Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Armela Hysi lindi në Tiranë, u rrit në Varshavë të Polonisë (për shkak të shërbimit të prindërve në Ambasadën Shqiptare), por vendlindje poetike quan qytetin e Lezhës, aty ku filloi botimi i librave të saj, tri dekada më parë. Që në moshë fare të vogël është botuar në revistat për fëmijë e të rinj të kohës dhe ka fituar disa çmime në konkurset për talentet e reja, çmime që do ta ndiqnin pas edhe më vonë.
Autore e njëmbëdhjetë librave: poezi, roman, qëmtime e publicistikë, libri i saj i parë (poezi) u botua kur ajo ishte nxënëse në vitin e dytë gjimnaz. Është pjesëmarrëse në disa botime antologjike shqiptare e të huaja, si në Itali, Greqi, Rumani. Ajo gjithashtu ka përkthyer disa vepra nga greqishtja dhe anglishtja.
Është fituese e Çmimit Internacional në Itali, ku fitoi edhe medaljen “Giovani e Poezia” në gjuhën italiane.
Sot po sjellim për lexuesin disa nga poezitë e saj të hershme, shkëputur nga libra të ndryshëm.

perëndim i trishtë

dielli kafshuar nga retë
rrëshqet tehut të horizontit
perëndimi skuq
sikur përlyer është
nga gjaku i një koke të prerë
retë e gjakosura përpëliten

dielli kokë Ali Pasha
zhytet thellësisht në terr.

30.3.1993
“Do të vdes për ty”, 1993

Një të panjohure të njohur

ai, që dikur të përkëdhelte flokët,
të adhuronte sytë;
mbytej në buzët e lotët e tu, vdiste e ngjallej
mbi trupin tënd të brishtë, në çastet intime
të dhimbjes vajzërore

ai që dikur këputi trëndafilin e shpupurisur
në çarçafët e bardhë të ëndrrës, sot,
është me mua.
ti, ke mbetur diku…
në fotografitë me qeshjet e çiltra
në kujtesat e bukura, ku s’bie pluhur harrese
në kërshërinë time xheloze

dielli që shihje dikur, në sytë e tij,
ndriçon horizontin tim të përdëllyer
ëndrra jote, ndoshta… dhe fëmija yt
kanë shtegtuar në kohëra që s’kthehen

prapë… ndjehem pak xheloze.
unë, në sytë e tij do plakem,
ndërsa ti
mbetesh vogëlushe (çiltërsisht) e këndshme
në fotografi.

10 tetor 1995
“Qytetërim i dehur”, 1996

 

duke prekur mendimet e mia

është një shkallë që të çon në qiell
ballë dritares së papafingos sime
po u ngjite aty do jesh përjetë i imi.

s’e di a dua të jesh përjetë i imi
të të shoh si fikesh nën pasionet kobashe
për fëshfërimën e panjohur të flokëve
të ndukësh thithat e mia butë mes dhëmbëve
kur sytë e tu gjysmë të mbyllur
e zhveshin me vështrim mëtues
të vallëzojmë nën dritën e cigareve
pa prekur mendimet e mia.

unë prehja dhe lufta jote tinguj mbytëse
ngjallja dhe vdekja.
mos e vër këmbën në atë shkallë
kam shumë pyetje për t’i bërë Fridës pa këmbë
që bredh në heshtjen time
kollës së Migjenit që gumëzhin
mushkërive të mia qindvjeçare
flokët e mi të bardhë bëhen rrënjë për ullinjtë e egër

muret dhe kangjellat shndërrohen në ajër të gjelbër
o Zot sa bukur puth dhe dridhesh.

gusht 2009
Nga libri: “Ujdhesës së përrallës tënde”, 2013

 
Fragment përpara se të hapej dera

Përpara se të trokiste,
Nxori nga çanta me lëkurë imitacioni
Krokodili, bakamin ngjyrëshege të ëmbël
Si buzët e saj dikur.
Palosi shpërfillshëm vetminë
E futi në një qese najloni
Që kërciste acarueshëm si letrat
E karameleve. E vogël i çmbështillte
Dhe i mbante në gojë
Me gungën e stërmadhe në faqe.

Një plakë syzbardhur,
Përgjonte nga hekurat e ballkonit përballë
– Hidhu! Si atëherë.
I bërtiti ajo leshralemeritur
Fantazmës alkoolike të së ëmës.

Maj 2002
Nga libri: “Amazonë prej reje”, 2004

 
 
stalagmit fajësimesh të njelmëta

vrugë pikëllimi ngjyen të prushtën e syve
që lë ti pasi ikën
dëshpërim i mugtë
pahit peizazhin e skërmitur tej e ndanë
rënduar si qiell i shurdhët.
zbrazësia kumbon klithje mërmëritëse
pa pushuar së ankuari
buzëqeshje që zë ftohet e pamjekuar
dhe ënjtet me nge.
lë dhe një rrugë të vonë
në vegim pjerrje të përgjakur tejxhamash
që nuk mund ta marrësh më kaptuar
nën kapelën e hidhërimit
sepse dritarja
hapësira
janë kthyer në murale të ngurosura
të pathella
veç shtrirë hemorragjike perëndimit
si lëng shegësh të çara
shpërndarë pragut për fat
e mungon dimensioni i tretë
ai
i
zhytjes
jetës.

maj 2020
nga libri “Efekt”, në proces botimi

 
nga takimi i fundit

shëmbëllimi i vet mes dy
mjekëve që shkruanin kokulur
syprinave të bardha pas shpine
dhe çiftit konsulent përballë
në pasqyrën e murit që dyfishonte dhomën
i kujtonte një dopjo pesë – dominosh të stërmëdha
që ndonjë shoqëri gjigantësh duhet
të qenë duke lozur këtë pasdite të diele

e dinte tashmë që s’duhet t’ua thoshte më
këtë zbulim të thjeshtë konsulentëve,
që shënonin përgjigjet e saj
në shirita të trashë bezdie
edhe pse qe zgjidhja më koherente
përshkrimi ideal
i formës së tyre sesa
ajo ekzistuesja e
një konstelacioni të panjohur simetrik
qiellit të një brenge.

nëntor 2016
“Ag i vjelë dhe flurudha shkëputjesh inerte”, 2025

Autori
Armela Hysi