Press "Enter" to skip to content

Shkolla

Ja, nxorëm gjithë këta nxënës që të mbjellin pemë, e kuptoni, sepse  me motivin që… që kjo është pjesë e edukimit të tyre, të shohim  se si, e dini, sistemet bazë… dhe gjithashtu ndjenja e përgjegjësisë, përkujdesja për gjërat, përgjegjësia si individ. E kuptoni ç’dua të them. Edhe pemët u thanë. Qenë portokalle. Nuk e di pse u thanë, por ja që u thanë. Ka diçka që s’shkon te toka ndoshta, apo materiali që morëm tek fidanishtja nuk ishte më i miri. U ankuam. Mblodhëm tridhjetë fëmijë, secili mbolli pemën e vet, prandaj kemi tridhjetë pemë të thara. Gjithë këta fëmijë që shikojnë fidanet pa jetë – është diçka shumë dëshpëruese.

Kjo mbase do të kapërdihej, veçse dy javë para kësaj historie me pemët, ngordhën gjithë gjarpërinjtë. Mendoj se gjarpërinjtë… hëm, arsyeja që ngordhën, ju kujtohet, ishte se kaldaja u fik katër javë për shkak të grevës: gjë e shpjegueshme. Ishte diçka që mund t’ua shpjegoje fëmijëve. Sepse, ngaqë prindërit nuk i linin të kalonin piketat, ata e kuptuan se po bëhej grevë dhe ç’donte të thoshte e gjithë kjo. Kur gjërat rinisën si më parë dhe i gjetëm gjarpërinjtë, edhe ata ndryshuan.
Sa për kopshtin me bimë mjekësore, mundet që qe punë mbiujitjeje dhe tashti ata vunë mend. Disa mundet… e dini, hodhën pak më tepër ujë kur nuk e kishim mendjen. Mundet… hëm, s’më pëlqen të mendoj për sabotim, megjithëse u ngritën dyshime. U ngritën dyshime sepse më përpara patën ngordhur minjtë e shkretëtirës, minjtë e bardhë dhe salamandra… hëm, tashti e dinë se nuk duhet t’i mbartin në qese plastike.
S’kishte asnjë habi për ne ngordhja e peshkut tropikal. Përkulu pak dhe i sheh me bark përpjetë në sipërfaqe. Por programi mësimor e kërkonte, s’kishim ç’të bënim, kështu ndodh çdo vit, duhet të dish ta kalosh.
As që e kishim çuar ndërmend se do të kishim një këlysh.
As e kishim çuar ndërmend se do të kishim një të tillë, ai ishte një këlysh të cilin vogëlushja Murdoch e gjeti nën kamionin e Gristede-it dhe pati frikë se do ta shtypte kamioni kur të nisej, kështu që e futi në çantë dhe e solli në shkollë. Pra, u bëmë me këtë këlysh. Sapo e pashë, mendova, o Zot, vë bast se do ta shtyjë vetëm dy javë e pastaj… Doli fjala ime. S’duhej lejuar mbajtja e tij, s’e përmban rregullorja, por s’mund të thuash gjë kur këlyshi është aty, pikërisht përpara tyre, duke rendur nëpër dysheme dhe duke lehur. E quajtën Edgar, pra në emrin tim. Zbaviteshin duke e ndjekur pas dhe duke thirrur, “Këtu, Edgar! Të lumtë, Edgar!” Shkriheshin në gaz. U pëlqente dykuptimësia. Më pëlqente dhe mua vetë. Nuk më prek tallja. I bënë një shtëpizë të vogël në depo. S’e di pse ngordhi. Murtaja, besoj. Ndoshta nuk është vaksinuar. E nxora prej andej para se të vinin fëmijët. E kontrolloja depon çdo mëngjes, sepse e dija se çfarë do të ndodhte. Ia dhashë rojes.
Dhe pastaj qe ky jetim korean, të cilin klasa e mori me anë të programit Ndihmoni Fëmijët: kalamajtë sillnin njëzet e pesë centë në muaj, sepse kjo ishte ideja. Doli diçka e pafat, fëmijën me emrin Kim mbase e birësuam tepër vonë. Në letrën që morëm, nuk përcaktohej shkaku i vdekjes, vetëm se sugjerohej birësimi i një fëmijë tjetër, duke nisur disa të dhëna interesante, por ne s’na bënte zemra. Fëmijët u mërzitën mjaft, ata filluan të ndienin (mendoj, sepse askush s’ma tha) se mbase kishte diçka që s’shkonte. Por unë s’mendoj si ata, kam parë më mirë, kam parë dhe më keq. Ishte thjesht një varg fatkeqësish. Qe një numër i madh prindërish që ndërruan jetë, për shembull. Pati, mendoj, dy goditje në zemër dhe dy vetëvrasje, një të mbytur dhe katër të vrarë në një aksident automobilistik. Një lënie zemre. Patëm të zakonshmen vdekshmëri të lartë midis gjysheve e gjyshërve, ose ndoshta ajo ishte më e lartë këtë vit, kështu dukej. Dhe së fundi, tragjedia.
Tragjedia ndodhi kur Mathew Wein-i dhe Tony Mavrogordo po luanin te themelet e ndërtesës së re të zyrave federale. Qenë gjithë ato trarë, të stivuar, e dini, buzë gërmimit. Ka një padi gjyqësore për këtë, prindërit mendojnë se trarët ishin stivuar keq. S’e di çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Qe një vit i çuditshëm.      
Harrova të përmend babanë e Billy Brandt-it, i cili u qëllua për vdekje kur u kacafyt me dikë që i hyri në shtëpi me maskë.
Një ditë bëmë diskutim në klasë. Ata më pyetën, ku shkuan, ku shkuan peshku tropikal, Edgar-i, baballarët dhe mamatë, Mathew dhe Tony? U thashë, nuk e di, nuk e di. Ata thanë, kush e di? Dhe unë ua ktheva, askush nuk e di. Ata thanë, a është vdekja ajo që i jep kuptim jetës? Unë u thashë, jo, është jeta që i jep kuptim jetës. Pastaj ata thanë se nëse s’është vdekja, e parë si një e dhënë themelore, mënyra me të cilën rëndomtësia e hamendësuar e së përditshmes mund të kapërcehet në drejtimin e…
Unë u thashë, mundet.
Ata thanë, nuk na pëlqen kjo.
Unë thashë, kjo është e pakundërshtueshme.
Ata thanë, ky është një turp i ndyrë.
Unë thashë, është.
Ata thanë, a do të bësh dashuri me Helenën (asistenten tonë), të shohim si bëhet? Ne e dimë se të pëlqen Helena.
Më pëlqente Helena, por u thashë se nuk do ta bëja.
Kemi dëgjuar shumë, thanë, por nuk kemi e parë asnjëherë.
Unë u thashë se do të më largonin nga puna dhe kjo nuk bëhet kurrë, ose pothuaj kurrë, si demonstrim.
Helena shikonte nga dritarja.
Ata thanë, ju lutemi, ju lutemi bëni dashuri me Helenën, kërkojmë një pohim vlere, jemi të frikësuar.
U thashë se nuk duhej të ishin të frikësuar (megjithëse unë vetë jam shpesh i frikësuar) dhe që ka vlera kudo. Helena erdhi e më përqafoi. Unë e putha disa herë në ballë. U mbajtëm për njëri-tjetrin. Fëmijët qenë të eksituar. Pastaj u dëgjua një trokitje, unë hapa derën dhe miushi i shkretëtirës hyri brenda. Fëmijët brohoritën si të marrë.

Përktheu: Gazmend Krasniqi

Autori
Donald Barthelme

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *