mendjen se pikërisht brenda kësaj epjeje si valëz i kishin vendosur një paketë cigaresh “Butrinti”, si memorie aktive.
Si për t’ia ndihur ndërgjegjen në brengë, në njërën nga ditët më pas e ndaluan edhe atë. Madje, rrethi i kujtesës u mbyll përgjithnjë kur u gjend në të njëjtën hapësirë të kufizuar me po ata të cilët qenë ndaluar përmes “paketës Butrinti” në xhepin e tij. Ata vetë nuk u dukën në brengë, madje as shkuan ndërmend ta pyesnin për praninë e tij.
Pas kësaj indiference, ai lutej e falënderonte Zotin që nuk i kërkuan shërbime sërish. As edhe si herën e parë, me “paketë Butrinti” në njërin nga xhepat.
Nëse kjo ndodhte prej nënlëkurës sime, ishte tjetër gjë.
Ishte gati të dëshmonte se pas asaj dite, që nuk e kujtonte dot më, kurrë më nuk i kërkuan shërbim të veçantë, as të heshtte. Mbase prandaj nuk e përdorën, se s’mbante mend kurrgjë. Ose se harresa ishte edhe heshtja e duhur. E pranoi këtë heshtje dhe provoi ta përsoste.

***
E liruan para kohe, për sjellje të mirë. Sjellja e mirë mbase qenkej e njëjtë me mosmbajtjen mend.
“Ti mund të krijosh edhe familje!”, i thanë. “S’është aq vonë. Ajo fqinja dikur… është rritur. Duke të pritur!”.
Ia sollën fqinjën. Mbase për shkak të tërë viteve kaluar, sërish nuk ia doli ta sillte ndërmend këtë vajzë. Si “fqinjë e tij”, ajo kishte mbetur në tërë letrat për të aq gjatë sa më në fund edhe ai vetë kishte filluar të besonte që ajo fqinjë kishte qenë krejt fëmijë, asokohe.
Iu bë edhe më e vërtetë kur ajo vetë, me gojën e saj, i tha se e kishte pritur tërë jetën, tërë viteve kur atë, fqinjin e saj, e kishin fshehur diku, me ca të tjerë.
Tërë jetës, ai kishte bërë shaka të ngrohta e të dashura me të tjerët, por deri në kocka ironike për veten. Mbase kjo ia lehtësoi pranimin si zakon të shpërfilljes së vetes.
Edhe kur fqinja i kërkoi t’i gëzoheshin ardhjes së një fëmije, ndjeu se edhe ai po gëzohej si ajo, madje edhe për fëmijën tjetër, të dytë. Thoshte hera-herës se ishte babai më i vjetër prej ish-të burgosurve pa shkak, aq sa fëmijët e thërrisnin “gjyshi” dhe qeshte me shakanë e vetë.
Pas atij aksidenti të cilin kurrë nuk e mori vesh se ku e si ndodhi, vetëm një herë shkoi në një spital, ku i siguruan një dhomë të paqme. Aty i verifikuan se në trupin e tij ekzistonte një masë e vogël, sa një paketë “Butrinti”, që ishte mirë ta hiqte nga nënlëkura. Natyrisht pranoi, si një copë mishi të huaj.
Meqë kurrkush nuk e kishte marrë ngoje dhe kurrkujt nuk i kishte hyrë në borxh, kurrë s’kishte dëshmuar në liri, as në burg, me silogjizmin më të thjeshtë pranohej se gjithë të tjerët e asaj kohe, të përbindshme për të gjithë, i ishin në borxh atij.
Ranë në një mendje dhe i ngritën një bust. Pikërisht ashtu u ishte dashur të gjithëve.
Si bust, pas tërë asaj jete pa asnjë rebelim, nuk do duhej të nënshkruante asnjë formalitet tjetër.

Gjëra të bukura të kësaj bote

Ende s’arrija të lexoja mjaftueshëm në anglisht, por tek ajo bibliotekë shkoja herë-pas-here. Për t’iu gëzuar titujve të pafund të librave dhe autorëve, por edhe për të shuar kuriozitetin: cilët prej tyre kishim pasur në libraritë dhe bibliotekat dikur?!
Në njërën nga ato ditë, biblioteka nxori nga shërbimi një numër publikimesh dhe botimesh. Ma tërhoqi syrin njoftimi shoqërues se kushdo mund ta bënte të vetën cilëndo që pëlqente prej tyre.
Mes publikimeve të nxjerrë nga fondi, më zuri syri edhe një album me grafika.
Piktorë dhe mjeshtër të vizatimit të disa shekujve, përfshirë në këtë album, krejt të panjohur për mua, ishin marrë vetëm me trupin e femrës. Femrat në to vetëtinin, e pa parë bukuria e tyre, trupat e tyre mund t’i shihje pafundësisht, çdo tipar femëror në pëllëmbë të dorës, të ngrinte syri në retinë duke i parë, të prishej frymëmarrja…
Zot na e falë mëkatin e të vështruarit, edhe pse asnjëra prej tyre s’është nudo…
“Diçka që këtu dhurohet, për ty i andejshëm është befasi!”, i thashë vetes, zë-ulët, në drojë mos më dëgjonte njeri, edhe pse aty s’më njihte kush, s’më dinte që kisha ardhur edhe unë, të shihja dhe të rroja ca ditë në këtë botë me bukuri të tilla!

***
Nuk e kuptova dot, kurrë s’e shpjegova pse në çast ndërmenda se ky album duhej çuar atje ku ende mungonte.  Jo vetëm kaq: krejt pa arsye vetjake, pa ndonjë vramendje sociale, pasi u sigurova edhe një herë se albumin mund ta merrja falas, pa asnjë detyrim edhe pse thjesht vizitor në këtë vend, do duhet ta çoja në një vend si ai prej nga vija. Mbase ngaqë brenda këtij albumi gjendej tërë ajo bukuri femërore, u ndjeva deri në një i bindur dhe i qetë se këtë album e meritonte ai: Makasen Velaj!
Nuk kisha ndonjë njohje të veçantë me të. Në këtë qasje, e kishte edhe habinë vajtje-mendja ime te Makasen Velo. Por, në momentin tjetër, sado që vetëm për dhuratë të bukur bukurish ishte fjala – se asnjë nudo s’përmbante – dyshova mos pa dashur bashkohesha me ata që e rrëfenin Makasen Velon si piktorin e përfolur pikërisht për to!
Për Makasen Velajn kisha dëgjuar se qe dënuar ngaqë vizatonte nudizmin dhe se përdorte modele reale, femra nudo. E patën akuzuar edhe pse asnjëra prej modeleve s’kishte pranuar të dëshmonte kundër tij. Kokëmushkë dhe flokëprishur, dikur e sot e kësaj dite, siç thuhej se u shfaq edhe ato ditë gjyqi publik, ku deri në fund e pretendoi dhe e mbajti veten të pafajshëm.
“Pranoj se i përulem bukurisë së femrës, edhe nëse qenka faj!”, kishte thënë. “Të gjithë, nudo kemi lindur, të pafajshëm!”, pat shtuar, pa menduar se e rëndonte veten edhe më.
Edhe pas burgut, thuhej se grafika femrash bënte. Tashmë modelet mund të silleshin në dëshirë të lirë me trupin e tyre, nuk druheshin të shkonin tek ai.
Edhe pse pa asnjë detyrim apo interes e zgjodha vetë personin që e meritonte këtë album, kur erdhi dita të nisesha për në atdhe nuk m’u bë kollaj t’i gjeja vend në bagazhin tim. Si plot mëmë-dheas, në dy çantat e mia hynë si të privilegjuara ca gjëra të tjera, veshje e mbathje e lukse, të gjitha materiale për kënaqësi ditore apo sezonale. Do të na duhej shumë kohë neve të mërguarve të vonë të Evropës, mbase një jetë tjetër do na duhej, të kuptonim sa e sa gjëra dhe cilat mungesa më të rëndësishme si njerëz nuk i kishim pasur. Mbase do mbërrinte një ditë kur do ndjenim keqardhje për veten tonë se si jemi dukur duke dalë e hyrë kufirit shtetëror…
“Ah edhe ti…”, i thashë vetes kthyer së pari në vendin tim, kur një pasdite vonë e pash në bulevard Makasen Velajn. Ende ai, me flokët e shprishur, si i pakujdesur për dukjen në sy të tjerëve. As ngjatjetuar nuk kishim qenë më herët, por nuk e befasova kur e luta të më dëgjonte për pak. I thashë për albumin, që e kisha gjetur në Amerikë, krijova idenë se ia rrëmbeva vëmendjen dhe u ndjeva mirë kur i premtova i vendosur se do t’ia sillja, pra do t’ia dhuroja albumin.
Si për t’ia lehtësuar pranimin, pra për të mos e vënë aspak në pozitë të vështirë, mbase isha gati t’i bëja një shenjë dëshire dhe solidariteti, edhe pse tani kur kufijtë e të tëra qenë hapur, të mos hiqte dorë nga gjërat e bukura që kishte vërejtur gjithë jetën. Për fat, nuk shkova deri atje, por ia bëra të qartë se albumin e kisha siguruar falas, pa asnjë pagesë, kurrgjë, zero!
Më tha ‘faleminderit’, sikur i mëshoi kënaqësisë që po e kaloja bukur në Amerikë dhe kaq. U ndamë.
U ktheva sërish në Amerikë dhe menjëherë e paketova albumin dhe e vendosa të parin në listën paraprake të gjërave që do merrja në kthimin tjetër në atdhe. Nëse herën e mëparshme edhe mund të ndjehesha i falur, kësaj here… kisha dhënë fjalën! Duhet ta merrja albumin me vete, pa asnjë diskutim. Nuk ia kisha thënë as emrin tim Makasen Velajt, por kjo s’kishte pikën e rëndësisë…
Ia kujtova vetes disa herë gjatë atyre muajve. Në prag të nisjes e pashë sërish listën dhe e vendosa albumin në njërën nga valixhet që do merrja. Gjithnjë na gjendeshin gjëra që ende mungonin në vendlindje  Provonim të merrnim me se s’bën të pashmangshmet, por edhe të mbeteshim brenda peshës së lejuar në avion, që të mos paguanim përtej biletës.
Nuk e mora dot albumin, as asaj here…
Gjatë tërë fluturimit qortova dhe e shava, e akuzova veten si të papërgjegjshëm, dalë-fjale dhe mosmirënjohës, fyes nëse jo mashtrues, njeri kot, një mijë herë turp, kur vetë ia kisha premtuar tjetrit nga tej t‘hu. Në fluturim e sipër, një listë të tërë gjërash të brenda-valixheve do mund t’i hidhja nga avioni, që në vend të kilogramëve të tyre të kishte ardhur albumi…
Nuk kishte si të qëndroja mbyllur në shtëpi, që të mos gjendesha rastësisht përballë Makasen Velajt. Vura re se shëtitnin më pak njerëz se dikur dhe… si do t’i justifikohesha nëse shiheshim rastësisht? Vërtet që nuk i kisha premtuar ndonjë afat, as ai nuk do më pyeste, por vetë do ndjehesha ngushtë përpara vetes… Premtimi sikur m’u kthye në borxh që ia kisha thjesht e vetëm se ai kishte vëzhguar e shfaqur të bukurën në atë kohën tjetër kur pikërisht për këtë ndëshkoheshe…
Më besoni, e pashë Makasenin atë ditë maji. E pashë nga larg, për fat, asnjë shans të më kishte parë, por m’u duk sikur mbahej lehtë te krahu i shokut ngjitur. M’u duk i lodhur, i përhumbur, në mos i rrënuar. Kot së koti mendova se, po t’ia kisha sjellë atë album plot me bukuroshe, mund të kisha ndikuar për mirë në shëndetin e tij…
Sigurisht e tërë kjo mund të ishte një përçartje absurde, por, si për ta urdhëruar veten pakthyeshëm, pakundërshtueshëm, pafalshëm për herën tjetër, u ktheva nga bulevardi atë mbrëmje dhe shënova, si porosi të parë dhe të fundit për ardhjen më të parë nga Amerika:
“Albumin për Makasen Velajn, me se s’bën!”
Pas pak ditësh, mbrëmjen e fundit përpara se të merrja rrugën e kthimit për Amerikë, në “Rrugën Him Kolli”, ku ai kishte shtëpinë, pashë në disa shtylla dhe mure njoftimin për të:
“Makasen Velaj ndërroi jetë. Varrimi bëhet nesër në orën 13:00.”
Edhe sikur të mos jesh nesër për udhë, ti nuk meriton të jesh në lamtumirën për të, i thashë vetes.
Mbajta këmbët aty, përballë njërës prej shtyllave me këtë njoftim.
“Të qoftë i lehtë dheu, o thellësi e panënshtruar. Veç gjërave që na munguan të gjithë ne vdekatarëve, ty të munguan ca gjëra që ne s’dinim që ekzistonin. Sa paske vuajtur me padijen tonë, o Njeri! Kurse unë, edhe një album falas që ta premtova, nuk ta solla, as kaq gjë s’bëra dot për ty…”.

(Shkëputur nga Revista Letrare – Vjeshtë 2025, në print. E gjeni në “Art’s Librari” në Tiranë, Amazon dhe në çdo librari online të botës)

Autori
Faruk Myrtaj