Press "Enter" to skip to content

Dimri ynë (Cikël poetik)

Dimri ynë

Mos u çudit me mua,
kur të nesërmen e dashurisë sonë
të të shoh si një vakt të ftohur,
indiferente, anësore.
Mos u përpiq të kuptosh rënien dhe mpiksjen tënde
tek unë si njollë në mëndafsh…
Përqafomë. Beftas. Kur të jem duke dalë nga dhoma e fëmijëve,
e ftohtë, fantazmë, pemë në mjegull.
Kthemë tek ty me një gjest të thjeshtë, rrëqethshëm superior:
kapëm nga mjekra, ngrije fytyrën time përballë tëndes.
Mërmërit me buzët e tua, fjalët e mia,
ato që çojnë shkulm gjaku në zemër dhe thajnë frymën.
Puthmë, pushtet-ndihur nga dorëzimi im.
Dhe ashtu, për-pak i herojshëm, fito sërish humbjen tonë…

∗∗∗

Duaj me të njëjtën zemër,
shijo me po ata sy mjalti të ri.
Shëtit. Pa kujtesë.
Vrapo. Pa mbërritur.
Kundro. Pa kohë.
Milingonës në lulen e limonit, afroji gishtin tënd të vogël.
jepi shansin e arratisë
në tokën e sajuar,
hutoje me rrengun e njeriut,
fryje tutje kur të jetë mbi thua…
Tradhto me të njëjtën zemër,
fundos me po ata sy, puse të vjetër.
Rënko me erën, dallgo me detin, tërbo me zjarrin.
Bëhu fëmijë.
Vëri buzët në harmonikën e një ushtari.
Kërce mbi themele mëkati.

Virtuoze

Nuk di të dua padashje.
Nuk e lë veten të ma hedhë.
Kohës i sillem me djallëzi për t’u patur zili,
kujtoj sosjen e saj sa herë shijoj verë dhe ngec në kinda mendimesh.
Sekretet, myshku i padukshëm, m’i mban freskët të vërtetat.
Armiqtë e urtë nuk më shqetësojnë. Janë kuaj dimri.
Miqtë e zhurmshëm i ujdis me kënaqësinë e cenit.
Të jem e thjeshtë është gjëja më e vështirë.
Më ka kushtuar një jetë përsosmëria e të dashurit…

∗∗∗

Nuk i shpëtoj asnjë kurthi ku bie dhe
ndjej sërish dhimbjen si shans lumturie.
Dashuroj mondane të panjohurin e njohur.
U flas fjalëve të tij (secilës si një zemërze)
më qetëson ankthi i tyre.
Kujtoj, shkrifëroj bisedat e takimeve të rralla,
sillem sojshëm me të vërtetën, pa ia fyer gënjeshtrën.
Imazhet, idetë, fjalët, ato më të thjeshtat
më trandin, virgjërojnë shqisat.
Sa shumë buzëqesh, qeeeesh e përqesh
në kurthin e përbashkët.

(Shkëputur nga Revista Letrare – Dimër 2022)

Autori
Ilda Mejdani Jeha