Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Valixhet e mallit

Merrini me vete valixhet e mallit,
mbushur me aroma rudine dhe mali,
shpirtin do t’jua çlodhë rozmarina e kodrinave,
ditëve të zymta përtej detit a oqeanit.

Nëse ditët me shi do t’ju bëhen ferr,
lule vjollca do t’ju erëmojë pranverë,
në braktiseni papritur prej ëndrrave,
shpresën rikthejeni me aromën e lavandrave.

Merrini me vete valixhet e mëdha,
mbushur parfum lulesh shtëpie,
kur shpirti t’ju rëndojë sa s’thuhet,
mallin do t’jua lehtësojë amësimi,

mall që nuk shuhet!

Veç një ditë me vello

Ti, krijuar për t’u dashur
mbrujtur në mijëra zemra
ngërthyer me mijëra shpirtra

Ne, dasmorët shend e verë
të zgjedhurit ndër të tjerë
puthur prej gëzimit të nënës
rritur prej kujdesit të atit

Pas dasmës që zgjat veç një ditë
ta heqim vellon e bardhë
të hedhim një qyrk

Sa pak të duam
o jetë!

Musht vjeshtak

Pres të derdhet buzëqeshja jote
të dehem me mushtin vjeshtak
të rrjedh në sytë e tu me dritë
të vij për ty
aromë gruaje
dhe lind botën që krijuam bashkë
mos kërko falje me sytë zjarrm
as me buzën që thahet si në jerm
lumturia jote është si mushti i atit
çdo vjeshtë, musht i ri

Mjaltëzat

Frikem si ty,
kur tingujt vijnë të metaltë,
gazmendem me ty, kur sytë kristal
kërkojnë diellin, mandej hënën.
Hojëza janë ditët tona:
të plotat janë fëmijëria jote,
ato që presin të mbushen
janë fëmijëria ime.
Mjaltëzat e tua gjallojnë në çdo stinë!

Kthimi

Ka ditë të gjata si muaj,
zemra pushon, kthehet liman.
Ka net të shkurtra si hijet
shpirti humbet si në savanë.

I dua shumë këto ditë!
Po nisem për larg, ku s’pipëtijnë fjalët.

Jam vetëm fillikat në këtë braktisje,
që gris tiset e ditëve përvëluese
e ndez regëtimën e yjeve në galaktikat e zjarrta.
Jam vetëm në gjithësinë time.

Nuk ma ka ënda të kthehem në botën që lashë!

Grahmëza e fundit

Ia njoh syrin e vyer,
dritë e ngjyrë më nuk ka.
Buzë të thata, të palyera,
buzë të flashkëta, pa gaz.

Ia ndiej frymëmarrjen e ndrojtur,
ia lexoj mendimet e heshtura,
dhimbja zë nuk i la,
dhimbshëm zvarrit këmbët hija e saj.

Ia njoh shenjat në lëkurën e thatë
dhe vrajat e moteve që shkuan.
Ia ndiej rrahjet e trembura të zemrës,
që qetëson me dorën si hark lakuar.

Vajza e rritur pa erëmirën e nënës,
tani është gruaja e padashur,
mëma zemërthyer nga kërthiri!
Sëmundja e kohës së marrë
është grahmëza e saj,
prej nesh harruar.

E qelqtë bota jote

U ngjiz në fundverën e një viti të brishtë.
I pari pasardhës erdhi i bardhë,
lëkurë praruar, çeli bukur,
solli shpresë!
Sytë e zemrën ka si mëma,
fjalën e harenë si ati.

Flet ëmbël në gjuhën e fëmijëve,
botën e sheh me shumë ngjyra,
mendimet i ka mbyllur në vete.

Në botën e tij të qelqtë
askush s’mund të hyjë,
veç prindërve të shtrenjtë.

Në sytë e një fëmije,
që lindi në fundverën më të nxehtë,
ne jemi të gjithë të njëtrajtshëm
e s’mund të duam si ai!

… gjakut të gjakut tim, Aresit.

Autori
Bujana Xhindoli