Press "Enter" to skip to content

Çfarë s’kam bërë për dashurinë! (Cikël poetik)

Çfarë s’kam bërë për dashurinë!

Çfarë s’kam bërë për dashurinë!
Hapa atlasin krejtësisht për të ndërruar ajrin,
u ngrita në fluturim,
e ndava botën,
u hodha në pellgje uji,
ndoqa urdhrat, ula kokën,
qava e vetmuar në “Porta Genova”,
i bëra dhuratë bankës zemrën time të kuqe,
ndryshova qytetin,
mashtrova fisnikët,
leha dhe kafshova,
qesha në “Piazza Vittorio”,
kreva krime kundër atdheut ,
shpërdorova peizazhet,
fsheha panoramat,
mbolla.

Çfarë s’kam bërë për dashurinë!
Hoqa dorë,
unë që nuk e bëj dot kurrë,
hëngra në disa restorante kineze për gra të dëshpëruara
ku dritat ta shpifnin gjithqysh,
i ndryshova atësinë
gjuhës sime amtare,
mësova të palosja hartat rrugore
midis Bernës dhe Stambollit,
gjatë natës parkova në vende tepër të ndaluara,
kam humbur çanta
dhe çelësa pa fund,
kam tradhtuar fjalëkalimin
tri herë në të aguar,
kam parë bankomatin të avullonte,
shpresa e fundit e një vere portugeze.

Çfarë s’kam bërë për dashurinë!
Rrëfeva sheshit çorapet
natën e Vitit të Ri
si të ishin sekrete mes banditësh,
parakalova fustanet si qerre alegorike,
numërova krejt lulet në tapetin e një dhome hoteli,
dhashë dorëheqjen,
vazhdova, teprova, shova.
I mbylla llogaritë me botën dhe rashë në gjunjë,
duke arritur asgjënë
me shpejtësi marramendëse.

Dhe të kam dashur, dreq o punë, të kam dashur!

Trupi i kajsisë

Ekziston një vend
pa bukuri të dukshme,
ku s’ka potere egoje dhe gjepura,
ku veçohem kur dua të fshihem nga ngutja e botës.
Dyshemetë janë prej mishi,
është terr dhe sipër kullotin yjet rënës,
yjet e dëshirave.
Ka zhurmë prej mendimeve,
diçka që i përngjan fundit
të zjarrit flakërues,
kur druri katandiset në prush
dhe merr ngjyrën e ndezur të dashurisë,
bërë rrëmbimthi.
Këtu prodhoj durim.
Jam kruspullosur
sikur do mjel një dhi
dhe dalëngadalë zbutem,
bëhem e urtë.
Ajo që ndodh në këtë vend
është magjepsëse,
i kthehem vetes dhe
bukurisë së vetes,
kur këto të fundit –
përemri u jep pamjen që meritojnë –
zhvishen nga furia dhe kotësia.

Tani që bie mbrëmja
dhe më mirëpresin djajtë,
marr me vete këndelljen
e vizitës te gruaja që jam dhe bëhem më pjellore,
më e fortë.
E lehtë.

Terr

Një murgeshë po përshkonte “Piazza Maggiore”.
Hap i shpejtë i murgeshave me këpucë të rehatshme
dhe të shëmtuara.
Vallë, kush e di pse
murgeshat janë të bukura për t’u soditur kur fryn erë,
kush dreqin e di pse qentë,
që lehin në largësi,
më bëjnë të dëgjoj zhurmën e trenave që kalojnë,
edhe nëse s’ka fare trena,
vallë kush mund ta dijë pse
gjaku ka shijen e ndryshkut
edhe pse s’ke thithur kurrë një gozhdë të vjetër
dhe ndryshkut i njeh veç erën,
kushedi pse sa herë që shoh dy filxhanë kafeje
kujtoj ditën kur juga e bardhë na detyroi të hynim brenda,
ne të dyve, që atëherë ishim gjithmonë jashtë,
kushedi pse mbrëmë,
para se të flija, ndjeja ende erëmimin e errësirës,
unë që natës i njoh veç ngjyrën,
kushedi pse dallëndyshet janë të bukura vetëm nga larg.

Kryevepra

Ora kur dielli i zgjat kokën detit
për t’ia prerë,
dhe babai me vogëlushin e
përgjumur që endet mes marinave,
vashat me dyrrotakët,
me të gjitha format
dhe flokët e rrëmujshëm,
shapkat verore me një gisht
hipur mbi vespat,
puthjet në pyllin me pisha,
peshku ton, zoti i sallatave,
dhe veza e zier në banak,
me një ngjyrë të blertë të çelur,
që mëdyshet dhe mbetet
me depozitimin e butë
të sulfurit të hekurit.
Dhe më vijnë ndër mend
kaq shumë gjëra,
këngët, gishtat e tu në gojën time,
vetëm për harlisjen e pasionit,
aspak për të më ushqyer.
Mandej, edhe ajo gruaja
me gjinjtë sa të Gorgonës,
që më thotë se jam e bukur
si ato dashnoret e amerikanëve
kur mbaroi lufta.

Dhe unë që qeshem duke soditur
një labrador që po bën kakën,
përshëndes Mendimtarin
dhe një mëllenjë mashkull
që po matet t’i vardiset një mëllenje,
e cila lëviz dhe kërcen
sikur po luan shah
në rolin e kalit, peshkopit, një kulle,
sikur t’i ketë hyrë djalli në bark.
Kur jetoj kështu, si sot,
ditë gëzimi të zakonshme,
do të doja t’i thosha Zotit,
nëse Ai do të ekzistonte,
se kjo botë është një kryevepër.
Një trillim shumë i suksesshëm.

Përktheu: Rielna Paja

(Shkëputur nga cikli i plotë botuar në Revista Letrare – Verë 2023, që botohet në print e mund ta gjeni online në gjithë botën. Në Shqipëri mund ta porosisni gjithashtu online në Bukinist.al, si dhe ta blini në librari “Aladini”, në ish-Bllok)

Autori
Cecilia Resio
Autori
Rielna Paja