Diademë
Në çdo gjethe të kësaj stine
dëgjohet lutja e një nate pa hënë
shtëllungat e reve të jargavitura kullojnë
një mace e zezë m’platitë plagët
qenia ime zhytur në një lumë pendimi
për fjalën që s’e thash dikur
s’ka më etje
kambanat që mesnatën rrëfejnë
vetminë mbysin
melodia e dallgës së një deti
të largët me milje
nuk dëgjohet më
malli i Penelopës për Odisenë
hipur mbi kalin e Don Kishotit
në një gozhdë lëneshë varur është
e koha e Jul Cezarit e përqesh
sa herë retë e purpurta pikojnë mall
përrallat e moçme djersiten
me një shkop druri matin lindjen e diellit
dhe në majë të një kodre varrosin
eshtrat e gjeneralit të ushtrisë së vdekur
diademë e shpirtit fle
mbi ballin e pritjes së një kohe
që s’e jetuam kurrë
Një grusht ATDHE
Kockë-lëkurë mbetur
të zhvatën
të thyen
të copëtuan…
syrin e agut ta verbuan
ëndrrën ta syrgjynosën
kurmin e shpresës ta tundën
nga buzëshkrumbi nektarin ta thithën…
I shitoftë Zana
kalorësit e zi të historisë së re
që t’lan veç një grusht eshtra o ATDHE
Ndalova t’i numëroj vitet
Bulevardet janë mbushur
drita shumëngjyrëshe
si çatitë e cirqeve kur sajojnë
buzëqeshje artificiale prej gruaje
e di… kam ndaluar t’i numëroj vitet
kam ndaluar t’i numëroj
dimrat e akullt prej kohësh
betimeve të rrejshme
tej vetëpërmbajtjes dhe dhimbjes
që më fshihet nën qepallat e syve
klishe e kohës më mban peng
mallin për ty
si zog i verbër që përpëlit krahët
mureve të ftohta kërkoj
ta gjej një guvë ku të shtrydh
shpirtin e përhumbur mugëtirave
edhe në këtë ndërrim motesh
mbështetur për vetminë
thura emblemën e dorëzimit
ndalova t’i numëroj motet pa ty
Koha kalon mbi urë
Kur koha kalon mbi urë
nën urë lum malli merr udhët
zgjohen fijet e mijëra dashurive
muzgut të mbrëmjes ofshajnë
dhimbja rri murosur
ditëve të pa ngushëlluara
shfaqet Itaka
koha kalon mbi urë
nën urë
fluturat e qiellta marrin flatra
numërojnë rrudhat shtegut t’ballit
valëzat që rriten me dhimbjen presin
një kohë tjetër të kaloj mbi urë
Pa titull
Gjithmonë e shoh
të njëjtën ëndërr
lisat si m’i mbulojnë krahët
që të mos ndjehem e braktisur
Hëna e plotë
kur ngre kryet përpjetë
që do t’më bëjë roje si vetull mbi sy
betohet n’rritën e vet
kur shpirti më gufon
në dashurinë tënde
nuk di kush i pari, ti apo hëna
ma vjedhë ëndrrën








