Hana jonë
Ti ende përpin hanë shkrimesh t’zbehta
var andrrën paksue drite
në skica randue plumbi.
Pendët e mia t’rame flirtojnë para nesh
si drejtësi e mallkueme fati.
Un’ bahem zog pa erë.
Nji zog pa erë asht zog pa flatra,
nji njeri pa kujtime asht njeri pa vedi,
nji njeri pa mund asht njeri i përtesës.
S’ndryhet zemra sikur s’asht dritore flladesh.
Koha kur hana mjaftonte, shtegtoi e pangime.
Mendja jeme përgojon peshë trupi, morte,
dashni e urrejtje, liri, hekura.
Hana jonë po gulçon për diell.
Mue t’kundërtat m’sulen mbi shpindë
me pasion demash.
Fjala
Ne fjalën e përshkuem n’gjylpana t’holla
përkdhelëm boshin me oaze
lot ku vetmia asht qyqe
as rrena, eklips i magjepsun
s’mundet me e mbarue tjerrjen e pëlhurës.
Ne fjala na krijoi!
Kur fjalën e tradhtuem
na mësoi trishtime t’egra
helmin e heshtjes s’marrë
vrasje lumtunish t’ambla
largsinave t’pushtetshme
ushqeu grunin e njomë
dorzue mallit tonë, n’zor e unti.
N’akuj bore e mundimi, fjala,
çdo herë na bani edhe ma fjalë
armë që s’dijtëm sa shumon
ferr tjetër, dhena tjerë
dështime tjera, bukurina tjera.
Rrjedhshmëni e forcës, e s’vërtetës
fillim i përmbytun darkash t’fundme
shkëlqim i pakapshëm, lëmue buzve.
Fjala, qysh n’krye të herës
na nisi ditve të kthimit
qindra herë frymuem pak ajër
mandej gjysën e frymës, mandej fundin,
mandej lehtsinë e ujshme.
Mandej na riktheu prap n’asgja!
M’u kuptue, pse fjala asht fjalë,
me vazhdue me shkrue
pse fjala asht ne.
E huej
Jam puls n’tokë t’huej
valë tue rritë dallgë n’takime amorfe
njisoj isha, përhumbë vegimit e orëve t’nanës,
hamendjeve t’fminisë.
U bana grue tue mbjellë ar baltës, e pengohem
tue numrue jargavitje t’cekta
maska punue keq.
S’më falën mëshirë kur mësova se e rrejshmja ther!
Ther po ju them!
Edhe pse e pan’ tek mpreh ashtin me zhurmë aq të fortë
sa n’nji çast shpërbahem, s’jam ma vedi
s’mbes as fmija, as e hueja,
veç njeri i lindun.
Peng
Shiu ra syve tuej lindë prej trupit tem
dehja e mallit gjak i përvluem.
Lajtmotiv toke tjetër burim i fjalës
si bari, s’asht kurr i joni
i thamë, i ri,
mban peng
na tejkalon,
gjallë e dekë.
Në vjeshtë…
Në vjeshtë kalben gjethe t’paputhuna me vesë
ne ndalena n’pritjen e flladit
që i ngjason nji fotoje t’humbun.
Gjatë pritjes mohoj shpejtimin e mjegullës
vokem, ringjallem, pa nesër.
Mendohem qendër e avullt, masa e qytetit
n’re t’pabesa flen spërkatë.
Pajtoj velje historish
kujtime luledelesh,
kjo natë, “Më don, s’më don!”
kët mjegull: “E due, s’e due!”
Çdo kalim tërhjek rrëshqanë orë fluide
malli jem i njelmët rrotullon
askundin e pafundsisë.
Në vjeshtë fillon ngricë kurmesh që s’puthen
zhbardhet ftyra e mendimi
ky shërbtor orësh të gjata,
përkulet mbas koncertit tem drithnues tue thanë:
“Mos e prek ndërrimin e stinëve,
don me ardhë prap pranvera”.
Prandej un s’guxova me pyet;
“A thue çrobnohen ndjenjat
ndërsa jepena rranjësh n’tokën e fundit?”.
(Ciklin e plotë e gjeni te Revista Letrare-Vjeshtë, 2021, në Amazon)








