Press "Enter" to skip to content

But vere (Poezi)

But vere

Admiron rrufepritësin, që kap duarzhveshur
hekurin përvëlonjës të qiellit,
velierën që hyn në liman si episkop me kryqin lart në erë,
Camadoin¹ që hedh valle me një pemë të shkulur supeve,
por më shumë admiron poetët – ata që kyçin kohën
në kafazin e një date
dhe e varin te dera e jashtme e vjershës,
që koha si plak me lahutë të lëvdojë bëmat e tyre
se si netëve të prillit
kapin Liridet pa rrjetë në livadhet qiellore
dhe i shndërrojnë sakaq në flutura të ndritshme.

I admiron bëmat e poetëve,
por vetë nuk del netëve të prillit në livadhet e Lirideve.

Rri e dëgjon brenda vetes – si në një but vere –
tingujt e mistershëm, kërcitjet, fishkëllimat e zierjes
dhe pret me durim orën e bekuar të fermentimit,
por kurrë s’do të arrijë të dallojë
nëse ajo që pikon nga shpirti i tij është verë e zezë
apo gjak i zi.

 

Jeta

Ecën i përkulur, shumë i përkulur, si kënd akut,
me hapa të vegjël, të nxituar, sidomos këmbëngulës,
shumë këmbëngulës.

Këndet akute e shikojnë tërthorazi qiellin
edhe detin, edhe kujtesën.
Por nuk e torturon më tërësia e gjërave. I mjaftojnë
ca copëza qielli, deti dhe kujtimesh.

Të gjitha e braktisën. I mbeti vetëm e vërteta e tokës,
(që nuk është si ato të tërthortat, të dyzuarat)
dhe vazhdon të ecë me hapa të vegjël, rraskapitës,
sikur kërkon medoemos të prekë diçka që ecën një hap para tij,
atë diçkanë që një ditë i fluturoi si fllad nga trupi,
atë diçkanë që është mjaltë dhe ngjyrë, dhe aromë, dhe nostalgji
dhe tani ecën e shkujdesshme, e pakapshme,
gjithmonë një hap përpara tij.

Çka e dekurajon kohët e fundit
është se kjo diçkaja mjaltë, aromë, e ngjyrë, e nostalgji,
po shkund supet, sikur po kërkon të nxjerrë krahë,
sikur do të bëhet pulëbardhë e të humbasë në errësirë.

 

Punishte

E dinte se në Babilonë më s’do të ndiheshin zëra
dhëndurësh edhe nusesh,
por, gjithsesi, zuri të ndërtonte një punishte në oborr,
që për vite e anulonte, e zvarriste,
sepse e kishin radhën gjëra më të rëndësishme,
si për shembull, kalimi me kujdes të madh pranë mureve të
lagëta të burgut.

Tani, shyqyr, ka kohë,
të çlirojë fatin e fshehur brenda gjethes së ullirit,
të nxjerrë nga pentagrami i gjethe dellit muzikën
më të lashtë të botës,
të rrokëzojë fjalë të avlëmendit, të zjarrit dhe të ujit,
të rregullojë pirustinë e prishur të shtëpisë me pjesë
këmbimi nga pirustia e qiellit,
të gjejë se ç’fsheh jehona, që luginat menjëherë e
kthejnë në profeci orakulli,
të nxjerrë nga proverbat mençurinë dhe ta mbjellë si
plepat anës rrugëve,
të gjejë pendë për turtujt e ikonostasëve,
që me bishtat fshinin re dyshimesh dhe mëkatesh,
të shkërmoqë në pëllëmbë një kalli edhe të bien një
nga një historitë e Jazonit të Argosë.

Dhe do të mbushet oborri me ashkla,
me cifla germash, lëvozhga domethëniesh,
megjithëse e di se në Babilonë më s’do të ndihen
zëra nusesh e dhëndurësh.

—————
¹Personazh i epikës mesjetare greke.

Autori
Andrea Zarballa