Për Grejs
Ke ftohtë natën e vogla ime,
se dimri erdhi kaq papritur.
Ti do më thuash: pse merakosesh,
tani jam vajzë e rritur.
Ti je larg meje, s’të them dot eja,
kaq kohë s’të shoh me sy.
Do doja qiellit t’i rrëmbeja,
një shportë me yje të t’i sjell ty.
Mos u çudit, e mira ime
edhe mami ndien mall,
për mua mbetesh një rreze dielli,
futur thellë shpirtit më mban gjallë.
Për mua mbetesh vogëlushka,
me fjongot rozë mbi flokë,
lulesë e brishtë që ngadalë rritesh,
me rrënjët thellë në tokë.
Ke ftohtë natën, e vogla ime?
Tani je një vajzë e rritur,
por unë për ty prapë merakosem,
se “dimrat” vijnë papritur.
Ajo
…është thjesht një ëndërr,
është thjesht një ëndërr?
Më pyet ajo sa herë hap sytë,
shikimi i saj shigjetë në zemër,
thellë shpirtit tim një klithmë e mbyt…
Unë hesht dhe s’di si t’i përgjigjem,
përpara saj përgjigjet vdesin,
tek ata sy ndjej si përthithem,
pyetjet si heshta thellë zemrës mbesin…
Nata ime e pagjumë
Nata ime s’është më natë,
dita ime gjithashtu…
Pikëllim që s’di pse zgjat,
kur nuk çlodh dot sytë e tu…
Sytë e tu e vogla ime,
që nuk ngopen dot me gjumë,
s’mundem më ta mbaj këtë dhimbje,
Zotit ç’t’i kërkoj më shumë…
Zot, o Zot, kërko ç’të duash,
jetën time e bëj fli!
Nis të lutem një ninullë,
të flejë pak dhe ime bij’
Zot, o Zot, më lot nuk kam,
kam veç frymën dhe këtë dhimbje,
nis një ëndërr me një yll,
për dy sytë e loçkës sime…
Ndez një lutje mbi qirinj,
pëshpëris edhe tres lot…
Nuk jam Jobi, Zoti im,
jam nënë, që me dhimbjen s’matet dot.
Lojë margaritash
…dhe margarita i mbyll sytë,
vajton në heshtje për çdo petal,
në kraharor një klithmë e mbyt
dhe ngashërimet që s’janë veç fjalë.
Më do, s’më do, heq një petal
bashkë me petalet rrudhet një lot,
një margaritë dhe frymë e saj,
rrëzohet dhimbshëm e s’çohet dot.
Ç’lojë dashurie qenka kjo?!
Kur fryma shpirti në mes ndalet,
si krahë zogu “më do, s’më do”,
përmbi lëndinë vdesin petalet…
Gjurmë fëmijërie
Sa paskam mall të rend këmbëzbathur,
në oborrin e përralltë të gjyshes,
atje ku ëndrrat lidhnin krahë,
fole ndërtonin dhe dallëndyshet.
Atje dhe zogjtë mbi pemë heshtnin,
një degë me hënëza ngadalë përkulej,
dhe vallen yjet në mes linin,
mbi prehër të saj bota përkundej.
Gishtërinjtë e saj karfica dielli,
mbi flokët e mi derdhnin bekime,
çdo natë një yll zbriste nga qielli,
të zbukuronte ëndrrën time…
Sa paskam mall të rend ndër dhoma,
të shkel mbi gjurmët e fëmijërisë,
të prek portrete, të ndjej aroma,
të shtrenjtat muret e shtëpisë.









