Press "Enter" to skip to content

Bija e luanit

Katër skllevër qëndronin në këmbë dhe i bënin fresk mbretëreshës plakaruqe, e cila ishte zhytur në gjumë për shtatë palë qejfe e gërhiste pa e prishur terezinë. Në prehrin e saj ishte mbledhur kruspull një mace, që mjaullinte sa herë u hidhte vështrime neverie katër skllevërve.
Njëri prej tyre, në një çast tha: “Sa e shpifur kjo plakaruqja që fle! Shihjani buzët e varura. Sa herë merr frymë, duket sikur dreqi vetë e ka rrokur për fyti”.
Macja mjaulliu dhe tha: “Shëmtia e saj teksa fle, nuk është asgjë krahasuar me shëmtinë e robërisë suaj, edhe pse zgjuar”.
Skllavi i dytë tha: “E çuditshme, sepse gjumi nuk i ka falur asnjë tis nuri në fytyrë, për të mos thënë që ia ka shtuar rrudhat. Duket sikur po sheh një ëndërr të keqe dhe të kobshme”.
Macja mjaulliu sërish e tha: “Ah sikur të flinit dhe ju e të ëndërronit lirinë!”.
Skllavi i tretë u tha shokëve: “Më duket se në ëndërr po sheh pirgjet me kufoma të të gjithë viktimave që ka vrarë padrejtësisht”.
Macja mjaulliu për të tretën herë dhe tha: “Po, në fakt po sheh pirgjet me kufomat e gjyshërve dhe pasardhësve tuaj”.
Skllavi i katër tha: “Sa idiotë jeni, po merreni me një plakaruqe që fle. E çfarë dobie ju sjell kjo? Mos vallë na e lehtëson qëndrimin në këmbë duke i bërë fresk?”.
Macja mjaulliu për të katërtën herë dhe shtoi: “Ju do i bëni fresk sot e mot, sepse statusin që keni mbi tokë, do ta keni edhe në qiell”.
Një çast, mbretëresha lëvizi në gjumë dhe kurora e saj u përplas përtokë. Njëri nga skllevërit komentoi: “Ky është ogur i zi!”.
Macja tha: “Dëmi i dikujt është dobia e një tjetri”.
Skllavi tjetër pyeti: “Po sikur të zgjohej tani mbretëresha plakë dhe ta shihte kurorën e saj përtokë? Pasha Zotin, do na therte si qengja!”.
Macja tha: “Ajo ju ka therur që ditën që keni lindur e deri sot, por as që e keni vënë re”.
Skllavi i tretë tha: “Po, e vërtetë që na ther dhe këtë e konsideron si flijim për perënditë”.
Macja, pasi mjaulliu, shtoi: “Për perënditë gjithmonë flijohen të pafuqishmit”.
Sakaq, skllavi i tretë u bëri me shenjë bashkëvuajtësve që ta qepin, u ul ngadalë, mori kurorën dhe ia vuri në kokë mbretëreshës, pa ia trazuar gjumin.
Macja sërish mjaulliu dhe foli me zë të lartë: “T’ju them të drejtën, kurorat e rrëzuara vetëm nga skllevërit merren”.
Pas njëfarë kohe, mbretëresha u zgjua. Vështroi një herë majtas e djathtas, pastaj, duke hapur gojën, u tha skllevërve: “Pashë një ëndërr, ku katër insekte përndiqeshin nga një akrep, duke u sjellë përreth trungut të një lisi madhështor. Bah çfarë ëndrre e shpifur”.
Mandej mbylli qepallat dhe u zhyt sërish në gjumë, duke gërhitur me tinguj të ngjirur që mbushnin dhomën. Katër skllevërit nisën t’i bënin fresk, si zakonisht.
Kurse macja tha: “Bëjini fresk, o të verbër dhe trutharë. Asaj që i bëni fresk, nuk është veçse flakë që do t’ju djegë fytyrat!”.

Përktheu: Elmaz Fida

Autori
Gibran Khalil Gibran
Autori
Elmaz Fida