Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Më thirr se do të vij

E trashëgova vetminë kur isha i ri
domosdoshmërish do të vdesim një ditë
medoemos duhet të jetojmë
më thirr
do të vij duke fluturuar
duke u rrotulluar në ajër
si pëllumb

Si dy pëllumba
do të bëjmë dashuri
në mes të qytetit
mbi një antenë të vjetër televizori

Poezi që duhet lexuar
me syze dielli

Ajo është më e vërtetë se dielli
sa larg është
e sa shumë ndriçon
sa dy mijë e njëzet diej
brenda poezisë sime

Sa larg është e sa shumë më djeg
malli për të

 

Legjenda e ujit të ëmbël

Jam si uji që udhëton
(sepse dikush e trembi)
me dhjetëra kilometra
nëpër gypa
dhe ndalet në errësirë
ëndërron
lëvizjen e peshkut brenda vetes
sqepin e ndonjë zogu
mbi sipërfaqen e tij
dritën e diellit
imazhet e gjërave përreth
(që reflektohen në të)

Pret
pa e ditur
nëse do ta pastrojë ndonjë enë
do ta lajë trupin e ndonjë njeriu
apo do të përfundojë në gjellë

I kujtohet legjenda
e ujërave të ëmbla
që flet për një grua
që e do poezinë
dhe që e bën kafenë turke
më të mirën në botë
kështu që
nga thellësia e shpirtit të tij
të pangjyrë
i lutet Zotit
që pasi të vlojë
të përfundojë në filxhanin e saj
apo të rrjedhë nga maja e saj e kresë
deri te gishtërinjtë e këmbëve

Unaza e Saturnit

Jam më i lehtë se jeta
se kënga e jetës
mbaje hapur derën e zemrës
tek e fundit
vetëm mos e mbyll me çelës
Është duke fryrë
nga dheu i kujtesës
mund të befasohemi për të mirë
një ditë
kur të më dalë gjumi i vdekjes
e unë të të shfaqem para derës
me një cigare mes gishtërinjve
E tëra që do të më duhet do të jetë
një çakmak
një kafe
dhe gjysma e krevatit tënd

Për kompensim
do të ta dhuroj njërën nga unazat
e Saturnit.

Hardhia dhe ajo

Kur hyri në shtëpi për herë të parë
hardhisë që bënte veç hije
pas shumë viteve
iu poq rrushi

Kurrë askund nuk e kam dëgjuar
të thonë
se rrushi mund të piqet
dhe të jetë aq i ëmbël
pse erdhi
ndenji pak
dhe shkoi dikush

Duke përkujtuar zogjtë e vrarë

Në shtëpinë time të rrënuar
sot kanë ndërtuar fole
fantazmat e dallëndysheve

Eja të vallëzojmë
pa muzikë
në fushën e zezë
kështu do t’i përkujtojmë
zogjtë e vrarë
në pemët e djegura
e mbase ndonjë degë
lulëzon

Ky cikël poetik u shkëput nga Revista Letrare – Dimër 2021, në nder të poetit që e humbëm dje.

Xhevdet Bajraj lindi në vitin 1960 në Kosovë. Gjatë luftës së Kosovës mori rezidencën në Meksikë falë Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve. Bajraj ka marrë disa çmime letrare dhe poezia e tij është përkthyer dhe është bërë pjesë e disa antologjive në gjuhë të huaja. Prej vitit 2002 punoi si profesor i poezisë në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në “Universidad Autonoma de la Ciudad de Mexico”. U largua nga jeta më 22 qershor 2022, pas një sëmundjeje të shkurtër, në Meksikë.

Autori
Xhevdet Bajraj