Vdekja e Edward Lear ndodhi një mëngjes të diele, në maj të vitit 1888. Ftesat qenë dërguar në kohë. Në to shkruhej:
z. Edward Lear
shkrimtar i pazbërthyeshëm dhe piktor peizazhesh
kërkon ta nderoni me praninë e tuaj
me rastin e ikjes së tij nga kjo botë
San Remo 2:20 pasdite
29 maj ju lutemi jepni konfirmimin
Njeriu mund ta marrë me mend çfarë ndjenë ata që morën ftesat. Miku ynë i dashur! a diçka si kjo. Z.Lear! kush na ka dhënë këtë kënaqësi! a diçka si kjo. Nga ana tjetër, mbante jo pak vite mbi shpinë. Z.Lear! kush duhet të jesh, lërmë të të shoh… Dhe ishin shumë nga… E kujtoj të parën kohë, e (kredhur në) (ishte kapur prej)… Por në tërësi, të njohurit e Lear-t iu qasën rastit me një përzierje të solemnitetit me prakticitetin, ndoshta duke kujtuar vargjet e mikut të madh të Lear-it, Tennyson-it:
Pleqtë duhet të vdesin
Ose bota do të rritet mërzitshëm
dhe:
Se njerëzit mund të shkojnë e vijnë,
Por unë do të iki përgjithmonë.
Njerëzit u përgatitën ta merrnin vdekjen e Edward Lear-it si një ditë që kalohet në fshat. U paketuan rrjeta pikniku (do të ishte gabim që të prisje nga mikpritja e z.Lear në ato rrethana); shishet e verës u ambalazhuan me peceta të bardha. U zgjodhën lodrat për fëmijët. Pat debate nëse duhen lënë, apo duhen marrë qentë me vete. (Disa nga qentë e pranishëm në mort nuk mund të përmbaheshin; u dëfryen nëpër dhomën e të vdekurit, tërhoqën rrobat e shtratit dhe bënë aq ngatërresa sa u desh të hiqeshin prej aty).
Miqtë më të afërt vendosën se koha më e mirë e arritjes te Vila do të ishte mesnata, duke i lënë kohë xhentëlmenit plak për të bërë çfarëdo vërejtjeje që mund t’i vinte në mendje, apo të çfarëdo gjëje që donte të bënte, para hyrjes së njerëzve. Secili e kuptoi çfarë do të thoshte koha e përcaktuar në ftesë. Kështu, vizitorët e panë veten të ndihmoheshin për t’u ulur nga pajtonet (të ndihmuar prej shërbëtorit të Lear-it, Giuseppe Orsini) në një errësirë pothuaj të plotë. Pasi ndaluan pak për të përshëndetur ata që njihnin, apo për të përcaktuar vendin e fëmijëve harrakatë, u futën te një dhomë e madhe në katin e parë, ku artisti qe mësuar të ekspozonte akuarelet e veta, dhe me anë të një shkalle të gjerë komode, te një dhomë e thjeshtë në katin e dytë, të pritur nga vetë Edward Lear-i, në shtrat, i veshur me një smoking të vjetër kadife, me pamjen e njohur me lentet e vocrra ovale. Një dyzinë karrigesh qenë hapur në gjysmërreth të fortë rrotull shtratit; këto u mbushën shumë shpejt dhe njerëzit e tjerë qëndruan në këmbë përgjatë mureve.
Fjalët e para të Lear-it qenë: “Nuk kam para! Nuk kam!” Edhe grupit të dytë të të ftuarve, kur hynë në dhomë, ua përsëriti: “Nuk kam para! Nuk kam!” Dukej tepër i lodhur, megjithatë i qetë. Mjekra e shtruar, e thinjur, por edhe duke ruajtur ndonjë njollë të zezë, kishte qenë mbajtur mirë që prej disa ditësh. Dukej nervoz dhe shumë shpejt filloi të flasë, ndërsa i pengonte të tjerët të bënin të njëjtën gjë. I falënderoi të pranishmit për vëmendjen, duke shpresuar që nuk i kishte bezdisur shumë, duke e ditur që ora s’ishte e përshtatshme për vizita. Tha se nuk i gjente dot fjalët e mjaftueshme për të dhënë kënaqësinë që shikonte gjithë miqtë e vet në mbledhur në atë qosh. Pastaj shpalosi një leksion të këndshëm, prej dymbëdhjetë minutash, për shkrimet që nuk ua nxirrnin kuptimin, megjithëse gjithkush e pranonte se ishin gjithë sharm, të shkëlqyera dhe të zgjuara.
Pastaj i sulmoi mysafirët me një pyetje, nxjerrë me një farë piskame: “A të martohem? Të martohem? A duhet të martohem?”
Më pas ofroi një predikim të shkurtër për Miqësinë. Miqësia, tha, është më e larta e kënaqësive. Shpesh, tha, ajo gjithashtu është më e forta e lidhjeve njerëzore, duke u mbijetuar lodhjeve dhe shtrëngatave pa marrëdhënie sublime. Theksoi se shumë miqësi përbëjnë pasurinë më të madhe të jetës.
Vazhdoi një diskutim mbi Macet.
Kur z.Lear preku temën e fëmijëve, mysafirët i përshkoi një farë shqetësimi. (Nuk i kishte dhënë fund te thirrmat, “A të martohem?” dhe “Nuk kam para!”) Pastaj nxori librat e tij, por asnjëri nuk i kishte lexuar, qoftë edhe për mirësjellje. Tregoi akuarelet, pamje të vendeve antike dhe piktoreske. Këto, gjithashtu, qenë të njohura: ishin të njëjtat akuarele që xhentëlmeni plak i kishte nxjerrë për shitje, pesë deri në dhjetë pound, që prej dyzet vjetësh.
Tashti, z.Lear këndoi një këngë me tekst të Tennyson-it, duke e shoqëruar vetë me mandolinë. Megjithëse zëri qe i hollë dhe i ngjirur, kënga nxiti duartrokitje të forta.
Në fund, tha që shërbëtorët të sillnin një tabllo të madhe me vaj, me përmasa 7×10 këmbë, ku qe pikturuar mali Athos. Pat një murmurimë vlerësimi, po kjo nuk e kënaqi autorin, që kishte një shikim të errët.
Në 2:15 tregoi një seri me akte kuptimore të cilat qenë të pazbërthyeshme për shikuesit.
Në 2:20 u mbështet në anë të shtratit, ngriti një penë të modës së vjetër, të cilën e shtriu pranë, dhe vdiq. Një maskë iu mor shpejt e shpejt. Miqtë, që lotonin, nuk zbritën nga karriget për një kohë të gjatë.
Ata që morën pjesë në vdekjen e Edward Lear-it, ishin në një mendje se, në tërësi, kishte qenë një shfaqje e mërzitshme. Pse e kishte parë të përshtatshme të lexonte të njëjtat vargje të vjetra, të këndojë të njëjtat këngë, të tregojë pikturat e mirënjohura, të përsërisë repertorin e vet edhe njëherë? Po ftesat, pse? Pastaj diçka ishte e pakuptueshme: z.Lear bëri çfarë kishte bërë gjithmonë, prandaj këto nuk përbënin asgjë të jashtëzakonshme. Z.Lear e kishte shndërruar të jashtëzakonshmen në të kundërtën e saj. Kishte krijuar, në të vërtetë, një keqkuptim gjenial.
Kështu, ndërsa koha shkonte, mysafirët filluan ta shohin punën në një dritë historike. U folën miqve, e ringritën në skenë për fëmijët dhe nipërit. Do të riprodhonin me zë komik mënyrën se si e kishte shfryrë plakushi frazën “Nuk kam para!” dhe do të citonin vërejtjen e çuditshme që kishte bërë për martesën. Vdekja e Edward Lear-it u bë shumë popullore, sa më shumë që kalonte koha, në çdo cep të vendit, me sukses të konsiderueshëm. Vdekja e Edward Lear-it mund të gjendet ende në qytetet më të vogla, në versione më të pasuruara prej interpretimeve, korrigjimeve tekstuale dhe modave që ndryshojnë. Njëri interpretim është më i çuditshëm; askush nuk e di se si erdhi. Trupa luan në mënyrë tradicionale, por Lear-i vetë duket duke bërtitur, duke fërgëlluar, duke buçitur me tërbim.
Përktheu: Gazmend Krasniqi
Be First to Comment